NË KUJTESË TË VIKTIMAVE TË TERRORIT SERB

4 Tetor 2008

Histori @ 11:52 am
 

Demir Krasniqi: Behlul Klaiqi - Kurban i Gollakut dhe mbarë Kosovës
E premte, 03-10-2008

Demir Krasniqi

Në kujtesë të viktimave të terrorit serb në Kosovë:

BEHLUL KLAIQI – KURBAN I GOLLAKUT DHE MBARË KOSOVËS

Nga Demir KRASNIQI

Në përpjekjet e fundit për realizimin e planit famëkeq të Vasa Çubrilloviqit, për zhbërjen e qenies shqiptare nga trojet e tyre etnike stërgjyshore, përmes formave më të egra barbare, torturave, vrasjeve, burgosjeve, përndjekjeve dhe përzënies së tyre për në Turqi dhe shkretëtirat e Anadollit, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe të LNÇ-së, Kryeudbashi i Serbisë, i quajtur Aleksandar Rankoviq, përmes makinerisë së tij vrastare dhe shfarosëse ndaj popullit të pambrojtur shqiptar të Kosovës, e kishte bërë edhe një projekt famëkeq kundër kësaj popullate, me qëllim që përmes dhunës, terrorit dhe torturave të papara çnjerëzore, ta detyronte këtë popullatë që t’ i lëshojë tokat e tyre stërgjyshore dhe të shpërngulet për në Turqi dhe shkretëtirat e Anadollit!

            Për ta realizuar këtë elaborat, Kyreudbashi i Sërbisë, Aleksandar Rankoviq, kishte projektuar një skenar shtesë të quajtur “Aksioni për mbledhjen dhe grumbullimin e armëve në Kosovë”.

            Për ta realizuar këtë “Projekt”, Rankoviqi me makinerinë e vet vrastare dhe shfarosëse kundër popullatës shqiptare të Kosovës, e kishte zgjedhur  “Dimrin e gjatë” të vitit 1956, dhe atë, pikërisht muajin Janar, gjatë kohës së pushimeve të nxënësve në gjysmë-vjetorin e parë shkollor,  që atë kohë fillonte prej datës 15 Janar dhe zgjaste deri më 5 Shkurt.

            Pra, shkollat ku mësonin nxënësit shqiptar, jo rastësisht, ishin zgjedhur për arenë të ndëshkimit dhe torturave kolektive ndaj burrave shqiptar! Kurse, stina e dimrit, gjithashtu ishte zgjedhur me qëllim që acari, bora e madhe dhe izolimi i fshatrave rurale, të jenë në favor të barbarisë serbe, ku viktimat eventuale nga torturat do të heshtnin nga informimi i opinionit ndërkombëtar dhe botëror!

            Njëra ndër qendrat më famëkeqe për  grumbullimin  e  armëve, ishte organizuar në shkollën fillore të fshatit Tugjec, të Malësisë së Gollakut të Kamenicës, fshat ky që dikur kishte qenë qendër administrative komunale, kurse gjatë kohës së “Aksionit për grumbullimin e armëve” kishte mbetur vetëm si Bashkësi Lokale, në të cilin gravitonin edhe fshatrat për rreth:Gëmica, Sfirca, Zajçeci dhe Meshina.

            Fatkeqësisht, pas shumë përpjekjeve të mia, për ta mësuar datën e saktë se kur është zhvilluar kjo plojë, mbi burrat e asaj Malësie, duke i përfshirë në “Listën e zezë”, që nga mosha 18 vjeçare e deri në moshat më të vjetra, nuk kam arritur të mësoj , përveç asaj , se kjo plojë është zhvilluar diku pas datës 16 janar 1956.

            Projektuesi i këtij “Aksioni” – Aleksandar Rankoviq, në bashkëpunim me UDB-ën serbo-jugosllave, nuk e kishte përzgjedhur rastësisht këtë Malësi, nga se në rend të parë, fshatrat e kësaj Bashkësie Lokale, shtriheshin për rreth brezit kufitar Kosovë – Serbi, e në anën tjetër, malësorët e Gollakut ishin të njohur për rezistencë të herë pas hershme ndaj armikut dhe okupatorit!

            Shi për këtë, në “Listën e zezë për dorëzimin e armëve” ishin përzgjedhur djemtë dhe burrat më të spikatur të kësaj Malësie, duke i rekrutuar si që thotë populli:”Yst e begen”, ku ishin më të mirët!

            Në mesin e këtyre burrave dhe në regjistrin famëkeq, nuk kishte shpëtuar pa hy edhe Behlul Bajram Ismajli, nga fshati Tugjec, i cili në ato anë, nga bashkëfshatarët  dhe bashkëvendësit e vet ,  njihej më tepër si: Behlul Klaiqi, me që paraardhësit e tij, ishin shpërngulur me dhunë në vitin 1878 nga fshati  Klaiq i rrethit të Jabllanicës.

