KK I GJILANIT ZGJODHI PERSONALITETIN E VITIT

30 Dhjetor 2008 0

Pa kategori @ 5:35 pm

DEMIR KRASNIQI U ZGJODH PERSONALITET I VITIT

Me moton “MË TË MIRËT 2008″ më 18 dhjetor 2008 Kuvendi Komunal i  Gjilanit,përkatësisht Drejtoria për Kulturë,Rini dhe Sporte,organizoi Manifestimin Vjetor Tradicional të fundvitit.Organizatorët dhe juria profesionale e këtij manifestimi në mesin e më të mirëve zgjodhën Demir Krasniqin,muzikolog,këngëtar dhe krijues i cili u  nderua me një mirënjoheje speciale si”Këngëtari më i mirë 2008″në KK Gjilan.Demir Krasniqi këtë vit ka shënuar Jubileun e 40 vjetorit të krijimtarisë së tij si këngëtar dhe krijues,si dhe ka përfaqësuar Kosovën në Kongresin e ABC në Manastir me këngën”KURRË NUK SHUHET MANASTIRI”,ku është treguar shumë i suksesshëm dhe iu është nda “Mirënjoheje”.Po u njoftojmë me pak fjalë me këngëtarin dhe krijuesin tonë Demir Krasniqi:

DEMIR KRASNIQI

U lind më datën 10 Shkurt 1950, në fshatin Tugjec të Malësisë së Gollakut, komuna e Kamenicës.
Gjatë jetës së tij, ka ushtruar këto profesione:
Pedagog muzikor,
Këngëtar dhe rapsod popullor,
Kompozitor i këngës dhe valles në frymën e melosit popullor burimor,
Krijues poetik i vargjeve të këngës popullore dhe rapsodike,
Mbledhës i folklorit burimor muzikor shqiptar,
Publicist i shumë studimeve etnomuzikologjike,
Radio – gazetar dhe
Gazetar hulumtues.

Veprat e publikuara deri më tani janë:

“Mallëngjime e oshtima” – Prishtinë, 1993.
“Qamili i Vogël – zë që nuk shuhet” ,( monografi) – Prishtinë, 1995,
“Gjakon Kosova” – Gjilan, 1998,
“Bejtë Pireva” – Gjilan, 2002,
“Zeqir Maroca” – Gjilan, 2002,
“Këngë krismash lirie”I – Gjilan, 2003,
Këngë krismash lirie” II – Prishtinë, 2003,
“Familja Kurti nga Tugjeci” (monografi) – Prishtinë, 2004,
“Shtojzovallet e Gollakut”, ETMMK – Prishtinë, 2005,
“Kushtrim lirie” – Gjilan, 2005,
“Liman Shahiqi – trimi i Gollakut” – Prishtinë, 2005,
“Kroi i këngës” – Gjilan, 2006,
“Qamili i Vogël – Këngë përjetësie” – Gjakovë, 2006,
“Krenaria e Gollakut” – Gjilan, 2008 dhe
“Diell lirie” – Gjilan, 2008.
Jeton, punon dhe krijon në Gjilan.
Motoja e punës dhe krijimtarisë së tij është:

“ Për emrin e Zotit,
Për nderin e kombit,
Për gjakun e dëshmorëve,
Për eshtrat e varreve”!
ff5fbe23-dfb6-4b8a-b707-1eea413f06f34.jpg

PËRKUSHTIME MËRGIMTARËSH

28 Dhjetor 2008 0

Pa kategori @ 11:56 am

Demir KRASNIQI:

ZOGU I SHKODRËS

Ku të treti djalëria,

Trim, o trim, o vëlla i motrës?

Nga të treti bukuria,

Zog, o zog, o zogu i Shkodrës?!

Nga të iku kënga e gëzimit,

Trim, o trim, o vëlla i motrës ?

Nëpër rrugë të Perëndimit,

Zog, o zog, o zogu i Shkodrës !

Nga të iku buzëqeshja,

Trim, o trim, o vëlla i motrës?

Në kurbet, ku të mbytë heshtja ,

Zog, o zog, o zogu i Shkodrës !

T’ priti nëna një dekadë,

Zog, o zog, o zogu i Shkodrës .

Ju tha goja pa evlat ,

Lot, o lot, o loti i lokes .

Me zjarr malli t’ pret babai ,

Trim, o trim, o vëlla i motrës,

N’ përqafim të pret vëllai ,

Zog, o zog, o zogu i Shkodrës.

Ku m’ ke tretë e ku m’ ke humbur,

Trim, o trim, o vëlla i motrës ?

Pa ty, motra s’ është e lumtur ,

Zog, o zog, o zogu i Shkodrës !

Të pret çerdhja plot me këngë,

Trim, o trim, o vëlla i motrës .

Toka ku ke shkelë me këmbë ,

Zog, o zog, o zogu i Shkodrës.

Atje ku ka pasuri ,

Trim, o trim, o vëlla i motrës,

Një sekondë s’ ka lumturi ,

Zog, o zog, o zogu i Shkodrës.

N’ vend të huaj si  mërgimtar ,

Trim, o trim, o vëlla i motrës ,

Qeshja e jote është e qarë ,

Zog, o zog, o zogu i Shkodrës.

Të thërret Shkodra e Rozafati ,

Trim, o trim, o vëlla i motrës,

Kthehu n’ vendlindje të pret fati ,

Zog, o zog, o zogu i Shkodrës !

Gjilan, më 27 Dhjetor 2008.

FANAR DRITËSIE

26 Dhjetor 2008 0

Pa kategori @ 3:13 pm

      FANAR DRITËSIE

                                  o Kadri Osmanit –

 

                  Djem petritë ka rritë Makreshi –

                  Për armiq s’ ua ndien veshi!

                  S’ iu bën vër rrembi i qerpikut -

                  Nga fallangat e armikut !

                  Në familjet atdhetare,

                  Arsimdashëse , guximtare -

                  Linden djem vizionarë

                  Me guxim revolucionarë.

                  Për t’ i bërë thirrje lirisë –

                  Ngritën grusht kundër robërisë !

                  Kundër forcave serboçetnike -

                  Për Kosovë demokratike !

                  Mendjeartë, zemërluani -

                  Prijatar Kadri Osmani .

                  Me fanarë të dritësisë -

                  Priu në rrugën e lirisë .

                  Për të shtrenjtat ideale -

                  Fuqi t’ madhe i dhanë këto male !

                  Kishte forcë intelektuale ,

                  N’ rrjedha t’ luftës ilegale .

                  Në lëvizjen atdhetare -

                  Për  bashkim tokash shqiptare,

                  Për Kosovën heroike ,

                  Për Shqipëri t’ pastër etnike !

                  Me gjithë qenien e tij njerëzore -

                  Në shërbimet popullore !

                  I paepur me forcë t’ Anteut -

                  N’ shërbim t’ popullit dhe t’ Atdheut !

                  Dashurinë ndaj këtij atdheu -

                  S’ pat armik që mund  t’ ia theu ,

                  As me poste dhe pallate ,

                  As me burgje e kazamate !
             
             
             

                  Shumë procese ia montuan -

                  Njëzetë e pesë vjet e dënuan !

