GJENOCIDI SËRBO-MALAZEZ MBI KËNGËT TONA POPULLORE

31 Tetor 2008 0

Pa kategori @ 2:47 pm

GJENOCIDI SERBO-MALAZEZ NË KËNGËT TONA POPULLORE

Nuk është e rastësishme dhe e pa bazë thënia popullore se “odat shqiptare kanë qenë shkollat e para popullore”, apo “odat shqiptare kanë luajtur rolin e një universiteti  gjithë popullor”!
Vërtetë , odat kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në të kaluarën tonë historike, sidomos në atë kohë kur shqiptarët nuk kishin  të drejta shkollimi e  arsimimi , nga  dielli i lirisë shqiptare ishte i mbuluar nën vellon e rëndë të okupimit dhe robërisë klasike.
Odat popullore ishin logje burrash  dhe kuvende popullore, në të cilat organizohej mikpritja, bujaria dhe bukë-dhënia , si për mikun e dashamirin, ashtu edhe për kalimtarët e largët nga vendbanimet  tjera shqiptare. Aty, bisedohej shtruar për çdo gjë që kishte të bënte me problematikën dhe jetën shqiptare. Aty dëgjohej fjala e urtë e njerëzve të mençur, filozofia popullore, historia kombëtare, strategjia e mbrojtjes dhe qëndresës. Flitej për moralin, nderin , mençurinë, urtësinë, trimërinë, drejtësinë dhe për gjithçka që ishte në dobi e interes të popullit dhe të kombit.
Në odat tona popullore mbaheshin edhe kuvende burrash mendjendritur, ku zgjidheshin shumë probleme, ngatërresa, pajtime gjaqesh…por edhe strategji për luftë, vetëmbrojtje dhe rezistencë ndaj armikut.
Nisur nga këto funksione të cilat i kanë luajtur odat tona popullore, me të drejtë , ato janë quajtur:”Odat e burrave “ dhe në to asnjëherë nuk kanë pasur vend fëmijët, të rinjtë e moshave të mitura dhe bota femërore. Kjo, nga se bisedat dhe problemet të cilat janë trajtuar nëpër odat e burrave, nuk kanë guxuar në asnjë mënyrë që të bien në veshët e fëmijëve, të rinjve dhe botës femërore !
Me që thamë se odat e burrave janë quajtur “Universitet popullor”, aty në rolin e ligjëruesve kanë qenë “pleqnarët” , apo burrat e ngritur me përvojë dhe dije të pa kontestueshme. Andaj, të gjithë burrat që kishin nderin dhe privilegjin që të jenë pjesëmarrës të odave, ishte traditë dhe zakon që kur ta merr fjalën kryeplaku, pleqnari, apo njeriu i ngritur me autoritet, përderisa ai e kishte fjalën – të tjerët duhej të dëgjonin me vëmendje dhe qetësi absolute!
Krahas kryepleqve, pleqnarëve dhe njerëzve autoritativ të odave, që ishin në rolin e ligjëruesve dhe edukatorëve popullor, menjëherë pas tyre radhiteshin rapsodët popullor, të cilët nëpër shekuj e kënduan historinë tonë kombëtare, përmes vargjeve epike, përmes këngës dhe përmes veglave muzikore autoktone.
Sipas zakoneve dhe traditave tona kombëtare, edhe gjatë këndimit të rapsodëve nëpër odat tona popullore, është dëgjuar me vëmendje, me respekt shumë të lartë njerëzor dhe me një disiplinë absolute.
Por, odat tona popullore, përveç që luanin rolin e universiteteve popullore, rolin e kuvendit të burrave, ato gjithmonë ishin edhe arenë, apo amfiteatër popullor, ku zhvilloheshin edhe shumë aktivitete kulturore popullore, duke filluar prej ndejave popullore, ahengjeve , fejesave e dasmave popullore, në të cilat kultivoheshin vlera artistike popullore, si: fjalë të urta popullore, tregime, mahi popullore, lojëra të ndryshme popullore, humore, këndime, vallëzime, luajtje me instrumente muzikore…ku njerëzit argëtoheshin dhe disponoheshin në mënyrë kulmore.
Por, po i kthehemi rolit të rapsodëve popullor në odat dhe gazmendet tona popullore.
Përderisa në krahinat rurale shqiptare, mungonte liria, shkollimi, libri, informimi, mosnjohja e historisë kombëtare, komunikimi mes njerëzve nga vendbanimet më të largëta, i vetmi burim i dijes dhe mësimit të historisë kombëtare, ishte kënga rapsodike e kënduar nga rapsodët popullor.
Horizonti i dijes së rapsodëve popullor ishte i gjerë sa oqeani, nga se ata në mënyrën më besnike dhe më autoktone , iu kënduan ngjarjeve të ndryshme historike, luftërave të përgjakshme, trimave, heronjve, por edhe traditave e zakoneve tona popullore.
Kësaj radhe, do të ndalemi në njërën ndër temat më të dhimbshme dhe më të përgjakshme të historisë sonë. Pra, do të ndalemi tek gjenocidi serbo-malazezë në këngët tona popullore, ku do të shkoqisim disa fragmente nga rapsoditë tona popullore, në mënyrë që të shohim e të bindemi se si janë trajtuar këto tema dhe ngjarje të kobshme , nga ana e rapsodëve tanë popullor.
Në analet e folklorit tonë muzikor, shpeshherë na ka rënë të dëgjojmë nga rapsodët tanë popullor, një rapsodi e cila në popull njihet me dy emërtime: “Kanga e Junanit” (Greqisë) dhe “Kanga e Brahim pashës”. Që të dyja këto emërtime përmbajnë në veti të njëjtin tekst dhe të njëjtën ngjarje. Në këtë këngë , në mënyrën më rrëqethëse përshkruhet gjenocidi grekë i ushtruar gjatë periudhës së sundimit osman në tokat ballkanike, me theks të veçantë, mbi popullatën myslimane.
Ndonëse , krijuesi rapsodik popullor, brenda kësaj kënge nuk na jep të dhëna se cilit komb i përkasin viktimat  myslimane të  gjenocidit grekë , po qe se e analizojmë mirë tekstin e kësaj kënge, do të vijmë në konkluzion se këtu është fjala për gjenocidin grekë të ushtruar mbi popullatën myslimane shqiptare:

