MOJ FUSHAE KORABIT

27 Prill 2009 0

Pa kategori @ 6:15 am

Nga perlat e këngëve popullore të kurbetit:

MOJ FUSHA E KORABIT

Pa dyshim, se njëra ndër plagët më të rënda historike ndër popullin shqiptar, plagë kjo që rrjedh dhembshëm dhe kullon ndër shekuj, është plaga e kurbetit . Për këtë plagë që nuk i dihet as fillimi e as mbarimi dhe që fatkeqësisht , rrjedh e kullon edhe sot e gjithë ditën nëpër trojet dhe familjet shqiptare, kohë pas kohe poetët dhe këngëtarët tanë anonim popullor, kanë shkruar me mijëra vargje të përlotura dhe kanë kënduar me mijëra melodi të dhembshme, që ta shpojnë zemrën dhe shpirtin me porosinë e tyre që kanë në brendinë e tyre krijuese .

Ndër perlat më të bukura të këngëve tona të kurbetit, pa dyshim se janë edhe dy këngë, të cilat i morëm në analizë, për të cilat mendojmë se janë edhe dy nga këngët më të lashta të kësaj gjinie . Pra, fjala është për këngët me titull:”Moj Fusha e Korabit” dhe “Kur mu nise djalo për gyrbet”, që për kah struktura poetike dhe melodike, janë shumë identike  njëra me tjetrën dhe ajo që është më se karakteristike e këtyre këngëve, është fakti se që të dyja këto këngë janë thurur nga shpirti krijues i femrës shqiptare.

Me që në këngët tona burimore popullore, vështirë është që të identifikohen autorët e tyre, për faktin se nuk janë ruajtur shënimet mbi krijuesit popullor, ka të ngjarë se këto dy këngë mund t’ i  ketë thurur e kënduar e njëjta krijuese – femër .

Vetë natyra e melodive dhe interpretimeve të këtyre këngëve, na bind se këto dy këngë janë krijuar dhe kënduar nga ndonjë këngëtare popullore , e cila në mënyrën më besnike , përmes vargjeve shumë të fuqishme poetike dhe melodive nostalgjike, shpreh mallin dhe nostalgjinë për dashurinë e humbur, për shkak se i dashuri i tyre duhet patjetër të shkojë në kurbet për të punuar dhe kjo shkuarje do t’ iu sjell një ndarje të kobshme dy të rinjve të dashuruar, të cilët ndoshta më edhe nuk do të mund të shihen në mes veti !

Në bazë të analizës së teksteve të këtyre këngëve, mund të konkludojmë se që të dyja e kanë burimin e vet krijues nga të njëjtat treva, apo krahina. Që të dyja këto këngë kanë melodi shumë nostalgjike, struktura të njëjta poetike, përbërje shumë të përafërta ritmike dhe që të dyja, këndohen me përcjellje ekskluzive të dy kavalleve , ose dy fyejve .

Struktura ritmike e këngës “Moj Fusha e Korabit” është e shtrirë në masën kohore 8/4 , pra njëra ndër masat më të rralla dhe më karakteristike të këngëve tona tradicionale popullore . Madje, shumë interpreto popullor, duke mos e perceptuar saktësisht këtë masë ritmike, në të shumtën e rasteve këtë këngë e kanë interpretua dhe e interpretojnë në temp të lirë ( improvizim të lirë) , apo siç thuhet ndryshe, në tempin “Rubatto”.

Ndërsa, kënga me titull: “Kur mu nise djalo për gyrbet”, është e bazuar në ritmin tradicional kombëtar 7/8.

Duke i analizuar tekstet, lokacionet, meloditë, ritmet dhe përcjelljet instrumentale të këtyre dy këngëve, mund të konkludojmë se këto dy këngë janë krijuar, kënduar dhe kultivuar më së shumti në viset rurale të Maqedonisë Perëndimore: Tetovë, Gostivar, Dibër dhe Kërçovë. Këtë konkluzion mund ta pranojmë si të vërtetë, nëse kemi para sysh  faktin se në këto treva, apo krahina, më së shumti përdoren kavallet dhe fyejt në përcjellje të këngëve tona burimore dhe në anën tjetër , Bjeshkët e Sharrit dhe të Korabit, janë vendet më të preferuara për zhvillimin e jetës baritore dhe kultivimin e shtazëve shtëpiake.

Kënga “Moj Fusha e Korabit”, në mënyrë autentike e përshkruan kohën e kurbetit te të rinjve barinj, të cilët qëndronin nëpër stane në bjeshkë, nga 6 muaj duke i ruajtur bagëtinë, sidomos kopetë e deleve.

Pra, kurbeti më i largët në atë kohë, ishte jeta baritore nëpër bjeshkët e largëta dhe të larta.

Vajza e dashuruar në një djalë të ri, me rastin e shkuarjes në Bjeshkë, do ta mallkojë me lot  dhembje Fushën e Korabit, e cila po ua merrte djemtë e rinj dhe po i ndante nga një dashuri e sa po lindur !

Kënga flet për kohën e një mentaliteti të lashtë, kur djali i dashuruar nuk do të guxonte ta kthente as kokën për ta parë të dashurën e vet, nga se do të ndëshkohej nga ana  e rrethit familjarë.

Po ashtu, në kohën e krijimit të kësaj kënge, kuptohet qartazi se nuk kishte shkollim, shkrim-lexim, letër, as laps, për të komunikuar dy të rinjtë e dashuruar në mes veti.

Porosia e fundit e vajzës së dashuruar , për të dashurin e vet që po i ndahet dhe po i shkon në kurbet, është që ai, të gjendet si të mundet dhe t’i kthehet të dashurës së pakut për festën e Shën Gjergjit!

Qëndrimin gjashtëmujor në kurbetin e bjeshkëve, vajza e dashuruar e quan: “gjashtë muaj të zi”, nga se nuk e ka të lehtë që të jetojë në vetmi!

Ditët e zeza, të rënda dhe të gjata të kurbetit, vajza do t’ i numërojë me mund dhe anonimitet të thellë, nga se ato nuk ka se ku t’ i shkruaj dhe nuk guxon t’ ia shprehi askujt tjetër, pos që do t’ i shënojë në skaj të qilimit , në pragun e derës, në kapakun e penxheres, në skaj të mbështjellcës e kështu me radhë, ku përmes këtyre figurave anonime, ajo do t’ i numërojë edhe stinët e vitit.

Malli për t’ u takuar sa më parë me të dashurin e vet që është në kurbet, vajza do ta  shprehë edhe përmes kësaj porosie për të dashurin e vet:”Merr pare me fajde – ti ma i pari hajde!” Pra, e detyron të dashurin që të hyjë borxh duke marrë para me kamatë, për të ardhur në shtëpi dhe për t’ u takuar me të dashurën e vet.