                  Nuk pat burg që nuk e çuan ,

                  S’ pat torturë që s’ ia ushtruan !

                  Ai qëndroi dhe iu bëri ballë ,

                  Është i fortë dhe është i gjallë .

                  Nuk dorëzohet zemra stoike -

                  Pa u jetësua Shqipëria etnike !
             

                  (Gjilan, më 24 Dhjetor 2008 )  Demir KRASNIQIu1_kadrimani.jpgu1_kadrimani.jpg

GOJËKËQIJTË PËRGOJOJNË PERLAT E KËNGËS TONË POPULLORE

22 Dhjetor 2008 1

Pa kategori @ 11:05 am

GOJËKËQIJTË PËRGOJOJNË PERLAT E KËNGËVE TONA POPULLORE

Se përgojimet e disa qarqeve dhe mentaliteteve tona, janë bërë ushqim i shpirtit të përditshmërisë së disa gojëkëqijve , kjo nuk është risi tek ne !

Si duket gojëkëqijtë janë të lindur dhe të prirë për ta përgojuar çdo gjë dhe çdo vlerë kapitale që ka të bëjë me historinë, traditën dhe kulturën tonë kombëtare!

Të lindurit me prirje të tilla, nuk turpërohen fare as prej kombit e as prej Zotit, që të përgojojnë, të përqeshin e të njollosin madje edhe luftërat tona heroike e çlirimtare, duke mos i harruar pa i përgojuar edhe fytyrat më të lavdishme të historisë sonë kombëtare, që nga Skënderbeu, Nënë Tereza e deri tek Adem Jashari?!

Lidhur me këtë dukuri të shëmtuar , që frymon me shekuj nëpër trojet tona, pa u penguar , as ndëshkuar nga askush, një proverb popullor thotë:

“I përqeshuri - të përqeshë, ose , i përgojuari - të përgojon!”

Mirëpo, realiteti i përditshmërisë sonë publike e demanton këtë proverb, nga se në praktikë, na del e kundërta ! Gojëkëqijtë dhe përgojuesit e vlerave tona kombëtare, sikur stimulohen moralisht nga opinioni publik, duke i përkrahur ata, duke iu duartrokitur, duke u qeshur me marrëzirat e tyre që i bëjnë në dëm të kombit dhe duke ua miratuar tezat e tyre antimorale, antikombëtare dhe antinjerëzore!

Njerëzit e kategorive dhe mentaliteteve të këtilla, si duket nuk mund të bëjnë gjumë të rehatshëm, duke ëndërruar se kënd do ta përgojojnë, shpifin e njollosin ditën e nesërme, nga se vetëm me “specialitete” të tilla, të gatuara nëpër kuzhinat antishqiptare, do të arrijnë që të jenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik!

“Talentët “ e këtyre kategorive, madje kanë arritur që të depërtojnë edhe në mediumet tona publike – elektronike, ku përmes shou- programeve të ndryshme, para kamerave dhe ekraneve televizive, iu servojnë “ushqime humoristike”, gjeneratave të reja, që janë konsumuesit më besnik të këtyre “specialiteteve”!

Kjo dukuri e shëmtuar e përgojimeve, shpifjeve dhe përqeshjeve të vlerave tona shpirtërore e kombëtare, nuk ka se si të shpjegohet ndryshe, pos skenar për t’ ua gërditur gjeneratave të reja, çdo gjë që është vlerë dhe  kulturë kombëtare!

Me që , kjo temë është shumë e gjerë për t’ u shtruar në detaje, kësaj radhe dua të ndalëm vetëm tek përqeshjet dhe përgojimet që po i bëhen folklorit tonë muzikor, duke i goditur vlerat dhe perlat më të çmuara të kulturës sonë tradicionale kombëtare, të cilat janë ruajtur me xhelozi dhe me mundin më të madh gjatë shumë shekujve të historisë sonë.

Nuk janë të rralla përgojimet, përqeshjet dhe nënçmimet publike që iu bëhen pamëshirshëm dhe me pa të drejtë kostumografive tona kombëtare, duke filluar që nga bartja e plisit të bardhë e deri tek opingat e lëkurës së lopëve!

Nuk janë të rralla përgojimet, talljet , përqeshjet dhe nënçmimet që iu bëhen veglave tona tradicionale muzikore, për të cilat përdoren lloj-lloj zhargonesh të turpshme, për ta devalvuar imazhin dhe vlerat artistike që kanë në veti këto instrumente!

Po i marrim vetëm disa shembuj më eklatant të zhargoneve me të cilat mëtohet që t’iu ulet imazhi këtyre instrumenteve krenare dhe fisnike:

* Për çiftelinë thuhet se është instrument “primitiv”, të cilës është “haram” për t’ i rënë e kënduar me te, nga se :”Çiftelisë i bien vetëm dreqërit pas darke dhe atë, ose tek rrota e mullirit, ose mbi tuba të plehut!” Bile, predikuesit e këtillë, nuk ia përmendin as emrin çifteli, por me ironi dhe përbuzje e quajnë “Cimilim”!? Madje, për çiftelinë, nuk janë të paktë ata, që thonë se e ka prejardhjen prej Turqisë?!
* Edhe për sharkinë, thonë se na e kanë sjellë turqit këtu?!
* Për fyellin , thonë se nuk bënë me i rënë, nga se “fyellit i bien vetëm shkijet”!?
* Për lahutën, thonë se “është instrument i malazezëve”!?
* Për llautën , thonë se “është instrument i grekëve dhe turqve”!?
* Për tupanin, defin, darabukun dhe surlen , thonë :”Nuk bënë me iu rënë se ato janë instrumente të magjupëve”!?
* Për gajden , thonë se “është instrument i maqedonëve”!?
* Vetëm për kavallin predikojnë se “është sevap me i rënë, nga se ai e ka prejardhjen prej vendeve arabo – myslimane”!?
* Për këngët tona tradicionale rapsodike, përgojuesit dhe gojëkëqijtë thonë:

”Ato këngë janë të kallamojta, të kohës së Ali Bungut dhe se ju ka dalë fala, sikur pushkëve të Italjes”!?

Përgojimi dhe përqeshja e perlave të këngëve tona popullore

Gojëkëqijtë dhe përgojuesit kujdestarë të përqeshjes së vlerave tona kulturore kombëtare, nuk ngopën vetëm me përgojimin dhe nënçmimin e veglave tona muzikore dhe të kostumografisë kombëtare, por ata tani shkojnë edhe më larg, duke i futur hundët nëpër perlat më të ndritshme të këngëve tradicionale popullore shqiptare!

Para se të kaloj tek shembulli konkret, për të cilin e kam fjalën, dua që të ju tregoj lexuesve të respektuar, se gjatë karrierës sime , si rapsod popullor , kam pas fatin dhe nderin që shumë herë të jam pjesëmarrës i disa festivaleve me karakter ndërkombëtar.

Në ato festivale, studiuesit e folklorit dhe adhuruesit e këngëve shqipe, të parën pyetje që ma kanë bërë, ishte ajo:

“A dini të na këndoni këngët:”Çou Rexho, çou djalo” dhe “Ani krisi pushka në stom të Drinit?!”