Brahim pasha keq koka ngushtue,
T’ mirë ni letër, pasha e ka shkrue ,
Shumë selamet mretit ja ka que  -
Aman, babë, dertin kqyrma mue ,
N’ shpinë Junani mu ka lshue,
Shumë zullumet babë, i ka punue ,
Se n’ xhirit çka ka damtue ,
Gratë me yzër na i ka coptue,
Thminë në djep na i ka  shkurtue,
Motrat tona n’ Junan na i ka que !…
Ni  sandak , pasha, e ka marue,
N’ qatë sandak çka ka palue,
Duert e sabive - çka i kanë shkurtue,
Sytë e femnave i kanë palue,
Krejt Junani çka i ka damtue !…

Kryeprotagonisti i gjenocidit serbo-malazez  që është ushtruar mbi popullatën myslimane dhe shqiptare në krahinën e Sanxhakut, në qytetin e Novi Pazarit (Tregut të Ri) dhe në qytezën e Rozhajës, pa dyshim është Komandanti i Forcave Çetnike Serbo – Malazeze , Drazha Mihajlloviqi.
Edhe plojat e përgjakshme gjenocidale të ushtruara mbi popullatën e pambrojtur dhe të pafajshme shqiptare, nën drejtimin e Drazha Mihajlloviqit, rapsodët popullor shqiptarë i kanë kënduar në mënyrën më besnike, pa iu shmangur për asnjë çast të vërtetave historike. Po e shkëpusim vetëm një fragment nga rapsodia popullore që i këndon ngjarjeve tragjike nga luftërat e përgjakshme të Drazha Mihajlloviqit:

Haj medet për Rozhajë të zi,
Drazhë Mihajli, n’ Pazar ka hi,
Po grinë robë e po grinë thmi,
Nuse e çika i ka shti n’ Serbi,
I kanë nxjerrë katër killa sy,
I kanë pre nandë killa gji –
Ja kanë çue Drazhës n’ Cetinë!…
Drazhë Mihajlit ja paskan que ,
Fort ky Drazha koka gzue,
Jallah bani n’ kamë na u que –
Rrnofshi vllazën, asqert e mi,
N’ myslimanë paski banun zi!

Dhe ja se ç’ na thotë rapsodia shqiptare në vazhdim, për  planet dhe ambiciet gjenocidale të Drazha Mihajlloviqit, kundër popullit shqiptarë të Kosovës:

Tash po vjen kjo vera tuj dalë,
Mbushen malet me dushk e barë,
Se n’ Kosovë ,  kemi me dalë,
Kem mej marrë kah ka shqiptarë !
Nëpër shehre do t’i  tubojmë,
Thminë e vogël -  n’ furra do t’ jav çojmë,
Nëpër furra kemi me jav pjekë,
Kanë mej hangër nana e baba i vet!
Nana e baba, thminë kur t’ i hanë –
Zemra n’ bark ka me ju plasë!
Pleq e plaka se çka janë –
Nëpër prroje patare do t’i bajmë!
Nuse e çika se çka janë –
Do t’ jav japim asqerit tanë!
Djemtë e ri se çka janë –
Do t’ jav lidhim duer e kamë,
Nëpër soba t’ veta do t’ i çojmë,
Me gra t’ tyne n’ soba na do t’ shkojmë!
Me gra t’ tyne kur t’ deshmi me ra –
Me sy t’ vet kanë me na pa,
Zemra n’ bark ka me ju plasë !
Kërkujt bukë s’ kemi mej dhanë,
Me dru shpirtin kem me jav marrë!

Kolonizimi i tokave shqiptare me serbë e malazezë, ishte një plagë e madhe historike për popullin vendor shqiptarë. Andaj, edhe këtë elaborat famëkeq të gatuar nga kuzhinat fashiste të Beogradit dhe Podgoricës, nuk e lanë pa e vu në vargje rapsodike dhe pa e kënduar mbi telat e çiftelive, rapsodët tanë popullor.
Njëra ndër ngjarjet më tragjike të kolonizimit serbo- malazez mbi tokat shqiptare të Kosovës, pa dyshim se ishte kolonizimi i fshatit Brezhnicë, në mes të Prishtinës dhe Vushtrrisë, ku para se të kolonizohej ky fshat me malazezë, kishte vetëm 30 shtëpi. Mirëpo, okupatorët , gllabëruesit dhe pushtuesit serbo-malazezë, gjithmonë kishin në shënjestër dyfishimin e banorëve me kolonë – karshi numrit të banorëve autokton shqiptarë, në mënyrë që kolonët të mbisundojnë dhe të jenë në epërsi të fuqisë njerëzore!
Kolonët ardhacakë serbo-malazezë, nuk zgjidhnin mjete, as metoda të barbarisë së tyre të egër, për ta thyer moralin dhe dinjitetin e vendorëve autokton shqiptarë! Ata, gjithmonë i kanë përzgjedhur njerëzit më autoritativ, për t’ ua cenuar moralin, nderin dhe pronën, me qëllim që të bëjnë trysni mbi popullatën shqiptare për t’ i braktisur tokat e tyre dhe për t’ i shpërngulur me dhunë në shkretëtirat e Anadollit!
Kështu, në fshatin Brezhnicë, e zgjedhin për ta viktimizuar imamin e këtij fshati, duke ia përdhosur moralin dhe nderin e familjes së tij, madje duke ia kërcënuar gratë tek bunari i fshatit, ku ato pa tjetër duhej të shkonin për ta furnizuar familjen me ujë të pijshëm:

Kjo Brezhnica, tridhetë shpi -
Gjashtdhetë shpi cërrnagorë janë hi!
Gjashtdhetë shpi cërrnagorë  poj çojnë,
Shpijat me pllan po jav marojnë !
N’ ni bunar kishin ujë me marrë,
Gratë e hoxhës po shkojnë n’ bunar,
Vrajmi zot, carrnagort ç’ po bajnë –
Ju kanë ra grave n’ bunar,
Gjithë çka a zi, nër sy tu ju thanë,
Tana kënatat  llom po jav bajnë !