Vajza e dashuruar dhe e djegur nga malli e nostalgjia për t’ ua parë e takuar me të dashurin e vet , që i ka shkuar në kurbet, do ta porositë të dashurin, që kur të arrijë në Fushë të Matit, t’ ia lëshoj vrapin atit të tij, në mënyrë që e dashura e tij , ta identifikojë më lehtë dhe që të arrijë në shtëpi sa më shpejt !

Dhe në fund, përmes këngës, e dashura e porositë djalin që e dashuron aq shumë, që të mos martohet dhe të mos e tradhtojë të dashurën e vet, nga se vetëm i atillë do të ketë nderim, respekt dhe vlerë. Për ndryshe, po bëri e u martua, atëherë më kurrë nuk do ta dojë e dashura e vet, e cila është gjithnjë në pritje të tij!

Të shikojmë në vazhdim se çfarë na thotë teksti i këngës “Moj Fusha e Korabit”:

Moj Fusha e Korabit, oj, mjera un-o,

Qysh na erdhe hakit , oj , mjera un-o ?!

Shkove , kapërceve , oj , mjera un-o,

Kryet , ti, pse s’e  ktheve, oj, mjera un-o ?!

Kapërceve e shkove , oj, mjera un-o,

Nji letër s’ ma shkrove, oj, mjera un-o !?

Banja si  t’ ja dijsh-e , oj, mjera un-o ,

Për Shin Gjergj , t’ ëm vijsh –e, oj , mjera un-o !

S’ asht nji ditë e dy – e , oj , mjera un-o,

Janë gjashtë muej të zi- e , oj , mjera un-o !

Kta tre muejt e dimnit , oj, mjera un-o,

T’ i  shkruej n’ skaj t’ qylymit , oj mjera un-o!

Kta tre muej  t’ pranverës , oj , mjera un-o,

T’ i  shkruej n’ prag të derës , oj , mjera un-o !

Kta tre muejt e verës , oj, mjera un-o,

T’ i  shkruej n’ skaj t’ penxheres ,  oj , mjera un-o !

Kta tre muejt e vjeshtës , oj , mjera un-o,

T’ i  shkruej n’ skaj t’ mbështjellcës , oj , mjera un-o !

Merr pare me fajde, oj, mjera un-o,

Ti , ma i pari hajde , oj, mjera un-o !

Kur t’ vijshë n’ Fushë të Matit, oj mjera un-o,

Lëshoja frenat atit, oj, mjera un-o !

Sa të jesh beqar - e , oj mjera un-o,

Ke shumë iftibar –e , oj, mjera un-o!

Kur t’ bahesh me grue , oj, mjera un-o,

Une nuk të due, oj , mjera un-o !

KUR MU NISE DJALO PËR GYRBET

Edhe kënga me titull: “Kur mu nise djalo për gyrbet”, ka të njëjtin identitet krijues , të njëjtën porosi dhe trajton dashurinë e vajzës ndaj djalit, i cili i është larguar në kurbet!

Dallimi i motivit të këngës nga ajo e para, është fakti se këtu na paraqitet teksti pak sa më liberal në mes të raporteve të dy të rinjve të dashuruar, me rastin e ndyrjes së tyre.

Me rastin e nisjes së djalit për në kurbet, e dashura e tij e përcjell së pakut deri tek shtegu i gardhit të oborrit dhe aty e vëzhgon të dashurin e saj, deri sa largohet aq shumë dhe nuk mund të shihet më me sy. Pastaj, kthehet prapë në shtëpi, duke qa me lot në sy.

Jeta në shtëpi, pa praninë e të dashurit të vet, i duket e pa kuptimtë .Çdo gjë i duket e pa shije dhe si e shkretë!

E dashura, rri duke qarë e menduar gjatë tërë natës, duke menduar se ku e ka zënën nata të dashurin e saj dhe duke u brengosur se a thua po i hahet darka larg shtëpisë, familjes dhe të dashurës së vet?!

E dashura, edhe pse mbyllet në dhomën e vet e vetmuar, nuk mund të flejë gjatë tërë natës, duke derdhur lot dhe mallkime për kurbetin e zi dhe jetën e saj në vetmi!

Ajo, nuk mund të shti gjatë tërë natës gjumë në sy, deri në zbardhjen e dritës së agut të mëngjesit, gjithnjë duke menduar se ku e ka zbardhur drita të dashurin e saj?!

Kënga përfundon me lutjen e të dashurës, për djalin që e dashuron, që ai të mos vonohet shumë kohë në kurbet dhe të rikthehet sërish, me ç’ rast, e dashura do të priste me padurim sërish tek shtegu i gardhit të oborrit të shtëpisë !

Por, të lexojmë me vëmendje tekstin e kësaj kënge në vazhdim dhe do të bindemi se çfarë porosie do të na sjell kjo këngë:

Kur mu nise , djalo, për gyrbet ,

T’ përcolla der’  n’ shteg , e mjera un-o,

Hej, hej, hej, hej!

T’ përcolla der’  n’ shteg , e mjera un-o!

Nejta e t’ kqyra , der’  sa shkove larg,

Dhe u ktheva prap, e mjera un-o!

Hej, hej, hej, hej !

Dhe u ktheva prapë , e mjera un-o !

Sa mërzi mu duk, kur mbeta vetë,

Si t’ ish gjithçka shkret , e mjera un-o !

Hej, hej, hej, hej !

Si t’ ish gjithçka shkret, e mjera un-o!

Ta ditsha ku t’ zuni nata ,

Ndër male të nalta , mjera un-o!

Hej, hej, hej, hej!

Ndër male të nalta, mjera un-o !

N’ ato male t’ nalta , more djalë,

A po t’ hahet darka, mjera un-o?!

Hej, hej, hej, hej!

A po t’ hahet darka, mjera un-o?!

Kur shkova me ra, o more djalë,

M’ zu gjumi tuj kja, e mjera un-o !

Hej, hej, hej, hej!

M’ zu gjumi tuj kja, e mjera un-o !

Ta ditsha ku t’ zuni drita ,

Ndër fusha t’ jeshilta, mjera un-o!

Hej, hej, hej, hej!

Ndër fusha t’ jeshilta , mjera un-o !

Mos u vano, kthehu djalë, apet,

Tash dal t’ pres në shteg, e lumja un-o !

Hej, hej, hej, hej !

Tash dal t’ pres në shteg , e lumja un-o !

Gjilan, më 24 Prill 2009.      Demir KRASNIQI dema.jpg

RA DUKE I KËNDUAR NUSES SË LIRISË

22 Prill 2009 0

Pa kategori @ 4:44 am

Dienstag, 21. April 2009

RA DUKE I KËNDUAR NUSES SË LIRISË

Pikërisht, në 10 – vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit, majorit Muharem Ibrahimi, i njohur me nofkën luftarake “Major Bajrami”, më 21 Prill 2009, në sallën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit, u mbajt një Akademi Përkujtimore, kushtuar jetës dhe veprës së këtij dëshmori.