Unë, si rapsod shqiptar, krenohesha dhe më bëhej zemra mal, nga gëzimi se bota po i ditka disa këngë nga perlat e muzikës sonë popullore dhe ua këndoja pa kurrfarë përtese!

Nga këto kërkesa të studiuesve të huaj të folklorit, kuptova se folklori muzikor tradicional shqiptar, po u identifikuaka me këto dy këngë të vjetra popullore dhe shumë të tjera si ato!

“Çou  Rexho, çou djalo”!

Njëra ndër elegjitë më të dhimbshme në thesarin e këngëve tona popullore dhe perlat e muzikës sonë tradicionale, pa dyshim, është edhe “Kënga e Rexhës”, që në popull më tepër njihet me titullin:”Çou Rexho, çou djalo”!

Këtë këngë, brez pas brezi, gjeneratë pas gjenerate e kanë këndua me dhembje , përjetim e dashuri të gjithë ata që kanë ditur të këndojnë: gra, burra, pleq, plaka, nuse, vajza, djem e fëmijë në të gjitha trojet etnike shqiptare.

Nuk ishin të rrallë këngëtarët që e këndonin këtë këngë, duke e shoqëruar fillim e mbarim me lot për fytyre, por nuk kishte as dëgjues që i thotë vetit shqiptar e nuk e përcillte këtë këngë me mall e me lot të dhembjes shpirtërore!

Kjo këngë, që ka një melodi shumë të prekshme dhe tekst shumë poetik, në mënyrën më besnike e përshkruan një tragjedi të rëndë familjare – tragjedi kjo që nuk ishte e zakonshme ndër familjet shqiptare!

Kjo këngë i kushtohet një nëne të varfër shqiptare, të cilës  që herët i ndahet burri nga jeta dhe ia lenë jetim të vetmin djalë që kishte – Rexhën dhe motrat e tij!

Nëna trimëreshë, malësore, ndonëse në vuajtje e varfëri të skajshme, e rritë krenare djalin e vet – Rexhën dhe vajzat e saj! Ajo e pret sikur rrezet e diellit, rritjen e djalit të saj, për ta martuar dhe për t’ iu bërë krah i fortë i shtëpisë së vetmuar!

Pas shumë vuajtjeve, mundimeve dhe viteve të pritjes, Rexha rritet dhe bëhet për martesë. Nëna e gëzuar, e fejon djalin dhe pas pak kohësh, ia cakton edhe ditën e Dasmës së Martesës.

Për Dasmën e Martesës së Rexhës, nëna e tij, thërret shumë miq, shokë e dashamirë nga të katër anët.

Në kohën kur ka ndodhë kjo dasmë dhe ngjarje, nuk kishte rrugë, as mjete komunikacioni për udhëtim. Andaj, krushqit, miqtë, shokët dhe dashamirët që ftoheshin në dasma, kryesisht shkonin me kuaj.

Tradita dhe bujaria shqiptare, nuk matej vetëm me sofrat dhe begatitë ushqimore ndaj dasmorëve, por edhe kujdesi për ushqimin dhe mbikëqyrjen e kuajve të dasmorëve.

Nuk ishte zakon, që kuajt t’i mbikëqyrin dhe ushqejnë vet dasmorët, por atë shërbim e bënin njerëzit e shtëpisë – mikpritësit.

Në këtë rast, Rexha – i vetmi djalë i nënës, nuk kishte as vëllezër, as babë për t’ u kujdesur për ushqimin e kuajve të dasmorëve. Nuk ishte e zakonshme që kuajt e mysafirëve – dasmorëve t’ i këqyrnin gratë, e aq më tepër në këtë rast, nëna e Rexhës, e cila kujdesej për gratë dasmore dhe përgatitjen e ushqimeve për dasmorët e të birit që po e martonte.

Sipas traditave dhe zakoneve shqiptare, ditën kur krushqit shkojnë për rrugë për ta sjellë nusen në shtëpinë e djalit që do të martohet, nuk ishte e lejuar që dhëndri (djali që martohet) të shkojë bashkë me krushqit për ta marrë nusen!

Krushqit nisen për rrugë dhe shkojnë për ta marrë nusen e Rexhës, kurse Rexha mbetet në shtëpi, për ta ruajtur shtëpinë dhe për t’ u kujdesur për kuajt e mysafirëve, të cilët nuk i kishin marrë për rrugë!

Në momentin, kur Rexha shkon në ahur të kuajve , për t’iu dhënë ujë dhe ushqim, papritmas njëri nga kuajt e mysafirëve , qet me shqelma , me ç’ rast e godet Rexhën fatalisht dhe e le të vdekur në vend!

Nëna e mjerë, sa po e heton tragjedinë , vrapon që ta nxjerr Rexhën e vdekur nga ahuri i kuajve !Në ato momente, dasmorët duken duke ardhur maleve së bashku me nusen e Rexhës, duke kënduar me sa zë që kishin!

Nëna e Rexhës, një malësore burrëreshë dhe trimëreshë e paepur, nuk dorëzohet para dasmorëve dhe iu del përpara për t’i pritur me bujari sipas zakonit dhe traditës.

Ajo, nuk iu tregon fare dasmorëve për tragjedinë e ndodhur në familje, por ju shtron darkë sikur të mos kishte ndodhur asgjë e keqe! Në momentin, kur dasmorët kërkojnë leje për t’u shpërndarë për në shtëpitë e tyre, Nëna e Rexhës, ju drejtohet dasmorëve me këto fjalë:

“Ju, more , krushqi, hani e pini –

Nesër , Rexhën, n’ dhe t’ ma shtini!”

Pra, krushqit e Rexhës u  shndërruan në funeral të përmotshëm dhe asnjëri nuk shkoi në shtëpi, pa e varrosur Rexhën, i cili pas veti la  nënën plakë - me duar në gji, motrat - pa të vetmin vëlla, nusen - nën duvak dhe shtëpinë - pa trashëgimtar!

Dhe tani, pas sa e sa vitesh, gojëkëqijtë dhe përgojuesit e pa cipë në sy, kanë zemër e moral, për t’ u tallur me një tragjedi të pa parë në familjet shqiptare, duke u tallur me moralin dhe dinjitetin e kësaj familje fatkeqe, në dëm të Rexhës, ku nuk ju vjen aspak keq, që ia lëkundin edhe eshtrat për së vdekuri!

Ja se si e përshkruajnë gojëkëqijtë dhe të pamoralshmit , këtë ngjarje fatale dhe kobzezë për familjen e Rexhës:

“Rexha e kishte pas  dashnore të parë një pelë! Para se të vinte nusja në shtëpi, Rexha shkon në ahur , për t’ i kërkuar falje pelës dhe për t’ ia kërkuar hallallin!

Pela, në atë rast, ishte ndie e fyer dhe e tradhtuar nga dashuria e Rexhës, nga se ai, ia kishte marrë edhe virgjërinë! Prandaj, në shenj hakmarrje, pela qiti me dy shqelmat dhe ia mori jetën Rexhës!”