            Behluli, ishte një burrë shumë i urtë, i dashur, i ndershëm që i takonte një familje skajshmërish të varfër, ku në atë kohë, si edhe shumë bashkëfshatarë të tij, mezi arrinte që ta sigurojë kafshatën e bukës për tre muaj ditë të vitit kalendarik, për fëmijët e tij të zbathur e të zdeshur, e lërë më që të kishte armë?!

            Plojën e “Aksionit për grumbullimin e armëve” në Bashkësinë Lokale të fshatit Tugjec, e kishte drejtuar një Kryeudbash i quajtur: Vllada Shilegoviq, i cili në elitën e tij ndëshkuese kishte të rekrutuar edhe disa shqipfolës opingalëpirës –duaxhi , të pushtetit terrorist, që paguheshin mirë nga okupatori, për të zbatuar dhunë e tortura mbi bashkëkombësit dhe bashkëvendësit e tyre!

            Elita ndëshkuese, në emër të kërkimit dhe të dorëzimit “vullnetarë” të armëve, nuk e lëshonte asnjë burrë të kësaj Malësie, pa e shti ndër dajak e tortura të pa para!

Ata torturoheshin në grupe e runde të ndara, me qëllim që të krijojnë panik sa më të madh tek të tjerët! Pas një rundi torturash, viktimat urdhëroheshin që të dilnin në borë dhe të qëndronin të zbathur në formë të rrethit, derisa u ngrinin me këmbë e duar dhe më as goja nuk iu punonte!

            Ata që ishin më të rinj, më të paepur dhe më të shëndetshëm, e pësonin më së keqi, nga se përveç dajakut, mbi ta ushtrohej edhe shkulja e mustakëve me anë të danave për mbathjen e kuajve!

            Derisa i erdhi radha për rrahje, Behlul Klaiqit, ai ishte shtangë me duar e këmbë duke qëndruar në borën e madhe dhe në acar që ngrinte pamëshirshëm trupat e pa fajshëm të burrave të kësaj Malësie!

            Behluli, hyri dhe iu nënshtrua rrahjeve dhe torturave deri në alivanosje. Pas kësaj procedure, elita e udbashëve , kur e panë se do të iu vdiste nëpër pendrekë, e urdhëruan që të shkojë në shtëpi, por që të nesërmen të mos vinte i gjallë, po qe se nuk do t’ ua sjelli armët të cilat ia kërkonin!

            Behlul Klaiqi, i dërmuar dhe i stresuar rënd nga rrahjet, del nga shkolla dhe niset për të shkuar në shtëpinë e tij, rreth 3 kilometra larg shkollës, ku i habitur tërësisht, e kishte humbur kontrollin dhe ishte nisur i zbathur për të shkuar tek shtëpia e tij, nëpër borë e cila i arrinte deri në gjoks!

            Bashkëfshatarët e tij, kur e panë duke shkuar zbathur pa opinga, kishin menduar se i kishte harruar për t’ i  mbathur dhe i thirrën me zë:

            “O, Behlul! Kthehu e merri opingat se i ke harrua dhe do te të ngrihen këmbët derisa të shkosh te shtëpia!”

            Behluli, i humbur, i dërmuar dhe i shkapërderdhur nga dajakët, ua ktheu përgjigjën:

            “O, jo nuk i kam harruar, por nuk kanë se çka më vlejnë më, nga se ma zi për mua nuk ka se çka me u ba!”

            Behluli, shkon në shtëpi, ashtu i zbathur nëpër borë dhe gjatë tërë natës nuk flenë nga dhembjet e rrahjeve nëpër trup, por gjithnjë mundohej që t’ i  fshihte dhembjet dhe ofshamat para fëmijëve të tij. Gjatë natës, kishte marrë vendim të prerë, që më i gjallë të mos u shkojë në duar bishave karpatjane!

            Të nesërmen , zgjohet herët në mëngjes, lahet e pastrohet mirë dhe i veshë një palë rrobe të pastra, me të cilat shkonte nëpër ndeje, mysafirëllëqe e dasma .E merr një litar me veti, ku në atë rast iu thotë fëmijëve dhe familjes së tij:

            “Ju, mos u bëni merak, se unë po bie deri tek livadhet për t’ ua marrë një barrë sanë bagëtive!”