Në këtë Akademi Përkujtimore, pos familjarëve të dëshmorit Muharrem Ibrahimi, ishin të pranishëm shumë përfaqësues të familjeve tjera të dëshmorëve të Luftës së UÇK-së, shumë bashkëluftëtarë të gjallë të dëshmorit, shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, ish komandantët e Zonës Operative të Karadakut, zyrtarët më të lartë komunal, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe shumë mysafirë gjithandej Kosovës.

Programi përkujtimor i kësaj Akademie, filloi me intonimin e Himnit të Flamurit Kombëtar, pas të cilit me një minutë heshtje iu bë nderimi meritor të gjithë dëshmorëve të kombit , të rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Disa shpalime biografike rreth jetës dhe veprës së dëshmorit të kombit, Major Muharrem Ibrahimi, i bëri moderatorja e kësaj Akademie, zonjusha Kaqusha Kamberi.

Me një Fjalë rasti, në përkujtim të dëshmorit, të pranishmit i përshëndeti Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Qemajl Mustafa, ndërsa me disa fjalime përkujtuese , pas tij , u ngjitën në foltore: Ahmet Asufi – “Rexha”, ish Komandant i Zonës Operative të Karadakut, Shemsi Syla – “Shaqa”, ish Zv.Komandant i ZOK-ut dhe Ahmet Daku, Kryetar i OVL të UÇK-së, në Gjilan.

Në pjesën artistike të kësaj Akademie Përkujtimore, mbesa e dëshmorit – Arta Ibrahimi, deklamoi poezinë përkushtimore me titull:”Axhit tim”, pas të cilës u këndua një këngë kushtuar këtij dëshmori, nga kantautori Demir Krasniqi dhe në pjesën përmbyllëse të programit, u shfaq një film dokumentar kushtuar aktiviteteve luftarake të këtij dëshmori.

Pas përfundimit të Akademisë Përkujtimore, familjarët e dëshmorit, vunë kurora lulesh të freskëta në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan dhe tek Lapidari i Dëshmorëve në lagjen e Bullajve të Marecit.

Pak biografi për dëshmorin e kombit, Major Muharrme Ibrahimin

Muharrem Ibrahimi, u lind në Gjilan, në një familje 9 anëtarëshe qytetare , prej nënës Xhemile dhe babait Raifit, familje kjo që ka prejardhjen prej fshatit Ivajë të Rrethit të Leskocit, e cila ishte shpërngulur me dhunë qysh në vitin 1878.

Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje – Gjilan.

Qysh si fëmijë , ëndërronte që të bëhej ushtarak. Babai i tij Raifi, duke e parë dëshirën e tij të madhe dhe i vetëdijshëm se edhe shqiptarëve iu nevojiten ushtarakët , e dërgoi në Akademinë Ushtarake, dega e Këmbësorisë , të cilën me sukses e kreu në Beograd dhe në Sarajevë.

Atë botë , ishte nder që një shqiptar të bëhej oficer i Armatës, sepse ishin shumë të rrallë të rinjtë që përcaktoheshin për studimin e artit ushtarak.

Karrierën e tij prej ushtaraku e filloi në Maribor të Sllovenisë. Ishte shumë i dëshiruar dhe i respektuar nga ushtarët shqiptarë që e kryenin shërbimin ushtarak atje.

Muharremi, vazhdimisht i këshillonte që të mos bien nën provokime dhe iu ndihmont, Ishte shumë i adhuruar edhe prej qytetarëve shqiptarë që punonin dhe jetonin atje, për çka ishte vazhdimisht edhe nën përcjellje të Sigurimit Ushtarak.

Me fillimin e shpartallimit të ish – Jugosllavisë dhe fillimin e luftës në Slloveni, Muharrem Ibrahimi dërgohet në Murska Sobota dhe Shëntil, ku i kurdiset një pritë, në të cilën plagoset më datën 28 Qershor 1991. Sllovenët i afrojnë dezertim , por për shkak të sigurisë së ushtarëve të tjerë shqiptarë, nuk pranoi që të dezertoi .

Pas shërimit , më 1992 vazhdon në Trebinje e mandej transferohet me shërbim në Mitrovicën e Kosovës.

Muharremi, i pa kënaqur me padrejtësitë ndaj shqiptarëve , vendosë që ta braktisë Armatën , por me insistimin e aktivistëve lokal të atëhershëm : Halit Zymberit dhe Nazmi Musës , vazhdon punën me shumë vështirësi. Në Mitrovicë, ishte i përcjellë dhe i provokuar nga kolegët dhe ushtarët.

Më 1997, transferohet në Ferizaj, ku e merr gradën ushtarake “Major”.

Me fillimin e luftës në Drenicë, ai shprehë gatishmërinë që të kyçet në luftë , por udhëzohet që për shkak të nevojave të atëhershme , të qëndrojë deri sa është e mundur . Përmes shokëve shumë të besueshëm : Halit Zymberit e Hasan Agushit, Zonës Operative të Nerodimjes i jepte informatat për kazermën e Ferizajt , pozitat, planet, potencialin ushtarak, armatimin etj.

Detyra e tij ishte që të alarmonte në rast nevoje përmes një lidhje shumë sekrete , të cilët ishin të gatshëm edhe ta evakuonin në një vend të caktuar.

Më 3 Qershor, i jepet urdhri që të shkojë në luftë kundër shqiptarëve!

Muharremi, këtë e refuzon kategorikisht , me arsyetimin se duhej ta shëronte djalin e sëmurë !

Me mbarimin e shërimit të djalit të vogël, gruan dhe dy fëmijët e tij i dërgon në Turqi . Gruan e porositi që të kujdeset për fëmijët, me që edhe ajo e dinte për qëllimet e tija !

Më 25 Mars 1999, njoftohet se ka ardhur koha që të shkojë në luftë, në radhë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në radhët e UÇK-së, përmes Elhami Bajramit, kyçet bashkë me shokët: Afrim Myrtaj, Rexhep Jahiun, Bekim Murtezin, Sami Ahmetin dhe të tjerë.

Si ushtarak profesionist , punon në stërvitjen e ushtarëve të rinj dhe ngritjen e moralit të ushtarëve, ku u emërua Shef i Shtabit të Zonës

.Ofensiva e 15 Prillit, të vitit 1999, në Malësinë e Zhegocit, i detyron që të tërhiqen në fshatin Marec , ku edhe aty ballafaqohen me një sulm tjetër masiv të makinerisë ushtarako – policore serbe .

Në vijën e parë të frontit , qëllohet nga një granatë , ku merr lëndime në këmbë dhe në shpatull . Plagët ishin të mëdha dhe gjakderdhja e paevitueshme në mungesë të mjekimit adekuat .

Bashkëluftëtari i tij, Nehat Ibrahimi rrëfen për trimërinë e Muharremit , kur edhe pse i plagosur rënd, iu jepte kurajë bashkëluftëtarëve, duke iu thënë:”Mos e lëshoni vijën e frontit! S’ka çka të na bëjë shkau!”… dhe këndonte:

“Ani , mori Nuse –

Nusja e Lirisë,

Me kurorë fituese

N’ troje t’ Dardanisë!”…

Shokët, ia japin ndihmën e parë dhe largohen. Të plagosur rënd e gjen Basri Canolli – “Shpendi” (gjithashtu dëshmor i kombit) i cili e merr dhe e strehon tek familja e tij.