Propaganda të këtilla poshtëruese dhe çnjerëzore, po iu bëhen edhe shumë këngëve tjera, që janë perlat më të bukura të krijimtarisë sonë muzikore tradicionale!

Prandaj, të gjithë njerëzit me mendje të shëndoshë dhe me moral të fortë shqiptarë, duhet të iu kundërvihen këtyre maskarenjve , që njollosin kulturën tonë, duke i gjykuar dhe distancuar prej “humoreve” të tyre, e jo të solidarizohen, të qeshën e të ju duartrokasin atyre që më së pakut ia duan të mirën këngës, kulturës dhe traditave tona të lavdishme kombëtare!

Gjilan, më 20 Dhjetor 2008.     Demir KRASNIQI

POEZI NGA DEMIR KRASNIQI

19 Dhjetor 2008 0

Pa kategori @ 10:07 am

Qofsh faqebardhë për jetë e mot,
Në sytë e Tu, kurrë mos rrjedhtë lot!
Ti, o vëlla Shaban - biri i këtij dheut,
Natë e ditë punon për çështje t’ Atdheut!

Nderon dijetarët dhe trimat e pushkës,
Nderon malet, gurrat dhe arat e bukës,
S’ i harron opingat e qepura prej lëkurës,
S’ i harron krijuesit, njerëzit e kulturës!

S’e harron Krilevën, as Gurin e Plakës,
S’ i harron mullinjët, as unat e flakës,
S’i harron as gurët që digjen te oxhaku,
As burrat e kufirit që i pat Gollaku!

S’i harron çilerët e mbushur plot bylmet,
As bukën e nënës, të pjekur në çerep!
As tepsitë e bakrit, të mbushura me flija,
Maxhetoret trime, që i pat Malësia!

Hallall gjiri i nënës, që në dritë të qiti,
Dhe uji i Krilevës, që shtatin ta rriti,
Hallall djathi i deleve, buka e kallamoqit,
Je një mjeshtër pene, që s’ të gjendet shoqi!

Gjilan, më 18.12.2008.Demir KRASNIQI

Rikthehet Ringjalleja e Gollakut

18 Dhjetor 2008 0

Pa kategori @ 1:53 pm

NË RIKTHIM TË SHPIRTIT  TË MALËSISË SË GOLLAKUT

Malësia e Gollakut – krahinë kjo që shtrihet në pjesën verilindore të Republikës së Kosovës , shënon vijën kufitare me shtetin e Serbisë fqinje . Territori gjeografik i kësaj Malësie , administrohet nga këto komuna: Prishtina, Podujeva, Novobërda, Kamenica, Bujanoci, Vraja dhe Medvegjëja .

Që nga mbirjet e para të popullit autokton shqiptarë mbi këto troje etnike , kjo Malësi ka shërbyer nëpër shekuj si beden i gjallë , në mbrojtje të kësaj popullate nga luftërat, sulmuesit dhe armiqtë e shumtë, që pareshtur iu vërsulen këtyre maleve , përmes të cilave synonin grabitjen e tokave shqiptare , plaçkitjet dhe masakrat e përgjakshme mbi këtë popullatë të pafajshme dhe të pambrojtur!

Malësorët e Gollakut, qëndruan dhe rezistuan me stoicizëm dhe heroizma të pa parë në histori , por kurrë nuk ia kthyen shpinën kësaj Malësie legjendare dhe heroike. Ata jetuan dhe mbijetuan nën kushtet më të rënda për ekzistencë, por asnjëherë nuk u zhgënjyen dhe nuk u gjunjëzuan para okupatorëve , plaçkitësve, grabitqarëve dhe kasapëve të etur për thithje të gjakut shqiptarë!

Deri pas përfundimit të Luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 1999, kjo Malësi thuajse ishte tërësisht e izoluar nga bota e qytetëruar , nga se nuk kishte as rrugë , rrymë elektrike, shkolla, spitale,  fabrika… dhe jeta këtu, sa vinte e bëhej çdo ditë e më e rëndë !

Të shtyrë nga këto rrethana , banorët e kësaj Malësie , filluan të kërkojnë rrugë të tjera për të mbijetuar dhe për t’ i shkolluar fëmijët e tyre!

Pjesa më e madhe e këtyre banorëve u detyruan që t’ i braktisin vatrat dhe trojet e tyre stërgjyshore dhe të migrojnë nëpër qendra të ndryshme urbane , madje shumë prej tyre u shpërngulën edhe në Turqi!

Djalëria e kësaj Malësie, që përbënte krahun më të fuqishëm për punë , u detyrua që t’ ia marri udhët e gjata të kurbetit të zi – rrugë këto që për shumë kënd u bënë të pakthyeshme !

Kështu që, brenda 3- 4 dekadave , kjo Malësi mbeti  e vetmuar, si një Nënë e mjerë – pa bijtë dhe bijat e saj !

Bijtë dhe bijat e lindura nga kjo Malësi trime, kudo që janë duke jetuar, qoftë brenda Kosovës, qoftë në diasporë , jetojnë me ëndrra se një ditë do t’ i kthehen kësaj Malësie dhe se me kthimin e tyre – do t’ ia rikthejnë edhe njëherë shpirtin, jetën, krenarinë dhe bujarinë që e kishte dikur Malësia e Gollakut!

Me çlirimin e Kosovës dhe me shpalljen e saj – shtet sovran, e pa varur dhe demokratike, shpresat e bijve dhe bijave të kësaj Malësie, sa vijnë e shtohen për një rikthim në vatrat, vendlindjet dhe trojet e tyre stërgjyshore , për një jetë më të mirë dhe për një ringjallje shpirtërore !

Me çlirimin, pavarësimin dhe demokratizimin e Kosovës, mund të vërehen trende pozitive në drejtim të ringjalljes dhe ripërtërimjes kudo në trevat e Malësisë së Gollakut. Kjo vlen sidomos në krijimin e infrastrukturës rrugore , në ndërtimin e disa shkollave  dhe renovimin e objekteve të vjetra shkollore.

Në odën e mësuesit Zahir Bekteshi në fshatin Gllogovicë

Të nxitur nga malli, nostalgjia dhe dëshira e papërshkrueshme e disa qytetarëve të shpërngulur që moti nga kjo Malësi, për të iniciuar rikthimin në trojet e tyre stërgjyshore, një grup entuziastë nga Prishtina , të prirë nga rapsodi Gani Demolli , me prejardhje nga fshati Gllogovicë , në bashkëpunim me disa njerëz të arsimuar që ende jetojnë në këtë fshat, më datën 16 Dhjetor 2008, kishin organizuar një mbrëmje tradicionale mu në odën e mësuesit Zahir Beketshi.

Organizatorët e kësaj mbrëmje tradicionale, kishin ftuar njerëzit e tyre që jetojnë në Prishtinë, Gjilan , Kamenicë e gjetiu.

Atë mbrëmje oborri i odës së mësuesit Zahir, oda dhe poçet elektrike të fshatit Gllogovicë, dukeshin më të gëzuara dhe më të ndritshme se kurrë më parë. Ato ishin krenare që këtë mbrëmje do të presin mysafirë nga të katër anët!