            E merr litarin dhe niset drejt rrugës së vdekjes. Kur arrin në krye të lagjes së Ismajlajve, mu përmbi varret e tyre, e zgjedh një qershi të vjetër, e cila dukej shumë mirë karshi shkollës së Tugjecit, ku zhvillohej ploja mbi shqiptarë nga elita e UDB-së serbo-jugosllave, ngjitet në atë qershi, e ngreh litarin dhe i jep fund jetës së tij!

            Me të kuptuar për këtë varje, kryeudbashi Vllada Shilegoviq, ishte tmerruar  thellë nga frika se tani do ta kuptojë bota torturën e tyre dhe se aksioni i tyre do të dështojë!

Ai, menjëherë jep urdhër që kufoma e Behlul Klaiqit, të zbritet sa më shpejt nga qershia, t’ i fshihen gjurmët e litarit dhe të varroset sa më shpejt, për t’ ia humbur çdo gjurmë!

            Ndaj kësaj urdhërese, reagon fuqishëm bashkëfshatari i Behlulit – Selim Hasan Buzuku, i cili kategorikisht mohon që të zbatohet ky urdhër, pa e bërë obduksionin ekipi i mjekëve specialist! Këtë, e përkrahin edhe shumë bashkëfshatarë dhe më në fund arrin  që të vijnë mjekët në vendin e ngjarjes dhe të konstatojnë shkaqet e kësaj vdekje të dhunshme!

            Lajmi mbi vdekjen e dhunshme të Behlul Klaiqit, brenda natës e kishte marrë dheun. Kishte kuptuar mbarë Kosova, Beogradi dhe opinioni ndërkombëtar!

            Me tu kuptuar për vdekjen e Behlul Klaiqit, i cili sakrifikoi jetën e vet dhe u bë kurban i mbarë Malësisë së Gollakut dhe mbarë Kosovës, që ditën kur u varros Behluli, “Aksioni për grumbullimin e armëve në Kosovë”, u ndërpre.

            Behlul Klaiqi, që u sakrifikua dhe u bë kurban për shpëtimin e vëllezërve tjerë shqiptarë nga rrahjet dhe torturat e egra barbare serbe, u varros në një mënyrë fare modeste, pa kurrfarë ceremonie. Trupi i tij, pushon i qetë dhe prehet në amshim në varrezat e lagjes së tij, në fshatin Tugjec. Pas veti i la bashkëshorten dhe tri vajza të mitura bonjake.

            Ai, u sakrifikua për shpëtimin e jetëve të vëllezërve të tij, nga torturat e egra të barbarisë serbe, por në fund doemos shtrohet pyetja e pa shmangshme:

            -Çka bëmë ne vëllezërit dhe pasardhësit e tij, pas vdekjes së Behlul Klaiqit?!

Askujt, deri më sot, nuk i shkoi ndër mend që t’ ia rregullojë varrin e tij, t’ ia ngrehë së paku një pllakë përkujtimore, t’ ia mbajë një orë përkujtimore, ndonjë emision dokumentar, por mediat e shkruara dhe elektronike edhe sot e kësaj dite heshtin ndaj kësaj ngjarje tragjike dhe rrëqethëse për historinë e popullit shqiptar?!

Gjilan, më 03.10.2008.

2 komente

  1. KËNGËT E ASHIKËVE DHE DYLBERËVE

    Pa dyshim se në thesarin e folklorit tonë burimor që është burim i pashtershëm i shpirtit krijues të popullit, ndër shumë cikle të këngëve popullore, një vend të dukshëm e kanë zënë edhe këngët e ashtuquajtura: “të ashikëve dhe dylberëve”.
    Është për t’ u habitur se si kjo gjini e letërsisë popullore dhe ky cikël këngësh popullore, u anashkalua vazhdimisht nga ana e studiuesve të albanologjisë, por edhe nga studiuesit e etnomuzikologjisë shqiptare?!
    Një gjë është shumë e vërtetë, se këto këngë kanë frymuar, janë krijuar, janë kënduar dhe janë kultivuar shekuj më parë mbi hapësirën e trojeve etnike shqiptare, me çka mund të konkludohet se kjo gjini e këngëve, është me gjenezë bukur të lashtë historike.
    Këngët e ciklit të këtillë, janë ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi deri në ditët e sotme. Madje, edhe sot, ato këngë zënë një hapësirë të madhe nëpër dasmat e gazmendet tona popullore, koncerte, festivale dhe në emisionet muzikore të radio- televizioneve tona publike?!
    Sa i përket programeve radiotelevizive, nuk është për t’u habitur nga fakti se përse sajuesit e emisioneve të këtilla, iu lënë aq hapësirë këngëve të këtilla, nga se shihet qartë se bashkëpunëtorët “profesional “ të muzikës, nuk e kanë të qartë qëllimin dhe porosinë e këtyre këngëve?!
    Pra, këngët e “ashikëve dhe dylberëve”, fund e krye na e servojnë dashurinë në mes të dy gjinive të njëjta, në këtë rast, na e përshkruajnë dashurinë në mes të meshkujve, e cila ndryshe quhet “ pederaci”.
    Një gjë dihet mirëfilli: Se në mbarë globin tokësor ekziston pederacia, madje në shumë vende të botës, ajo është e legalizuar edhe me ligje e kushtetutë! Mirëpo, ajo që na bënë të habitemi me këtë fenomen tek ne, është fakti se për këtë lloj dashurie, mbi trojet tona janë krijuar e kënduar aq shumë këngë, sa është e pa besueshme se në vendet tjera mund t’ i këndohet aq shumë pederacisë?!
    Mbi arsyet se përse kanë lindur kaq shumë këngë të këtij lloji mbi trojet tona, do të duhej të merreshin më tepër sociologët dhe ekspertet tjerë, por ajo që është evidente në krijimin dhe kultivimin e këtyre këngëve, është mungesa e kontakteve me gjininë femërore, fanatizmi shekullor , varfëria, mungesa e shkollimit dhe arsimimit si dhe frika nga hakmarrjet eventuale.