Pas dy ditëve të plagëve, më 21 Prill 1999, në odën e Halil Canollit, në fshatin Marec, ndërron jetë dhe varroset në afërsi të varrezave të vjetra të kësaj familjeje . Prej atje , më 19 Shtator 1999, eshtrat e tij barten dhe rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës !

Tretmani i familjes së dëshmorit

Pas rënies së dëshmorit Muharrem Ibrahimi – Majori , në altarin e lirisë, bashkëshortja e tij Mebusane Ibrahimi, sëmuret rënd dhe pas gjashtë muajve të qëndrimit në spital, edhe ajo vdes .

Dy fëmijët e tyre: Florenti dhe Ariani , ngelën pa të dy prindërit, nën mëshirën e Zotit dhe përkujdesjen e xhaxhallarëve të tyre.

Tani , djali i madh – Florenti, është i punësuar në Bankën e Mikrobiznesit “Finca” , kurse djali i dytë – Ariani, tani jeton në Zvicër.

Përkujdesja institucionale , ndaj familjes së dëshmorit , e në veçanti ndaj fëmijëve bonjakë , asnjëherë nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe të merituar . Përjashtim bënë vetëm Shoqata “Miqtë e TMK-së”, e cila në formë burse e ka ndihmuar në studime Florentin, me nga 50 Euro në muaj, gjithashtu ka gëzuar përkrahjen dhe ndihmat individuale nga njerëz dashamirës dhe përkrahës të çlirimtarëve.

Familja e dëshmorit Muharrem Ibrahimi , nuk është e kënaqur me përkujdesjen e institucioneve tona . As njëherë deri më sot, për emrin dhe veprën e këtij dëshmori nuk është organizuar ndonjë manifestim përkujtimor në formë institucionale ! Kjo vërtetë është më se brengosëse !

Për ta nderuar veprën dhe emrin e Muharrem Ibrahimit , deri më tash, është emërtuar vetëm një rrugë në Lagjën “Dardania I” të Gjilanit. Megjithatë, kjo nuk mjafton, nga se deri më tash, askujt nuk i shkoi ndër mend , që t’ ia ngritë së pakut një bust, apo lapidar përkujtimor?!

Guximi, sakrifica, heroizmi dhe vetëflijimi i Muharremit, për çështjen madhore kombëtare, deri më sot nuk u morën në konsideratë serioze dhe Muharremi dalë ngadalë po harrohet dhe po anashkalohet !?

Sivjet, në 10 – vjetorin e rënies , familjarët e këtij dëshmori, nuk mendojnë se do të ndërmerret asgjë serioze në baza institucionale, për nderimin dhe përkujtimin e këtij heroi të kombit!

Për dëshmorin e kombit Major Muharrem Ibrahimin, ashtu si edhe për të gjithë dëshmorët tjerë, u thurën dhe u kënduan me afshin e shpirtit , shumë këngë të bukura popullore.

Ja se si e përkujton përmes vargjeve dhe tingujve të këngës, këtë dëshmorë, autori i këtij shkrimi dhe kantautori Demir Krasniqi:

KËNGË PËR DËSHMORIN MUHARREM IBRAHIMI

Këndim:

Te varri i dëshmorit ,

Se ç’ më zgjoi kujtimi –

T’ i këndoj Majorit

Muharrem Ibrahimi !

Kur doli prej oborrit –

Nënën përqafoi …

Muharrem majori –

Krushk lirie shkoi .

Recitim:

-Mos u mërzit , nënë,

A kaq shpejt harrove?

Gji kur më ke dhënë –

A e di si m’ urove?…

Ninullën e parë ,

Ti, kur ma këndove:

“M’ u bëfsh luftëtarë ,

M’ u bëfsh trim Kosove !…”

Këndim:

Para se të niset

Se ç’ foli ai burrë:

“Do të shkoj ku vdiset –

Për t’ mos vdekur kurrë”!

Po më thërret Atdheu,

Malet me dasmorë,

Për t’ ia sjellë një nuse

Me lule kurorë !…

Recitim:

-Nusja jonë ka pritur

100 vjet robëri,

Ka emër të bukur ,

E thërrasim :LIRI !

Këtë NUSE TË SHENJTË

Për t’ a sjellë n’ konak ;

Ka një çmim të shtrenjtë -

Duhet derdhur gjak!…

Këndim:

Krenohej Mareci,

Zllashi e Mramori…

Gjithandej ku eci

Muharrem Majori !…

Mbi gjoks të tribunit –

Një granatë nga mali…

Deri n’ frymë të fundit,

Këngën kurrë s’ e ndali!…

Recitim:

Emri i luftëtarit

Do t’ jetojë përherë –

N’ mes të lapidarit ,

N’ bronz e në mermer…

N’ sheshe, në qytete ,

N’ fusha , n’ male t’ larta –

Ai, jeton i freskët

Me shkronja të arta !

Këndim:

Shokët duke i trimëruar

Me plagët e kuqe,

Ra duke kënduar:

“ANI , MORI NUSE”…

“ANI , MORI NUSE –

NUSJA E LIRISË ,

ME KURORË FITUESE

N’ TROJE T’ DARDANISË”!…

Recitim:

Veprat do t’ kujtohen

N’ tela t’ çiftelisë;

Aty, ku këndohen

Këngë të burrërisë !

Ta shohim portretin

N’ faqe t’ historisë;

Kujtimet nuk tresin

Për trima të LAVDISË!…

Këndim:

N’ rreshtin e dasmorëve

Ty, të shoh, or trim,

N’ Alenë e dëshmorëve

Ku prehesh n’ amshim !

Pra, Ti nuk ke vdekur,

O, trimi i rrallë!

Ishe i paepur –

Je legjendë e gjallë!

Kënga bëhet edhe më e fuqishme dhe më emocionuese, sidomos në rastet kur ajo shpërthen mu si vullkani, nga shpirti, fryma dhe goja e vëllait të dëshmorit.

Të shikojmë në vazhdim se si e përjetoi rënien e vëllait – dëshmorë, kantautori Naser Ibrahimi, me rastin e vizitës së tij të parë në vendin ku ra Muharrem Ibrahimi, në lagjen Gërbeshi të fshatit Marec:

TRIMI

Një ditë shkova në Marec,

Në atë mal të madh,

Me e pa vendin ku luftuan trimat,

Vëllai im ku ra ?!

Pyeta malin, pyeta lisat –

A e keni pa?

Mu afrua një Shpend Mareci –

Mallëngjyeshëm më tha:

“E kam njohtë një Major trimin –

Muharrem Ibrahimin,

Ish fisnik zemërluan ,

I thoshin “Bajram”!

I madh është Mareci,

I madh je edhe Ti,

Gjaku Yt, u bëftë dritë,

Dritë për liri !