Atë mbrëmje, oborri i odës së mësuesit Zahir, ishte i vogël për t’ i nxënë veturat që po vinin nga Prishtina, Gjilani e Kamenica. Ishte një mbrëmje e errët, ku mjegullat e dendura i kishin ngulfatur të gjitha majat, brigjet dhe kodrinat e Gollakut. Larg nga malet dëgjoheshin ofshamat e maleve, të cilat përballeshin me stuhi të fuqishme erërash, të cilat paralajmëronin një dimër të vështirë!

Para derës së odës, mësuesi Zahir , së bashku me vëllezër, djem, kushërinj , ishin rreshtuar krenar dhe po i pritnin mysafirët me përqafime të ngrohta, shtrëngime duarsh dhe buzëqeshje krenarie .

Që në hyrje të odës, qëndronin dy djelmosha të rinj, të cilët ua merrnin valixhet mysafirëve dhe ua vendosnin këpucët e tyre në trapazanin e odës. Burrat (mysafirët) që ishin brenda në odë, qëndronin në këmbë duke iu dëshiruar mirëseardhje mysafirëve dhe duke i udhëzuar ata, se ku do të uleshin, gjithnjë duke i respektuar moshat dhe largësitë e mysafirëve. Zoti i shtëpisë, qëndronte në këmbë i buzëqeshur, i gëzuar, i hareshëm, duke iu uruar mirëseardhje të gjithë mysafirëve! Gëzimi i madh, nuk e linte që të ulej!

Në një kënd të odës, ndizej një stufë e vjetër tradicionale e cila kujdesej për ngrohjen e mysafirëve. Djemtë e rinj, nuk ndalen dot duke i shërbyer mysafirët ashtu si që e kërkon tradita e këtyre maleve.

Oda ishte zbukuruar si kurrë më parë me një pamje solemne, mbi të cilën ishin shtruar qilima tradicional kuqezi, jastëk, sixhade, jana, që të gjitha punim tradicional i veknave të nënave, nuseve dhe motrave tona malësore.

Kryeplaku i odës – mësuesi veteran i këtij fshati, zotëriu Hasan Bekteshi, pasi na njofton të gjithë të pranishmëve në mes veti, e merr fjalën dhe evokon me nostalgji për të kaluarën e fshatit Gllogovicë.

Ai, pos vuajtjeve dhe përjetimeve të tmerrshme në të kaluarën e këtij fshati, flet për migrimin, shpërnguljet dhe kurbetin e malësorëve të kësaj ane. Në sytë e tij, të njomur nga lotët e mallit, shprehej dëshira dhe dashuria e tij, për arsimimin e brezave të rinj të këtyre anëve, ku ndër të parët ishte që e kishte mbaruar Shkollën Normale në Prishtinë. Ai, ishte bërë udhërrëfyes i shumë djelmoshave të rinj, të cilët nga dëshira e madhe për tu bërë mësues si ai, ia kishin mësy shkollimit dhe sërish iu kishin kthyer fshatit e vendlindjes për t’ ia falur kontributin e tyre, shkollimit , arsimimit dhe emancipimit të gjeneratave të reja të këtij fshati.

Në vazhdim të rrëfimeve të tij, mësuesi Hasan, fliste me nostalgji për fshatin e tij të dashur – Gllogovicën, ku para disa dekadash kishte numëruar mbi 60 shtëpi (familje), kurse tani, ky fshat mezi i afrohet 20 shtëpive?!

Por, ai nuk e fshihte optimizmin se ndoshta do të rikthehen banorët e shpërngulur nga ky fshat, duke llogaritur në infrastrukturën rrugore , që asfalti kishte mbërri deri në fshatin Krilevë, që i lidhë me Kamenicën dhe Gjilanin, kurse vitin e ardhshëm kjo rrugë do të asfaltohet edhe deri në Hajkobillë, ku do të lidhën edhe me Prishtinën!

Po ashtu, mësuesi Hasan, fliste me krenari për faktin se në këtë fshat sivjet është ndërtuar shkolla e re , ku nxënësit e këtij fshati do të mbarojnë 9 klasë të shkollës fillore.

Historiku i odës së mësuesit Zahir Bekteshi

Ne, që patëm rastin, nderin dhe privilegjin që të jemi pjesëmarrës të kësaj mbrëmje madhështore , ishim kureshtarë që të mësonim diç më shumë rreth historikut të odës së mësuesit Zahir, ku po bënim aheng!

Për historikun e kësaj ode, mësuesi Hasan Bekteshi, na tha:

“Kjo odë, ka një traditë dhe lashtësi hiq më pak se 100 vjeçare !

Në këtë odë, ku jemi ne sonte, kanë hëngër bukë dhe kanë pushuar breza e breza, gjenerata e gjenerata, miq , jarana e shokë nga të katër anët e Gollakut, Anamoravës dhe Kosovës, luftëtarë, trima, patriotë, dijetarë, pleqnarë, kalimtarë të rastit, tregtarë!…

Po, kush nuk ka hëngër bukë në këtë odë dhe në shumë oda tjera të Malësisë së Gollakut?!

Dhe, ja, se pas 100 vjetësh , duke i falënderuar Zotit të gjithëfuqishëm, duke iu falënderuar rapsodit tanë – Gani Demollit dhe duke ju falënderuar të gjithë juve që keni ardhur sonte në këtë Malësi, na u bë e mundshme që t’ i ripërtërijmë kujtimet dhe traditat tona, kënaqësitë tona shpirtërore, me të cilat jemi rritur, edukuar dhe argëtuar, ne, baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë!

Sot, vetëm në lagjen tonë, kemi mësuesit:Zahir,Gani,Hasan,Zenel, Fadil, Blerim Bekteshi dhe shumë shkollarë të tjerë që janë të rinj, entuziast  dhe shpresoj se këto gjenerata do të hedhin dritë e dituri më shumë, jo vetëm në këtë fshat, por në gjithë Malësinë e Gollakut!”

Darka në odën e Zahir Bekteshit

Bisedat, evokimet dhe kujtimet sikur nuk kanë të sosur. Në ato momente, para mysafirëve të radhitur në të katër anët e odës, hyjnë dy djelmosha të rinj: njëri me ibrik dhe legen në dorë e tjetri me një peshqir .

o Urdhëroni e lani duart se do të hamë darkë !

Djelmoshat tjerë të paprintueshëm, i sjellin në odë tri sofra të mëdha druri, në të cilat mund të darkojnë nga 15 mysafirë! I shtrojnë ato dhe mysafirët ulën për rreth tyre. Sofrat mbushen me të gjitha të mirat e bereqeteve tradicionale familjare.

Specialitet e para të kësaj darke ishin flijat e pjekura me saç dhe të mestitura me mazë të bulmetit shtëpiak.

Kosi i nxënë me tambël lope, ishte i pamazitur dhe mezi e çante luga!

Uji i burimit nga mali, që shkëlqente në gota porsi biluri, dukej se po na i hapte dhe pastronte edhe mushkëritë e mbuluara me tymin e gjeneratorëve të qytetit dhe me baltën e gypave të ujësjellëseve artificiale të qytetit!