    Karakteristikat kryesore të këngëve të ashikëve dhe dylberëve

    Në bazë të disa analizave të cilat ua kemi bërë këtyre këngëve, kemi vu në pah disa nga karakteristikat elementare të tyre, që dallojnë dukshëm nga krijimtaria jonë tradicionale popullore.
    Në radhë të parë, shihet qartë se këngët e ashikëve dhe dylberëve kanë lindur, janë krijuar dhe janë kultivuar ekskluzivisht në vendet urbane.
    Po qe se i analizojmë mirë tekstet e këtyre këngëve, do të konkludojmë se ato janë të thurura nga personalitete të shkolluara mirë, njohës të gjuhës dhe të figurave krahasuese, çka nuk mund të mendohet se krijuesit e këngëve të këtilla, kanë qenë laik të thjeshtë!
    Edhe krijuesit e melodive të këtyre këngëve, nuk kanë qenë muziktarë të thjeshtë, nga se meloditë e këtyre këngëve janë shumë të zhvilluara, të pasura me ornamentikë e melizmatikë, si askund tjetër. Ato kanë një ambitus shumë të gjerë të shkallës melodike. Në to frymon një melankoli dhe nostalgji e pa përshkruar .Forma e tyre muzikore është e bazuar mbi ornamentikën dhe ndikimet orientale, ku nuk mungojnë as improvizimet e lira vokale, të quajtura “gazela”!
    Ritmet e këtyre këngëve, janë të gjalla me karakter ahengu dhe vallëzimi, kryesisht të bazuara mbi masat kohore 4/4 dhe taktet dypjesore.
    Përcjellja instrumentale e këtyre këngëve bëhet kryesisht me vegla të fabrikuara muzikore, nga se vet zhvillimi dhe struktura melodike e tyre, nuk le mundësinë që ato të shoqërohen me instrumente burimore autoktone.
    Interpretuesit vokal të këtyre këngëve, janë këngëtar shumë të stërvitur si nga ana e kualiteteve melodike, ashtu edhe nga ana ritmike.
    Tekstet e këtyre këngëve, janë të thurura kryesisht me vargje strofike, të rimuara dhe herë-herë me ndonjë refren. Në këto tekste përshkruhet një gjuhë shumë e vjetër qytetare, në të cilën ka shumë fjalë e shprehje të huazuara nga gjuhët tjera, sidomos nga persishtja, arabishtja, turqishtja dhe ndonjë gjuhë tjetër aziatike.
    Karakteristikë tjetër e interpretuesve të këtyre këngëve, është se ato më tepër preferohen që të këndohen në grupe këngëtarësh dhe rrokjet e ndonjë fjale thyhen deri në dhjetë herë në stilin:”o-ji-ji,a-ji-ji-i-o-u-e”, që na bëjnë të kuptojmë anonimitetin e tekstit, për të mos mundur që ta kuptojnë domethënien e tyre, ata të cilët nuk janë pjesëtarë dhe konsumues të këtij zhanri këngësh!
    Tekstet e këngëve të ashikëve dhe dylberëve, zakonisht fillojnë me shprehjet:”Elif, elif” dhe përfundojnë me prapashtesat :”ahi”, ose “ai”!

    Kush është ashiku dhe dylberi?