E kalova tërë Marecin,

Gjithë atje më thanë :

“Shumë trima këtu kanë ra ,

Por gjithmonë do t’ jenë gjallë!”

Pyeta malin, pyeta lisat –

A e kanë pa vëllain tim?

Mu bë sikur mali foli

E m’ tha me krenari:

“E kem njohtë një Major trimin -

Muharrem Ibrahimin,

Ish fisnik zemërluan,

Lum Kosova që e ka !

I madh është Mareci,

Të mëdhenj t’ gjithë Ju jeni,

Gjaku i Juaj u bëftë dritë,

Dritë për liri!

Gjilan, më 21 Prill 2009. Demir Demir KRASNIQI

12 Prill 2009 0

Pa kategori @ 9:39 am

GJURMËVE TË TALENTVE TË RINJ MUZIKOR
<!– by hottheDARDANA –>

[bearbeiten] [löschen]
Apr 11 2009 01:55 pm
Gjurmëve të talenteve të rinj muzikor :

GJENIT E SHEKULLIT   U LINDËN NË GJILAN

Nuk është thënë rastësisht, se talentet e rrallë lindin njëherë  brenda një shekulli!
Se është vërtetë kështu , më së miri dëshmon fenomeni i rrallë i dy talenteve të rinj , të cilët më 28 Mars 2009, për herë të parë në jetën e tyre ,  u ngjiten në skenën publike para artdashësve të muzikës popullore, në sallën e Teatrit  të qytetit të Gjilanit, në kuadër të një Koncerti të muzikës popullore të organizuar nga Ansambli Muzikor “Gurra” nga Gjilani .
Vërtetë, salla e përmbushur përplot me adhurues të këngëve dhe valleve tradicionale popullore, thua se frymonte në heshtje, të cilën herë pas here e thyenin duartrokitjet që i bëheshin solistëve të këngës popullore dhe të  asaj folklorike .
Pa pritur , në skenë para publikut u paraqiten dy fëmijë të vegjël, të veshur me kostume kombëtare, me plisa të bardhë dhe me tupan në krah, të cilët i shoqëronin me ritme të gjalla meloditë e surleve dhe grupin valltarë të burrave, të cilët i vallëzonin vallet e rënda tradicionale të Anamoravës, Malësisë së Karadakut dhe Luginës së Preshevës !
Me të paraqitur në skenë, të këtyre dy djelmoshave – fëmijë, publiku i pranishëm në sallë, sikur u “zgjua nga gjumi i heshtjes “ dhe u ngritë i tëri në këmbë nga befasia e pa pritur dhe nga kureshtja për t’ i parë këta dy fenomen të rrallë , që deri më tani nuk janë parë , as imagjinuar në skenat e muzikës sonë popullore!
Të gjithë u mahnitën me këtë mrekulli të Zotit, u ngritën në këmbë duke iu duartrokitur , duke i prekur hundët që të mos iu bien mësysh dhe duke brohoritur me zë:”Mashalla ! Mashalla!”
Të gjithë të pranishmit mundoheshin që t’ i bëjnë nga katër palë sy e veshë , për t’i parë dhe dëgjua mrekullitë e Zotit! Të gjithë i nxorën nga xhepi foto-celularët, foto-aparatet dhe foto-kamerat, që t’i fotografojnë dhe t’ i xhirojnë këta dy talent . Madje, në sallë filloi një rrëmujë e madhe nga ana e adhuruesve, të cilët shtyheshin në mes veti se cili më parë do të fotografohet me këta dy fëmijë dhe cili do t’i puthë e përqafojë më parë?!
Qytetarët - adhurues dhe njohës të vlerave tradicionale muzikore, dolën nga salla të mahnitur dhe secili prej tyre, uronte nga zemra për këta dy fëmijë:”Zoti i ruajt! Zoti ju dhëntë shëndet dhe paçin jetë të gjatë!”
Që nga aj moment, qytetarët pjesëmarrës të këtij Koncerti, shkonin duke komentuar dhe duke i thënë  njëri – tjetrit:
“Gjenit e shekullit u linden në Gjilan!”
Gjurmëve të hulumtimit të këtyre dy talenteve – gjeni, u vu edhe autori i këtij shkrimi dhe në vazhdim për lexuesit tanë të respektuar, po ju sjellim disa të dhëna më të hollësishme , për të shpjeguar se kush janë këta dy gjeni?!
Gjeniu i parë, quhet:
Ernes (Driton) Aliu

Është i lindur më datën 05 Gusht 2006, në Gjilan. Pra, ka vetëm 2 vjet e 7 muaj jetë.
Rrjedh nga një familje me prejardhje nga fshati Depcë i Malësisë së Karadakut, komuna e Preshevës, të cilët jetojnë në Gjilan. Kjo familje brez pas brezi është marrë me kultivimin e muzikës tradicionale burimore.
Gjyshi i Ernesit - Abdullah Aliu , ka luajtur me def, darabuk, tupan dhe është instrumentist shumë i dalluar i këtyre anëve. Po ashtu, edhe daja i babait të Ernesit – Dritonit, Murat Baliu ka qenë instrumentist i Ansamblit “Kastriotët” nga Ferizaj, ku ka marrë pjesë në shumë koncerte e festivale, si kitarist, kontrabasist dhe instrumente tjera muzikore.
Edhe dajallarët e gjyshit të Ernesit – Abdullahut:Halit Isufi, Arif Isufi,Besnik Isufi dhe Bujar Isufi, tradicionalisht janë marrë me kultivimin e muzikës dhe luajtjen në instrumente muzikore, si: mandolinë, violinë, def, tupan, lodra, saksofon etj.
Babai i Ernesit – Dritoni, luan për mrekulli me tupan, në duet me të vëllain – Agronin. Edhe djali i hallës së Dritonit – Mefail Ibrahimi, është interpretues solistik i këngës popullore.
Vogëlushi Ernes Aliu, që kur i kishte 12 muaj jetë, jepte shenjat e para të interesimit dhe talentit të tij , ndaj muzikës, e në veçanti vërehej dëshira e tij për të luajtur me tupan.
Në moshën 14- mujore , i ka ditur së pakut 20 valle të ndryshme popullore, të cilave ua  përcillte me përpikëri ritmet, duke e dëgjuar mikun e shtëpisë – Behlul Rexhepin, se si i luante ato valle me surle.
Në moshën 18 mujore , i ka përvetësuar thuaja se të gjitha vallet e rënda popullore të burrave, të cilat tradicionalisht kultivohen në Anamoravë, Malësinë e Karadakut dhe Luginë të Preshevës.
Ernesi i vogël, për çdo ditë mbyllet në një dhomë dhe ushtron me tupan, pa u lodhur asnjëherë . Kur dikush e pengon gjatë ushtrimeve, ai bëhet shumë  nervoz dhe proteston para atyre që e pengojnë!
Gjatë ushtrimeve me tupan, Ernesi ushtron duke dëgjuar muzikë nga radioja, incizimet e ndryshme, por ushtrimet më të suksesshme i bënë gjatë kohës kur i dëgjon gjyshin, babanë dhe shokët e tyre, se si ushtrojnë ata!
Babai i Ernesit, tregon me përgjegjësi të plotë, se asnjëherë në jetë askush nga familjarët e tij, nuk ia ka imponuar ushtrimet muzikore, as lojën me tupan, djalit të tij !
Mirëpo, kur gjyshi i Ernesit – Abdullahu, i këndon këngët dhe meloditë e valleve (me gojë), Ernesi luan saktësisht me tupan, duke ua perceptuar rrënjësisht ritmet e tyre, madje jo vetëm ritmet e thjeshta, por edhe ritmet e përziera, të cilat nganjëherë as të rriturit nuk mund t’ i kapin !
Dhe vetëm atëherë kur ushtron me gjyshin, ndihet shumë i lumtur, i disponuar dhe tamam si “Mbret i vogël i muzikës!”
Para masës publike, luan me tupan pa u frikësuar, pa u habitur dhe pa e humbur ritmin në asnjë moment! Nuk ekzistojnë ritme të muzikës sonë tradicionale popullore , që e dëgjon Ernesi vetëm njëherë, e të mos ia kapë veshi dhe t’ mos ia luajnë duart!
Publiku kudo e  mirëpret në mënyrë madhështore, nga se nuk kanë pa këso fenomenesh . Disa , mbase mbetën edhe të habitur me talentin e tij kur e shohin në skenë kaq të vogël! Është interesante se si ky vogëlush, aq me përpikëri , maturi dhe mjeshtri di se si dhe kur të dilet në skenë, si qëndron para publikut dhe si kthehet nga publiku, pa u habitur asnjëherë!
Ndaj njerëzve është i butë, i dashur, i afërt dhe i patrembur . Me Arditin janë shumë shokë të mirë, të pandashëm , të dashur dhe shumë herë ushtrojnë së bashku . Edhe kur dalin me prindër në kafene , ata që të dy pinë lëngje së bashku nga e njëjta shishe, nga se nuk duan që të pinë ndaras !
Gjeniu i dytë, quhet:
Ardit (Behlul) Rexhepi