Ushqimi i tradicional  natyral dhe uji i pastër si biluri nga krojet malore, na i shndriti  sytë dhe na i pastroi telat e zërit,  ku ishim të gatshëm që t’ ia themi këngës, ma mirë se bilbilat !

Kënga e rapsodëve popullor

Pas ngrënies së darkës dhe pirjes së çajit, radhën e kishte ahengu dhe kënga tradicionale rapsodike, të cilën mezi e pritnin mikpritësit vendor dhe mysafirët e pranishëm!

Rapsodët e ndryshëm popullor, me veti kishin marrë çiftelitë, sharkitë, instrumente tjera dhe kostumet tradicionale kombëtare.

Pa humbur kohë, të gjithë i akorduan instrumentet dhe kënga filloi. Qetësia mbretëronte në odë, sa dukej se edhe miza po të fluturonte, do të dëgjohej.

Rapsodët kënduan me gjithë afshin e tyre, këngët më të dashura të jetës së tyre që nga Skënderbeu e deri te Adem Jashari ! Në shenj nderimi dhe respekti ndaj këngës dhe rapsodëve, pas çdo përfundimi të këngës – ata nderoheshin me duartrokitje frenetike nga ana e mysafirëve të pranishëm.

Rapsodët këndonin me rend dhe me kujdes të matur burrëror, kurse asnjëri nga mysafirët e pranishëm gjatë kësaj mbrëmje, nuk shtini me armë të zjarrta, sikur që ishte zakon dikur në ndejat e tilla, kur njerëzit e pa përgjegjshëm shtinin me armë zjarri, e prishnin atmosferën e mysafirëve, e prishnin tavanin e odës dhe shkaktonin rreziqe të pa parashikueshme!

Gjatë kësaj mbrëmje të paharrueshme në odën e mësuesit Zahir Bekteshi, në fshatin Gllogovicë, morën pjesë dhe kënduan këta rapsodë popullor: Kadri dhe Xhemajl Duraku, nga fshati Lupç i Ulët , komuna e Podujevës, Ajet Grajçeci dhe Gani Demolli nga Prishtina, Demir Krasniqi dhe Xhemajl Berisha nga Gjilani, Hetem Matoshi dhe Selman Maliqi nga Kamenica, si dhe grupi muzikor i të rinjve të fshatit Gllogovicë, i udhëhequr nga Blerim Bektashi.

I tërë ky aheng dhe kjo mbrëmje e paharrueshme u regjistrua nga ana e kameramanit Bekim Shillova nga Kamenica.

Në fund të kësaj mbrëmje, të gjithë pjesëmarrësit u ndanë të kënaqur me shpresë se edhe në të ardhmen, një traditë e këtillë do të vazhdojë edhe në fshatrat tjera të malësisë së Gollakut dhe me porosinë unanime për të gjithë ata që nuk janë ma në Gollak:

“Kthehuni, ndërtoni, punoni ,argëtohuni dhe kënaquni në Gollak!”

Gjilan, më 16 Dhjetor 2008.      Demir KRASNIQIff5fbe23-dfb6-4b8a-b707-1eea413f06f32.jpg

ASLLANAT E HASIT

15 Dhjetor 2008 0

Pa kategori @ 2:47 pm

Demir KRASNIQI

ASLLANAT E HASIT

Në Emshir , n’ mjedis t’ Prishtinës -
Mbetën fjetur t’ bijtë e shkinës !
Mbetën fjet këlyshët e barbarit ,
Që i shtinë hunët n’ oborr t’ shqiptarit !
Refreni:
Ju , Dragana e Millovana –
S’ keni pas punë me asllana !
Me asllanat e hasjanit ,
As me djemtë e Mejdi Asllanit !

Djemtë e Hasit, s’ bëjnë pushkë hileje ,
Por mbrojnë nderin me familje !
Mbi policët e Serbisë –
Krisma pushkësh të lirisë !

O, ju male të Gollakut ,
A i ndiet krismat e Mejdi “Plakut”?
Me djem t’ vet, me t’ fortë qëndresë –
Luftëtarë të UÇK-ës !

N’ mbrojtje t’ nderit dhe shtëpisë –
Grusht të rëndë i dhanë Serbisë !
Ju dhanë mësim këlyshëve t’ barbarëve –
T’ mos hyjnë kurrë n’ oborr t’ shqiptarëve !ff5fbe23-dfb6-4b8a-b707-1eea413f06f31.jpgff5fbe23-dfb6-4b8a-b707-1eea413f06f31.jpg

POETI I POPULLIT

12 Dhjetor 2008 0

Pa kategori @ 9:10 am

POETI I POPULLIT

Vitet shkojnë e shekujt ndërrohen ,

Por legjendat nuk harrohen.

Sado vdekja që i ka tretur –

Kanë lënë vepra për t’ mos vdekur !

Refreni:

Çili vëlla, ti, ata sy –

Lexo jetën , të vërtetën !

Bacë Esadi shkroi “Për ty “-

Asnjëherë për vetveten !

Hoxhë Nokshiqi, burrë i ngritur ,

Ish pleqnar dhe mendjendritur ,

Kishte etje për dituri ,

I pari kishte librari .

Nokshiqanët n’ luftë u lindën –

Për ta mbrojt atdheun , vendlindjen !

Ballë armikut shpat me shpat -

Dhe asnjëri s’ vdiq në shtrat !

S’ pat furtunë që mund t’ i  shkuli,

S’ pat armik që t’ i   përkuli!

Sikur Oso e Dedë Gjon Luli –

N’ luftë me pendë Esad Mekuli.

Për t’ luftuar robërinë ,

Për t’ ia sjellë popullit lirinë ,

S’ kishte pushkë, s’ kishte barot ,

Penda e tij - ishte bërë top !

Militant vizionar –

Kishte lind baca Esad !

Ai nuk deshi t’ shoh shqiptar -

Sharrëxhinj në Beograd

N’ vend të strajcave për lypsarë –

Kërkoi libra për shkollarë!

N’ vend t’ mërgimit n’ Anadoll –

Për shqiptarë kërkonte shkollë !

Nën këtë qiell mbushur me re –

E filloi një “Jetë të re”!

N’ letrat shqipe shkrepi hareja –

Udhërrëfyes i penave t’ reja !

Gjilan, më 09.12.2008. Demir KRASNIQI
ff5fbe23-dfb6-4b8a-b707-1eea413f06f3.jpg

VETËM DHËNDUERVE U KËNDOJMË PËR SË GJALLI

6 Dhjetor 2008 0

Pa kategori @ 2:07 pm

Koment

      VETËM DHËNDURËT KËNDOHEN PËR SË GJALLI 

      Gjatë karrierës sime si këngëtar krijues , më ka rënë që të përballem me lloj – lloj njerëzish të mentaliteteve të ndryshme . Dihet se shijet dhe kërkesat e njerëzve ndaj këngës dhe muzikës janë të ndryshme, ashtu siç janë edhe zhanret e muzikës të ndryshme.