    Në bazë të analizave të teksteve të këtyre këngëve, lehtë mund të kuptohet se nocioni “Ashik”(nga fjala turke = dashnor, apo i dashur), nënkupton mashkullin i cili është i dashuruar në mashkullin tjetër dhe që luan rolin e mashkullit në aktet seksuale. Nocioni “ashik” tek këto këngë, shpeshherë mund të haset edhe si “jaran”, e që ka të njëjtin rol në dashuritë e këtilla.
    Nocioni “Dylber” i atribuohet mashkullit i cili gjatë lojërave seksuale, do ta luaj rolin e femrës, me të gjitha virtytet e mundshme, madje jo vetëm përmes akteve seksuale, por edhe me veshje e zbukurime të tjera, të cilat më tepër i takojnë botës femërore.
    Në këto role, më tepër kanë qenë të përfshirë djemtë e rinj, të cilët kanë qenë të pashëm, të zhvilluar dhe të bukur, kryesisht në moshën e para rrojës së fytyrës.
    Në këngët e ashikëve dhe dylberëve, jo rrallë , iu këndohet edhe organeve gjenitale seksuale, por gjithnjë përmes figurave konfidenciale, si p.sh. në rastet kur i këndohet “anusit”, zakonisht përdoret figura krahasuese:”gonxhe”, kurse në rastet kur i këndohet “penisit”, do ta hasim figurën krahasuese “drandafill”.
    Koha më e preferuar e ashikëve dhe dylberëve, në bazë të analizave të këtyre këngëve, na del të jetë stina e pranverës, koha e beharit dhe muajt: prill e maj.

    “Kadalë , dalë po na vjen behari –
    Lum kush asht arshik!”…

    Kjo na bënë të kuptojmë se dashuritë e këtilla, janë zhvilluar më shumë në natyrë, ku ka më shumë gjelbërime, gjethe e lulishte, ku dy të dashuruarit e një gjinie të njëjtë, do të ikin sa më larg qytetit, në pyll apo vende tjera, ku nuk mund të hetoheshin nga njerëzit tjerë të qytetit.
    Veshja të cilën e preferojnë më së tepërmi ashikët dhe dylberët, në bazë të këtyre këngëve, na del të jetë ngjyra e gjelbër (jeshile) dhe pëlhura e quajtur “kumash” , që ishte e përpunuar kryesisht prej mëndafshit.

    “Me lule, o, na u mbushke djali,
    Me kumash jeshil!”…

    Në këngët e ashikëve dhe dylberëve, me të madhe përmendet një figurë, si tipar zbukurimi që quhet :”Perçe”.
    Në kohët kur janë krijuar këto këngë, ka qenë një lloj “mode” e djemve të rinj, të cilët e rruanin kokën (flokët) rreth e rreth, por në maje të kresë e lenin një tufë flokësh për bukuri, që quhej “perçe”. Andaj, dylberët të cilët e lëshonin perçen për salltanet, konsideroheshin si dylberët më të bukur të kohës!
    Në ahengjet dhe dollitë e ashikëve dhe dylberëve, angazhoheshin grupe të specializuara këngëtarësh e muzikantësh, të cilët kujdeseshin gjatë tërë natës për argëtimin dhe disponimin sa më të mirë të ashikëve dhe dylberëve.
    Këngëtarët e tillë, me gjuhën e ashikëve dhe dylberëve, quheshin:”shahira”.

    Sakrificat dhe xhelozitë e papara në mes të ashikëve dhe dylberëve

    Duke i analizuar mirë tekstet dhe porositë e këngëve të ashikëve dhe dylberëve, bindshëm vijmë deri në përfundim se dashuritë e tyre kanë qenë aq të zjarrta dhe aq të shtrenjta, ku xhelozia e tyre ka lëshuar rrënjë të rrezikshme dhe të pashërueshme.
    Për dashuritë e tilla, ashikët dhe dylberët kanë sakrifikuar shpeshherë edhe jetët e tyre, ndërsa nga xhelozia dhe tradhtitë eventuale, kanë rënë në dergja dhe sëmundje të pashërueshme të cilat kanë përfunduar tragjikisht.
    Ashiku i cili është i dashuruar marrëzisht ndaj dylberit të vet, do të dëshironte që për inati te të tjerëve, të dilte dhe të shëtisnin së bashku nëpër mëhallë, në mënyrë që ta shohin shokët e vet se ai ka dylber dhe se do të mahniten me bukurinë e tij:

    “Hajde t’ dalim me shetit-e,
    Do t’ shëtisim nëpër mahallë!
    -Aman, babë, i kujt asht ky djal-e?
    -Asht i nipi i Myrtezasë!”

    Jo, rrallë herë, në këngët e këtilla, na jepen me emër e mbiemër të vërtetë ashikët, si:

    “Nërmjet tokës e nërmjet qiellit,
    Po e marojmë nji urë me gurë.
    Ky Selimi, o, i Zymber Hotit,
    Asht i bukur, oh, pa kusur !”