Është i lindur më datën 20 Shtator 2004, në Gjilan . Pra, ka vetëm 4 vjet e 6 muaj jetë. Rrjedh  nga një familje e cila tradicionalisht është marrë me kultivimin e muzikës popullore autoktone. Familja e Arditit, ka prejardhjen nga fshati Burincë i Malësisë së Karadakut, komuna e Gjilanit.
Gjyshi i Arditit – Rizahu, ka kënduar bukur dhe ka luajtur me fyell e kavall . Babai i Arditit – Behluli, qysh në moshën 14- vjeçare ka marrë pjesë në aktivitetet e lira muzikore në Shkollën fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan, ku luante mrekullueshëm me fyell. Pastaj , ka luajtur me çifteli, kurse aktualisht luan me surle dhe është mjaftë aktiv në jetën muzikore amatore dhe gazmendet e ndryshme familjare.
Ka marrë pjesë në shumë aktivitete kulturore, si në Shkollën fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan, pastaj në SHKA “Rreze dielli” të fshatit Remnik, komuna e Vitisë, kurse 6 vitet e fundit është anëtar aktiv në Ansamblin “Gurra” të Gjilanit, si dhe në SHKA “Kemajl Azizi” në Viti.
Arditi , që në moshën 3- vjeçare tregonte interesim të madh për muzikën, sidomos në luajtjen me tupan. Kur babai i tij – Behluli, nuk ia lejonte tupanin që të luante në te, Arditi i vogël , nga mllefi ia merrte kovat e turshive dhe duke ushtruar me to si në tupan, ia shponte të gjitha, derisa babai ia lejoi tupanin !
Babai i Arditit, është mjeshtër i vërtetë i  lojës me surle, por asnjëherë nuk ka luajtur me tupan. Por, biri i tij, Arditi i vogël e dëgjonte me vëmendje, sa herë që luante me surle dhe e shoqëronte me ritmet e tupanit. Për një kohë të shkurtër i mësoi të gjitha ritmet e valleve tradicionale popullore, të cilat i luante me surle babai dhe ky e shoqëronte vazhdimisht me tupan.
Arditi i vogël, për herë të parë ka dalë në skenën publike si instrumentist me tupan, më datën 25 Mars 2009, në Festivalin “Flakadani i Karadakut” në Viti, kurse më 28 Mars të po këtij viti, mori pjesë në Koncertin e muzikës popullore, të cilin e organizoi Ansambli “Gurra” në sallën e Teatrit të qytetit në Gjilan.
Arditi, ushtron me tupan, së pakut nga 4 orë në ditë, pa ia imponuar askush. Ai, i ushtron ritmet e këngëve dhe valleve popullore, kryesisht duke i dëgjuar programet e radios, ose incizimet e ndryshme.
Por, ushtrimet më të suksesshme dhe më të dashura për te, janë atëherë kur i thotë nënës së tij:”Nënë, ti këndo e unë do të përcjell me ritmet e tupanit!”
Është fëmijë shumë i urtë, i dashur, i sjellshëm dhe shumë komunikativ me njerëzit, anëtarët e ansamblit dhe publikun kudo që është i pranishëm.
Në skenat publike, del pa kurrfarë treme dhe asnjëherë nuk e humb ritmin, as qëndrimin para publikut.
Është interesante të ceket veçantia talentore si e Ernesit, ashtu edhe e Arditit, nga se ata që të dy, i perceptojnë me përpikëri të gjitha ritmet tradicionale të këngëve dhe valleve popullore, si ato të thjeshta, ashtu edhe ritmet e kombinuara të “Valleve të rënda të burrave” të cilat janë karakteristike në Anamoravë, Karadak dhe Luginë të Preshevës, e që këto ritme nuk e kanë të lehtë t’i kapin shumë nga instrumentistët e moshuar më me përvojë!
Le të shpresojmë se me këta dy gjeni të vegjël të muzikës tradicionale popullore, në një të ardhme të afërt, do të mburret jo vetëm Gjilani e Kosova, por mbarë populli shqiptarë kudo që jetojnë e punojnë! Por, edhe historia e muzikës tradicionale shqiptare, një ditë do të pasurohet me veprat artistike të cilat do të dalin nga duart dhe veshi i këtyre dy gjenive të rrallë të muzikës sonë!

Gjilan, Prill 2009.                            Demir KRASNIQI

TI RIKTHEHEMI TRADITËS

5 Prill 2009 0

Pa kategori @ 7:33 am

Për nderë të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën Veri-Atlantike, në Dobërçan të Gjilanit, u mbajt një Mbrëmje Artistike Muzikore nën moton:

            “T’ I  RIKTHEHEMI TRADITËS!”

Dobërçan – Gjilan, më 04 Prill 2009.