      Në opusin tim krijues në zhanrin e muzikës popullore, sidomos të asaj rapsodike dhe lirike, më se 70% të këngëve të mia , i takojnë ngjarjeve historike, trimave legjendarë, heronjve, dëshmorëve dhe figurave më të ndritura të kombit tonë , gjithandej trojeve etnike shqiptare. Këto këngë më bëjnë të jam krenar dhe t’i këndoj me gjithë frymën e shpirtit që kam.

      Mirëpo, jo rrallë herë , më ka rastisur që të zhvilloj dialogje të pa këndshme me njerëz që kanë ambicie të një mentaliteti të sëmurë nga lashtësia dhe primitivizmi  i trashëguar  ndër shekuj . Njerëzit e vuajtur nga një mentalitet i tillë, do të dëshironin që edhe atyre të iu thuren këngë dhe të këndohen për së gjalli, pa e bërë asnjë hap në të mirë të popullit, kombit dhe atdheut!

      Njerëzit e një mentaliteti të këtillë (pa asnjë meritë), do të ëndërronin që të futen në analet e historisë së këngës shqiptare, në historinë kombëtare dhe të rreshtohen me elitën e trimave të atdheut! Ata, do të donin që këngët e tyre , të jehojnë fuqishëm nëpër tregje, vetura, koncerte, e sidomos nëpër odat e burrave, ku do të përcilleshin vazhdimisht me rrebeshe rafalësh nëpër tavanet e odave dhe shtëpive të huaja, në mënyrë që edhe bota femërore dhe fëmijët, të mësonin e të dëgjojnë për “trimëritë” dhe “burrëritë” e tyre!

      Të ushqyer nga një mentalitet i këtillë, shumë njerëz në jetën time më kanë ndalur rrugëve dhe më kanë kërkuar që t’ iu thuri dhe t’ iu këndoj këngë?!

Të tillët, me një mllef dhe nervozë të pa matur , më drejtohen kështu:

      “More, ti, krejt dynjasë ju këndove dhe i qite në këngë, vetëm mua jo?!”

Përpjekjet e mia, për t’ i bindur se kënga nuk mund t’ i kushtohet secilit njeri, asnjëherë nuk kanë qenë bindëse dhe të suksesshme !

      Përveç atyre, të cilët më drejtohen drejtpërsëdrejti me kërkesa për t’ iu kushtuar dhe kënduar këngë personalisht atyre, është edhe një grup tjetër individësh që janë simpatizantë të sëmurë ndaj liderëve të tyre politik dhe të tillët janë edhe më agresiv se sa ata të parët, nga se ata dinë të shprehin kërkesat e tyre edhe me fjalë e tone kërcënuese!

Po e marr shembull një rast shumë të freskët, i cili më ndodhi këto ditë , mu në sheshin e qytetit tim:

      Duke shëtitur nëpër sheshin e qytetit së bashku me një mik timin, pa pritur më doli përpara një njeri bukur i moshuar, i veshur pedant e me kravatë, që në shikim të parë dukej të jetë ndonjë intelektual i ngritur! U ndal mu përpara meje dhe më përshëndeti, duke më pyetur:” A je ti, Demir Krasniqi?”

      Unë, iu përgjigja me urtësi dhe modesti: “Po , vet unë jam Demir Krasniqi, por Ju kërkoj falje, nga se Juve nuk po ju njoh !”

Kalimtari i pispillosur deri në kokë, ma ktheu me një buzëqeshje ironike:

      “Po, po . Ju këngëtarët nuk e njihni askënd, pos vetës ! Por, unë jam një zyrtar i lartë i drejtësisë, i cili ju adhuroj dhe me këngët tuaja, jam rritur! Por tash, kam fillua të ta marr inati, nga se krejt këngëtarët e regjioneve tjera, po ju kushtojnë këngë dhe po i këndojnë liderët  e vet të gjallë, kurse Ti, për krejt dynjanë ke krijuar këngë, vetëm për liderët e gjallë të Anamoravës, jo! E për këtë , të ndala që të tregoj se nuk e ke mirë, nga se unë jam një jurist me fakultet dhe ne kemi nevojë që t’ iu këndojmë liderëve tanë politik sa janë të gjallë, se kur të vdesin, nuk mund t’ i dëgjojnë këngët e veta!”

      Sjellja e këtillë e këtij juristi, më habiti dhe më shokoi ! Pasi më nxori nga takti, më detyroi që t’ ia them edhe unë , dy – tri fjalë:

      “Më vjen keq, zotëri jurist, që Ju , nuk po e ditkeni se nga ana juridike është vepër e rëndë penale, që t’ i këndosh këngë njeriut për së gjalli, pa marrë para sysh se për kënd është fjala!

      E dyta: - Në traditat dhe zakonet tona popullore, vetëm dhëndurëve iu këndohen këngë për së gjalli, e askujt tjetër!

      Vajzat , iu këndojnë këngë me defe – dhëndurëve, nja tri ditë para se të martohet, me qëllim që t’ ia lavdërojnë nusen, t’ a trimërojnë atë, për t’ ia hequr tremën dhe frikën para se të hyjë dhëndër, nga se në kohërat më të vjetra djemtë e ri martoheshin me vajzat që ua caktonin prindërit, pa u pa kurrë me to , deri në natën e martesës, andaj edhe kishin frikë shumë në natën e parë të martesës!

      Ndërsa, sa iu përket liderëve tanë të gjallë, nuk mendoj se ka nevojë që t’ ua heqim tremën me këngë, për t’ u marrë me politikë dhe për ta drejtuar popullin në rrugë të drejtë e të mbarë!”

                                                      Demir KRASNIQI8affb7a5-0929-49e6-a243-a882301c75f3.jpg

KUSH E URREN PLISIN NUK DUHET TI VESHI AS TIRQIT

3 Dhjetor 2008 0

Pa kategori @ 5:29 am

Demir Krasniqi: Kush e urren Plisin - nuk duhet t’i veshë Tirqit

Demir Krasniqi

KUSH E URREN PLISIN – NUK DUHET T’ I VESHË TIRQIT !

 

Nga Demir KRASNIQI

 

            Veshjet tona kombëtare janë shumë të begatshme, me shumë kolorite dhe ornamentikë autoktone, me të cilat kombi ynë identifikohet në opinionin ndërkombëtar. Ato janë aq karakteristike dhe aq joshëse për studiuesit e folklorit dhe etnografisë, sa të gjithë mahniten në rastet kur i shohin ato, nëpër skenat e ndryshme: koncerte, festivale, programe televizive dhe simpoziume të ndryshme ndërkombëtare që kanë të bëjnë me folklorin dhe traditat e popujve të botës.

            Pa dyshim, se pjesa më e ndjeshme dhe më karakteristike e kostumografisë sonë kombëtare, është plisi, apo qeleshja e bardhë, simbol ky që nuk e ka asnjë popull tjetër në botë. Plisi, apo qeleshja e bardhë shqiptare është shumë i  lashtë   , i përpunuar prej leshit të deleve , i cili  simbolizon  paqen , kthjelltësinë dhe pastërtinë shpirtërore të kombit shqiptar.