    Ja një shembull, kur ashiku i këndon dylberit të vet me emër e mbiemër të vërtetë, me rastin kur ata ndahen në mes veti:

    “O, Halil, Halil Bilani,
    Sa me naze ma jep selamin!
    Të mjerin arshik e zu gondi –
    Gjithë tuj kajtë i shkoj Bajrami!”…

    Se motivi i xhelozisë mes dashurive të këtij lloji, është shumë i fuqishëm dhe shpeshherë përfundon me epilog tragjik, më së miri dëshmon strofa e shkëputur nga një këngë, në vijim, në të cilën përshkruhet bukuria madhështore e një dylberi, i cili dinte t’ i zgjidhte dhe t’ i ndërronte ashikët sa herë që donte:

    “Jusufi – dylber në këtë dynja,
    Arshikat me teste na i ka!
    Mall e kishin të mjerët, o, me e pa –
    Çare s’ më del, unë, pa e vra!”…
    Ose:
    “Në muej të beharit, more lalo,
    Mentë i kam hava…
    Çuni s’ flet me mue –
    Çare s’ m’ del pa e vra !”

    Dylberi do të vuaj më së shumti gjatë muajit të Ramazanit, kur duhet agjëruar dhe besimi fetar nuk ua lejon kontaktet me ashikun. Nga malli për të kontaktuar me te dhe nga frika se mos vallë, do të sëmuret ashiku nga lodhja e agjërimit, ai këtij motivi do t’ i këndojë kështu:

    “Ditën e xhumasë, more lalë,
    Kesh tuj marrë abdes,
    Çunin e kam smutë, more lalë,
    Tutna, mos po m’ des?!”

    Se sa ka qenë e çmueshme dhe e lakmueshme perçja për bukurinë e ashikut të ri, më së miri flet shembulli në vijim:

    “O, Halit, Halit Kumani,
    Mos je drandofille behari?
    Si shkodran po m’ shkon pazarit,
    Me atë perçe lshue prej arit!”…

    Se sa ishte e rëndë dhe e pikëlluar ndarja në mes të dylberit dhe ashikut (jaranit), më së miri do të na dëshmojnë vargjet e strofave vijuese të shkëputura nga një këngë:
    “Amanet, mori, ti hanë,
    Pashë atë Zot, qi të ka dhanë,
    Që banë dever gjithë dynjanë,
    A s’ ma ke pa kund jaran?!”

    “Amanet, o more, ti diell,
    Pashë atë Zot, qi vranë e kfijellë,
    Qi banë dever shtat palë qiell,
    A s’ ma ke pa kund Brahimin?!”…

    Në një moment, kur ashiku e ndien vetin të vetmuar, të varfër dhe të nënçmuar nga të tjerët, nga frika se do ta braktisë edhe dylberi i tij, ai do t’i këndojë kështu:

    “I mjeri unë, jam rritë jetim,
    Njeri s’ flet mirë për mue!
    O, dylber, dylberi im,
    T’ baj rixha, o , ti me due”!

    Nga xhelozitë e shumta që zhvilloheshin në mes të ashikëve dhe dylberëve, shumë herë vinte edhe deri tek vrasjet e dylberëve. Në këto raste, thureshin këngë me figurat më të fuqishme përmes të cilave do të përshkruhej bukuria e dylberit:

    “T’ ejtën prama, na erdh haberi,
    Thanë se u vra Hysen Selimi!
    Sy e vetulla mos ju kalbshin,
    Në xhenet na i voftë shpirti!”

    Dylberët, jo vetëm që e kanë luajtur rolin e femrave ndaj ashikëve të tyre, përmes akteve seksuale, por ata në shumë raste edhe janë veshë e zbukurua në stilet e femrave.
    Në një rast, kur dylberi ishte hidhëruar me ashikun për një kohë të gjatë, ai do të pendohet, do të vishet në rroba të femrës dhe do të takohet te kroi me ashikun e vet:

    “Nurçe begu, duel te ura –
    Veshë fustanin turra – turra!
    Nurçe begu, duel në krue –
    Me ashikun kish pajtue!”…

    Në shumë raste, kur dashuria në mes të ashikut dhe dylberit është shkatërruar, ashikët i kanë përdorë të gjitha metodat për t’ u pajtuar me dylberët, madje duke iu shkruar edhe hajmali dhe duke u lutur në namaze të ndryshme:

    “Mora abdesin e sabahut,
    Me ja ba duvanë dylberit –
    Si s’ po m’ flet arshik të mjerit?!
    Qati Velës, i kam thanë –
    K’ta dylbera s’ po na donë!
    Si n’ na daçin e mos t’ na flasin –
    Hajrin vetit mos ja pafshin!”…