      Nën organizim të Restorantit “Ahishta” dhe pronarit të tij, z. Avni Tahiri, të shtunën, më datën 04 Prill 2009, duke filluar nga ora 21.00, u mbajt një Mbrëmje Artistike Muzikore me këngëtarët popullor të Anamoravës, nën moton :

      “T’ i  rikthehemi traditës!”

      Ky manifestim kulturor, i pari i këtij lloji në traditën e hotelerisë kosovare , u organizua për nderë të 60 – vjetorit të themelimit të Aleancës Veri – Atlantike të NATO-së dhe për nderë të 4 Prillit, kur Shqipëria edhe zyrtarisht u pranua si anëtare e plotë e kësaj Aleance .

      Qëllimi kryesor i këtij Manifestimi kaq masiv kulturor , ishte që t’ i flakim stilet, antivlerat, ndikimet dhe rrymat e huaja në muzikën tonë popullore, në veçanti që t’i shpallet luftë stilit të muzikës rome “Tallava”, stil ky, që kohëve të fundit e ka pllakosur këngën dhe muzikën tonë tradicionale kombëtare dhe t’ i rikthehemi traditës sonë të këngës popullore shqiptare .

      Në këtë spektakël të madh të këngës dhe muzikës popullore, u interpretuan këngë e valle nga të gjitha trojet dhe krahinat shqiptare , që nga jugu e deri në veri, duke filluar nga këngët tradicionale polifonike, këngët qytetare nga Shqipëria e Mesme, Tirana, Shkodra, Gjakova e deri tek këngët rapsodike malësorçe të shoqëruara me çifteli e sharki.

Nuk u harruan as vallet tradicionale me motive nga Malësia e Karadakut dhe Lugina e Preshevës, të shoqëruara me tupan e surle , nga Rexhep Jashari, Jashar Ahmeti dhe Nazim Elezi.

      Në kuadër të kësaj Mbrëmje Artistike Muzikore, u përkujtuan dhe u nderuan këngëtarët e ndjerë të këtij regjioni: Qazim Shabani, Fehmi Qaili dhe Agim Baftijari, të cilët në moshën më të mirë të jetës së tyre, u ndanë kobshëm nga bota e të gjallëve .

      Programin e kësaj Mbrëmje Artistike Muzikore, e hapi dhe e drejtoi veterani i këngës Demir Krasniqi, i cili prezantoi të gjithë këngëtarët pjesëmarrës , të cilët i kënduan këngët më të bukura  nga shpirti dhe repertori i tyre, duke filluar nga veterani i këngës së Anamoravës – Prof. Reshat Ramadani, Prof. Hysen Terziu, Dr. Rabit Sadiku, Sirie Gagica – Sadiku, Avdi Latifi, Faruk Brestovci, Qemajl Musliu, Skënder Maliqi – Kosaqa, Nazim Gagica, Arben Krasniqi, Remzi Leka, Fatmir Morina, Sheqere Pajaziti, Samir Aliu, Afrim Haziri, Sami Cana, Qazim Hajdari, Shefqet Sadiku, Ali Aliu, Adnan Leka, Nehat Ferati, Medina Inajeti, Lumturie Milazimi, Alma  Bega, Rexhep Jashari, Shkëlqim Kosova etj.

      Të gjithë këngëtarët e kësaj mbrëmje i përcolli orkestrina popullore “Lyra” nga Gjilani, në përbërje të instrumentistëve: Arif Isufi, Bekim Rexhepi dhe Bekim Jetishi.

      Në emër të Shoqatës së këngëtarëve popullor të Anamoravës, këngëtari Skënder Maliqi e nderoi me një “Mirënjohje speciale” pronarin e këtij restoranti dhe organizatorin e këtij spektakli, z. Avni Tahiri, kurse profesori, shkrimtari dhe veterani i këngës Hysen Terziu, i dhuroi një komplet librash nga autorësia e tij .

      Për të gjithë këngëtarët dhe artistët pjesëmarrës të këtij spektakli muzikor, pronari i restorantit, shtroi darkë dhe pije të pakufizuara. Të gjithë këngëtarët dhe artistët që morën pjesë në këtë Mbrëmje të madhe artistike, ishin vullnetmirë dhe kënduan pa asnjë kompensim material, ashtu si që edhe për mysafirët – hyrja ishte gratis .

      Le të shpresojmë, se shembullin e Restorantit “Ahishta” , do ta ndjekin edhe hoteleritë tjera kosovare, duke i lënë hapësirë të merituar të gjithë artistëve të këngës dhe muzikës tradicionale, por edhe të gjithë artistëve dhe krijuesve të lëmenjve tjerë të artit dhe të kulturës sonë tradicionale kombëtare!

      Le të shpresojmë, se kënga dhe muzika jonë tradicionale do të rikthehet aty ku e ka vendin dhe të jetojë e lirë, pa u ndotur nga rrymat dhe mbeturinat e importuara nga tregjet e jashtme !

Gjilan, më 04. 04. 2009.      Demir KRASNIQI

REAGIM RRETH DISA BOTIMEVE TE NE

2 Prill 2009 0

Pa kategori @ 6:36 am

Reagim:
EDHE KUR SHKRUAN LIBRA PËR VETI – DUHET TË THUHET REALITETI

    • Përkitazi me librin monografik “GJILANI – RETROSPEKTIVË KULTURORE” 60 vjet të themelimit të SHKA “DRITA”, 40 vjet të themelimit të SHKA “Zenel Hajdini”, të autorit Reshat Ramadani , botuar në Gjilan, më 2007.-

      Edhe pse e çmoj dhe respektoi sinqerisht punën , angazhimet dhe kontributin e dhënë në lëmin e kulturës , amatorizmit dhe publikimit të përpjekjeve për ta mbajtur gjallë jetën kulturore në Gjilan, nga ana e profesorit të nderuar Reshat Ramadani, i cili sado pak është munduar që ta pasqyroj jetën kulturore dhe zhvillimin e amatorizmit në Gjilan, në një periudhë kohore prej 60 viteve të fundit, përmes publikimit personal të librit të tij monografik, të titulluar :”Gjilani – retrospektivë kulturore” 60 vjet të themelimit të SHKA”Drita”, 40 vjet të themelimit të SHKA “Zenel Hajdini”, të botuar në regji private në Gjilan, më 2007, nuk munda të rri indiferent ndaj disa lëshimeve profesionale të pafalshme dhe disa falsifikimeve të realitetit historik kulturor, të cilat ky autor nuk mund të arsyetohet se i ka bërë pa qëllim, apo nga harresa e pleqërisë !

      Autori i këtij libri monografik, z. Reshat Ramadani, i bekuar dhe i përkrahur nga recensentët e këtij libri: Prof. Ibrahim Shabani dhe Prof. Xhevat Ismaili, që në faqen e brendshme të titullit pompoz të librit, nuk harron që t’ ua lë amanetin dhe porosinë lexuesve të librit të tij dhe gjeneratave të reja kështu:

      “Mos t’ i harrojmë ata që punuan për afirmimin kombëtar shqiptar!”