            Ashtu siç ndryshojnë dialektet e të folmes, traditat, zakonet dhe  forma e veshjeve kombëtare prej një krahine në një krahinë, ashtu ndryshon edhe forma e plisit, apo qeleshes së bardhë. Në Kosovë bahen dy lloje të plisave të bardhë, që kanë formën e kupës dhe njëri lloj është pa kurriz, e tjetri ndahet për mes një kurrizi.

            Edhe në krahinat e Shqipërisë, na paraqiten dy lloje të plisave, apo qelesheve të bardha. Në veri bahet plisi me kupë të rrafshët , i cili pak a shumë për kah forma i ngjet fesave të kuq e të zi, të cilët i mbanin dikur osmanlinjtë , ndërsa në jug bahen plisat (qeleshet) e bardha me kupa të mprehura dhe në maje të kupës kanë një bisht të vogël.

            Përveç plisit që ndryshon formën prej krahine në krahinë, këtë ndryshim e hasim edhe tek forma e tirqve dhe pjesëve tjera të veshjeve kombëtare shqiptare. Bie fjala, në Kosovë bahen dy lloje tirqish: të zi dhe të bardhë. Tirqit e zi, tradicionalisht janë bajt për punët e përditshme në bujqësi e blegtori, kurse tirqit e bardhë janë përdorë ekskluzivisht për solemnitete, dasma, ahengje dhe mysafirllëqe. Por më tepër, tirqit e zi janë bajt në krahinat e Kosovës lindore:Llap, Gollak e Karadak.

            Në disa krahina të Shqipërisë jugore, tradicionalisht janë bajt fustanellat, të cilat në Kosovë, kurrë nuk kanë qenë pjesë e veshjes kombëtare.

            Për derisa veshjet tona tradicionale kombëtare janë ruajtur nëpër shekuj të robërive të ndryshme, me një dashuri dhe autoktoni të palëkundur, sot në përpjekjet e demokratizimit të vendit dhe popullit shqiptar, nuk mund të krenohemi se po ruhen dhe kultivohen këto vlera me një përkushtim, seriozitet dhe autoktoni të trashëguar!

            Në skenat tona koncertale, në festivale dhe në skenografitë e televizioneve tona publike, është krijuar një kakofoni e përdorimit dhe veshjeve tona kombëtare, me çka ia humbin  vlerat e autoktonisë së tyre.

            Çoroditje të mëdha po i bëhen kostumografisë sonë kombëtare që nga qepja e tyre e deri tek përdorimi dhe mënyra e veshjes së tyre. Tanimë , nuk mund të thuhet se janë duke u ruajtur vlerat autoktone të këtyre veshjeve , në bazë të krahinave ,qoftë për nga përdorimi i lëndës së parë për përpunimin e tyre, qoftë për qepjen, qoftë për veshjen e tyre. Kostumografia jonë kombëtare sot, më tepër është një imitim i origjinalit përmes pëlhurave dhe stofave të lehta e të pambukta , të cilat synim kryesor e kanë tregun dhe biznesin, e jo vlerat e autoktonisë.

            Njëra nga çoroditjet më të shprehura të përdorimit të veshjeve tona kombëtare, pa dyshim është përdorimi i fustanellave të burrave të jugut, të cilat jo rrallë herë na bie t’i shohim të veshura nga anëtarët e grupeve dhe ansambleve burimore nga Kosova?!

Një gjë dihet mirëfilli , se kurrë në historinë e kostumografisë kombëtare, burrat e Kosovës nuk i kanë bartur fustanellat e jugut, sikur që as burrat e jugut nuk i kanë bartur tirqit e bardhë e të zi, që përdoren në Drenicë, Dukagjin, Rugovë, Llap, Gollak e Karadak!

            Çoroditjet, injorimet dhe nënçmimet më të mëdha në përdorimin e kostumografisë kombëtare nëpër skenat publike, koncerte, festivale, programe televizive, spote këngëtarësh, pa dyshim kohëve të fundit janë duke iu bërë plisit të bardhë kombëtar, apo qeleshes!

            Është e çuditshme se si veprohet kështu nga ana e disa këngëtarëve, rapsodëve, valltarëve, të cilët i përdorin veshjet kombëtare sa për sy e faqe me një kamuflim të pa parë para shikuesve e dëgjuesve, por të rrallë janë ata të cilët do të dalin në skenë me plis të bardhë mbi kokë!

            Kjo dukuri e shëmtuar nëpër skenat tona muzikore, të iriton dhe të nervozon, nga se para sysh na dalin disa pseudo – artist që e çorodisin veshjen tradicionale kombëtare, duke mos e përfillur atë në origjinal, duke mos ditur se si vishen ato dhe mbi të gjitha, duke e urryer bartjen e plisit të bardhë mbi kokë?!

            Artistët e tillë, që përbuzin dhe urrejnë kostumografinë kombëtare, para auditorit të gjerë , dalin aq artificial dhe aq qesharak, për të mos thënë edhe banal, nga se t’ i veshësh tirqit , shokën, këmishën , opingat e të mos e vësh plisin e bardhë mbi kokë, kjo është më shumë se injorim ndaj simboleve tona kombëtare!

            E terë kjo çoroditje, strëkeqje dhe injorim që i bëhet plisit të bardhë, rrjedh nga një mentalitet i shizofrenisë adoleshente të atyre që mendojnë se në skenë po ua shëmton bukurinë plisi i bardhë, duke ua pa mundësuar që auditori t’ ua shoh kaçurrelat e flokëve të ngopura me llaqe e gelle të ndryshme, por mbi të gjitha, personazhet e këtilla vuajnë nga kompleksi, se mos vallë, përmes ekraneve televizive – nuk do t’ i njohin dashnoret e tyre, po qe se e qesin plisin mbi kokë?!

Pra, thjeshtë: Ata që e urrejnë plisin – nuk duhet t’ i veshin as tirqit!

            Përveç keqpërdorimit që po i bëhet plisit të bardhë nëpër skenat tona publike nga ana e artistëve të këngës dhe muzikës sonë popullore, të paktë janë ata që dinë se si mbështillet shoka në brez dhe si mbathen opingat tradicionale. Prandaj, shumë herë shohim artistë në skenë, pa shokë, pa opinga, me këpuca, e puma të ndryshme, duke mos ditur se sa i bëjnë dëm veshjes sonë tradicionale!

            Dhe krejt në përfundim, po shtoj se kohëve të fundit , në skenat dhe spotet e disa këngëtarëve tonë popullor, na ka rënë që të shohim “artistë” të veshur me tirq, por  të  zhveshur lakuriq mbi brez , pa këmishë, pa xhurdi dhe pa plis?!

            Skenat dhe spotet e këtilla, nuk mund të quhen ndryshe, pos çmenduri e llojit të vet, nga se tradicionalisht, shqiptari kurrë nuk ka dalë lakuriq para masës , i veshur vetëm me tirq, madje edhe në kohërat kur varfëria ishte e skajshme!

            E gjithë kjo që u tha dhe shumëçka që nuk u tha, flet për mungesë të kritereve dhe mbikëqyrjeve profesionale, e mbi të gjitha , flet për mungesën e regjisorëve dhe kostumografëve profesionist në ansamblet dhe skenat tona të muzikës tradicionale!

 

Gjilan, më 02.12.2008.

Faqja e Ardhshme »