    Po qe se i analizojmë tekstet dhe figurat krahasuese të këngëve të ashikëve dhe dylberëve, shumë shpejt do të bindemi se krahasimet që iu bëhen përmes figurave, bukurisë së dylberëve, vështirë se mund t’ i gjejmë diku në këngët e dashurisë së mirëfilltë ndaj femrave:

    “Kush asht mret i djelmënisë?
    Shaban begu, plot me naze!
    Hanë e diell, jesin hajran,
    Kur xhezdisë sikur meleqi!
    Kush donë me pa yll me bajrak –
    Bukurinë, o, te Shaban begi!”…

    Demir KRASNIQI

    koment nga cakolli — 6 Tetor 2008 @ 4:59 pm

  2. ZBULOHET EDHE NJË THESAR I MADH KËNGËSH POPULLORE

    Përkundër faktit se këngëtari ynë i madh Qamili i Vogël, i cili hyri në legjendat e këngës popullore shqiptare: si këngëtar, krijues i këngës dhe mbledhës i folklorit muzikor tradicional, na i la në trashëgimi gjithsejtë 11 tufëza këngësh popullore, qindra disqe gramafoni, shirita magnetofoni, audio kaseta dhe video kaseta – bagazhi i tij krijues dhe veprat e mbledhura nga vlerat tradicionale të popullit, vazhdojnë të zbulohen edhe pas 17 viteve të vdekjes së tij.
    Kështu, pas shumë hulumtimesh në arkivin dhe dokumentacionin e tij krijues, familjarët e Qamilit të Vogël, arritën që t’ a zbulojnë edhe një thesar të madh të këngëve popullore nga opusi i tij krijues dhe nga trashëgimia tradicionale popullore.
    Në këtë thesar këngësh, të zbuluar në dorëshkrimin e këngëtarit të ndjerë, bëjnë pjesë edhe 300 këngë popullore, shumica prej të cilave nuk janë botuar, kënduar, as publikuar deri më sot. Nga materiali i ruajtur me kujdes nga vet dora e këngëtarit të ndjerë, shihet qartë se ai deri sa ishte i gjallë , përgatitej që ato t’ i incizonte dhe t’ i botonte në librat vazhdues!
    Në këtë fond këngësh bëjnë pjesë: këngët e krijuara nga vet Qamili i Vogël dhe këngë popullore nga tradita jonë muzikore.
    Tek cikli i këngëve të krijuara nga Qamili i Vogël, na paraqiten tri lloje të autorësisë së tij:
    Këngë, mbi të cilat Qamili i Vogël, është autor i teksteve dhe të melodive.
    Këngë, mbi të cilat Qamili i Vogël, na paraqitet autor vetëm i melodive dhe
    Këngë, mbi të cilat Qamili i Vogël , na paraqitet vetëm autor i teksteve të tyre.

    Në mesin e këngëve tradicionale popullore, të cilat këngëtari i ndjerë , i kishte mbledhur , shënuar dhe ruajtur me përkushtime shpirtërore nga të gjitha vendet dhe krahinat shqiptare, globalisht bëjnë pjesë këngët traditës urbane dhe këngët e traditës rurale.
    Marrë në tërësi, ky fond i këtyre këngëve i takon këtyre cikleve:
    Këngë dashurie me motive fshatare ,
    Këngë dashurie me motive qytetare,
    Këngë ashikësh dhe dylberësh ( dashuria në mes të dy gjinive të njëjta ),
    Këngë dasme, fejese, martese dhe këngë të lindjes,
    Këngë kurbeti, ushtrie, burgu dhe nizamësh,
    Këngë historike,
    Këngë patriotike,
    Këngë të LNÇ-së,
    Këngë të ndërtimit socialist,
    Këngë përkushtimesh,
    Këngë elegjiake,
    Këngë vajtimi dhe
    Këngë satirike