      Kjo porosi e autorit Ramadani, do të ishte shumë e qëlluar, sikur të mos ndodhte që pikërisht, ai vetë bëhet si shembull konkret, që i “harron “ ata që punuan dhe kontribuan më së shumti në afirmimin e artit dhe kulturës kombëtare shqiptare!?

      Pa dashur të hy në detale rreth analizave të këtij libri, unë, si njëri ndër krijuesit më të mëdhenj muzikor nga ky regjion, e që në këtë libër jam përbuzur dhe nëpërkëmbur fatalisht, nga ana e këtij autori, do të ndalëm vetëm në tri elemente kyçe të lëshimeve , të cilat nuk i bëjnë nderë as respekt këtij libër-shkruesi , dhe këtë e bëjë jo me qëllim që ta ngrit vetën, por vetëm për hir të realitetit dhe të vërtetës, që lexuesve dhe miqve të librit e të këngës, të mos u qitet hi syve në pikë të ditës !

      1.Po qe se lexohet me vëmendje dhe analizohet drejt materiali i prezantuar në këtë libër, atëherë çdo njeri me mendje të shëndoshë, me kokë të ftohtë dhe logjikë të shëndosh, nuk e ka të vështirë që ta kuptojë, se ky libër monografik , i cili i dedikohet aktiviteteve kulturore të dy SHKA-ve më masive të Gjilanit (dikur), fund e krye i atribuohet meritave vetjake të autorit, e shumë më pak të anëtarëve tjerë, që shumica prej tyre ma nuk janë në botën e të gjallëve!

Pra, mendojmë se më mirë do të ishte që ky libër monografik , t’ i kushtohej vetë autorit dhe të titullohej “Monografi retrospektive kulturore e Reshat Ramadanit” se sa i atyre dy shoqërive, për të cilat flet titulli i librit !

      2.Në faqen 128, të këtij libri monografik, autori Ramadani, shkarazi e përmend një aktivitet shumë të rëndësishëm kulturor , që ishte i pari i këtij lloji në Gjilan dhe Kosovë, pra fjala është për organizimin e Manifestimit Përkujtimor, kushtuar 1- vjetorit të vdekjes së këngëtarit Qamili Vogël, i cili nën rrethana të hekurta policore, u mbajt më datën 04 Nëntor 1992, në sallën e Teatrit të Qytetit në Gjilan.

      Autori, tërë lavdin e organizimit të këtij Manifestimi, ua lë organeve udhëheqëse të Shtëpisë së Kulturës (Drejtor i së cilës ishte ai vet) dhe disa entuziastëve e veteranëve të muzikës, për të vazhduar më tutje me lavdin se gjoja këtë Manifestim Përkujtimor, e paska organizua SHKA “Zenel Hajdini” e Gjilanit?!

      Kjo thënie e autorit, nuk qëndron dhe është dezinformatë e kulluar!

      E vërteta është se atë kohë, z. Reshat Ramadani ishte Drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Gjilan. Me kërkesën dhe insistimin e Demir Krasniqit, pas shumë lutjeve, Drejtori e ka lejuar sallën dhe mbajtjen e këtij manifestimi, të cilit më vonë iu ka bashkëngjitur edhe vetë, si solist popullor me një këngë nga repertori i Qamilit të Vogël!

      Këtë program përkujtimor, fund e krye e ka përgatitur, përzgjedhur dhe drejtuar vet iniciatori i këtij Manifestimi – Demir Krasniqi dhe të gjitha pikat muzikore të këtij programi i ka shoqëruar me përcjellje muzikore Ansambli Muzikor “Krasniqja” i Demir Krasniqit, e jo SHKA “Zenel Hajdini”, siç e përshkruan autori !

      Falë Zotit, të gjithë pjesëmarrësit e atij Manifestimi edhe sot janë të gjallë dhe mund të dëshmojnë për të vërtetën, madje edhe vetë familjarët e Qamilit të Vogël, që ishin prezent në atë program.

      Edhe për historikun, jetën dhe krijimtarinë muzikore të Qamilit të Vogël, në atë Manifestim Përkujtimor, ka folur autori i Monografisë së Qamilit të Vogël :”Qamili Vogël – zë që nuk shuhet” dhe autori i veprave të Qamilit të Vogël: “Këngë përjetësie”, reaguesi i këtij shkrimi – Demir Krasniqi, si dhe me një fjalë rasti është prezantuar edhe redaktori i ndjerë i veprave të Qamilit të Vogël, prof, Dr. Shefqet Pllana.

      3. Derisa mbarë bota shqiptare, Gjakova dhe familjarët e Qamilit të Vogël, e dinë se kush i mblodhi, kush i deshifroi dhe kush i botoi 98 këngët e krijuara nga Qamili i Vogël, me titull:”Këngë përjetësie”, libër ky që u botua me rastin e 15 – vjetorit të vdekjes , dhe u promovua në Gjakovë, nga autori, deshifruesi dhe redaktori:Demir Krasniqi – zotëriu Reshat Ramadani, nuk po e dika këtë fakt historik, të cilin mundohet që ta zhbijë nga historia përmes librit të tij?!

      Veprimet, nëpërkëmbjet dhe dezinformimet e tilla, nuk janë asgjë më tepër se sa një shpirtngushtësi dhe xhelozi e pa parë nga ana e autorit të këtij libri.

      Për xhelozinë dhe shpirtngushtësinë e këtij autori, ndaj meje Demir Krasniqit dhe veprimtarisë sime muzikore, përmes këtij libri pasqyrohen edhe një varg faktesh tjera, që e vërtetojnë këtë konstatim:

      Derisa në librin e autorit Reshat Ramadani, kanë zënë vend disa fotografi të këngëtarëve  popullor  nga Shqipëria e Mesme, Tirana, Shkodra, Gjakova… e që nuk kanë asgjë të përbashkët me SHKA “Drita” dhe “Zenel Hajdini” nga Gjilani, autori i këtij libri, nuk e pa të udhës që ta botojë së paku një fotografi timen?!

      Se ka vuajtur nga xhelozia dhe inati profesional ndaj meje, autori Reshat Ramadani, madje nuk e ka pa të udhës që të më fton as në ceremoninë e promovimit të këtij libri, nga se që më parë e ka ditur se çfarë ka bërë aty me qëllime të caktuara!

      Derisa të gjithë të tjerëve, ua ka dhënë dhe shpërnda këtë libër, autori Ramadani nuk e ka pa të udhës as që të ma jap këtë libër, qoftë si dhuratë, apo me para! Vetëm pas kërkesave të mia të pareshtura, tek pas dy viteve të botimit të këtij libri, autori mezi bënë ballë që të ma dërgoj përmes një personi tjetër dhe atë gratis, për çka unë sërish do ta falënderoj, duke i uruar shëndet dhe punë të mbarë, por me porosinë time:

      -Që të mos i injoroi, harroi, xhelozoi dhe nëpërkëmbi artistët dhe krijuesit tjerë të artit dhe të kulturës tradicionale muzikore !

Gjilan, më 02. Prill 2009.      Demir KRASNIQI