    Ndër këngët më të vjetra të traditës sonë popullore, zënë vend një numër i konsiderueshëm i të ashtuquajturave :”Këngë ashikësh dhe dylberësh”, apo ndryshe në zhargonin popullor, quhen edhe “Këngë arshikishte”.
    Në këngët e këtilla, përdoret një gjuhë e vjetër qytetare, në të cilat përdoret një zhargon shumë i rëndë i fjalëve, shprehjeve dhe termave të pakuptueshme, në mesin e të cilave ka shprehje turke, arabe,persishte dhe të ndonjë gjuhe tjetër.
    Një kapitull tjetër i këtyre këngëve, janë produkt i krijuesve dhe interpretuesve të kohës socialiste – komuniste, në të cilat fund e krye imitohet krijimtaria artistike popullore e ideologjisë së Partisë së Punës së Shqipërisë Socialiste të Enver Hoxhës, ku lajtmotiv i kësaj krijimtarie, fund e krye është motivi i punës dhe i ndërtimit socialist.
    Krijuesit e këtyre teksteve – këngëve, nuk na janë të njohur në shumë raste, nga se atë kohë ndiçeshin nga organet e rendit dhe të qetësisë publike, madje edhe dënoheshin me burg. Mirëpo, ka edhe disa raste kur na jepen me emër e mbiemër autorët – tekst shkruesit e këtyre këngëve.
    Ajo që bie në sy, gati se në të gjitha këngët e këtij lloji, është se figurativisht, dashuria ndaj Shqipërisë – fshihet gjithmonë me nocionin topografik “Malësi”, apo “Malësia”, kurse dashuria ndaj Partisë së Punës së Shqipërisë, përshkruhet përmes nocionit “Rini “, apo “Rinia”!
    Vlen të theksohet se Qamili i Vogël, nuk ishte i dhënë pas krijimtarisë së këtij lloji këngësh, por ato i kishte mbledhur, kultivuar, incizuar dhe ruajtur, në saje të disa grupeve artistike amatore, me të cilat gjatë tërë jetës së tij, kishte punuar me të vetmen dëshirë:që kënga shqipe të mos harrohet, të mos bastardohet dhe që ajo të depërtojë kudo në nën- qiellin e tokave shqiptare!
    Në mesin e ciklit të këngëve historike, Qamili i Vogël nuk e la pa e shti nën notat e melodisë dhe tingujt e çiftelisë asnjë personalitet të shquar të historisë sonë kombëtare, nëpër shekuj e dekada të ndryshme historike. Ai , iu thuri këngë dhe iu këndoi me dashuri e pietet të lartë artistik: Skënderbeut,Azem Bejtës, Qerime – Shotë Galicës, Avni Rrustemit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Oso Kukës, Ali pashë Tepelenës, Idriz Seferit, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e shumë e shumë patriotëve, trimave dhe heronjve të dëshmuar shqiptar.
    Kaptinë e veçantë e këtyre këngëve, pa dyshim janë këngët që i janë kushtuar LNÇ-së, heronjve dhe dëshmorëve të rënë gjatë kësaj lufte. Për tu futur me përkushtim të veçantë në krijimtarinë e këtij cikli këngësh, Qamili i Vogël, ishte i frymëzuar vazhdimisht, nga se edhe vet kishte qenë pjesëmarrës i LNÇ-së. Andaj, dëshira e tij prej një krijuesi human, nuk lejonte që në opusin krijues të këngëve të tij, të harrohen dëshmorët dhe heronjtë e popullit!
    Në këtë cikël këngësh, ai i këndon me pietet shumë personaliteteve relevante të asaj kohe, si:Ali Kelmendit, Emin Durakut, Xhevdet Dodës, Ganimete dhe Abedin Tërbeshit, Abdullah Shabanit, Hajro Shamanit, Hysni e Musa Zajmit, Fadil Hoxhës, Ramiz Sadikut, Zenel Hajdinit, Hajdar Dushit, Asim Vokshit, Xhemajl Kadës e shumë të tjerëve.
    Në mesin e ciklit të këngëve të përkushtimit, pa dyshim vend meritor kanë këngët kushtuar: Vaso pashë Shkodranit, Shtjefën Gjeçovit, Hivzi Sulejmanit si dhe dy këngë kushtuar këngëtarit legjendar elbasanas : Jusuf Ahmet Myzyrit, prej të cilit, Qamili si i ri, kishte mësuar dhe trashëguar shumë këngë popullore.
    Fatkeqësisht, shumica prej këtyre këngëve nuk e përjetuan fatin, që të këndohen, të botohen dhe të jetësohen për publikun e gjerë shqiptar, nga se vdekja e pamëshirshme na e mori këtë bard të këngës popullore shqiptare, në moshën më të mirë, kur ne pritnim edhe shumë e shumë këngë të reja e të kënduara prej tij.
    Qamili i Vogël, u nda nga kjo botë më datën 04 Nëntor 1991, duke mbetur me sy hapur, nga malli dhe dëshira e tij jetësore, që ta shoh Kosovën e lirë, të pavarur dhe shtet sovran! Që t’ ia dhuroi asaj këngët më të ngrohta, të cilat i kishte fshehur thellë në shpirtin e tij krijues dhe i kishte ruajtur gjatë tërë jetës së tij!

    Demir KRASNIQI

    koment nga cakolli — 6 Tetor 2008 @ 5:00 pm

RSS e komenteve TrackBack URL

Shkruaj një koment