Invadimi serbo-malazezë mbi tokat shqiptare, më 1912, mori me veti shumë viktima të pafajshme dhe të pambrojtura shqiptare gjithandej trojeve etnike në Kosovë dhe Maqedoni. Për këto ngjarje tragjike, vrasje, therje, përndjekje dhe shpërlarje të tokave shqiptare me gjak, ja një fragment nga një rapsodi popullore:

Kjo Morava po banë gjak,
Po na pret shkau ditë e nat’!
Po hecë Ibri tuj vajtue –
Gjak shqiptarie shkon tuj que !
Në  Lepenc  gjaku shkumon –
Gjak shqiptari sun po çon!
Çka Vardari qi po gjumon –
Gjak shqiptari shumë po banë !
Po vajtojnë fusha e male –
Qi naj prenë këta shqiptarë !
Po vajtojnë burra e gra –
Shqiptarinë e preu ky shka !
Vajtojnë çika e vajtojnë djem –
Shkavi shumë ne po na prenë !
Pleq e thmi shumë po vajtojnë –
T’ mjertë na t’ mjertë  pa vatan !

Ushtrimi i gjenocidit serbo-malazezë , mbi popullatën autoktone shqiptare në Kosovë, ushtrohej në mënyrat më perfide barbare, të pa para në historinë e civilizimit njerëzor. Kolonizatorët nuk ngopeshin me gjak të shqiptarëve, as me përndjekjet e tyre nga  vatrat shekullore. Ndaj atyre që mbeteshin të gjallë dhe nuk shpërnguleshin dot, ata shkonin aq larg, sa deshën që t’ ua ndërrojnë edhe fenë me anë të dhunës, vrasjeve dhe torturave, në mënyrë që shqiptarët autokton të detyroheshin ose të bëhen ortodoks, ose të ikin brenda natës nga trojet e tyre !
Një shembull i këtillë , me përmasa tragjike kishte ndodhur në Lugun e Baranit, përkatësisht në fshatin Gorazhdevc, ku një udhëheqës i bandave çetnike, i quajtur Sava i Basanit, i tubon të parët e fshatit Baran të Epër dhe i kërcënon me dhunë që ta ndërrojnë fenë!
Me që , shqiptarët nuk pranojnë me asnjë kusht dhe asnjë çmim për ta ndërruar fenë e tyre, atëherë Sava i Basanit, me ekspediten e vet prej xhelatëve çetnikë, i urdhëron shqiptarët e atij fshati që më parë t’ i gropojnë varret e veta në një mal afër kishës së Gorazhdevcit dhe i pushkaton të gjithë!
Nga rapsodia popullore që e përshkruan këtë ngjarje të llahtarshme, po e shkëpusim vetëm një fragment:

Savë Basani n’ kamë na u çue ,
N’ Baran t’ Epër koka shkue,
Te tanë kmetat i ka tubue ,
Mejherë Sava i ka kallxue –
M’ ka ardhë emri fenë me jav ndrrue,
Nestra e dielle asht qillue,
Tanë në kishë  kena me shkue,
Mej ngue popat çka u thonë juve,
Si mos dishit me u kryque ,
Unë vet, Sava, kam me ju msue !

Hazir Alija, n’ kamë na u que,
Ktheu bre Savë e fol me mue,
Ku ke nije shqiptartë fenë me ndrrue?
Pa na gri, pa na coptue ,
Tybe n’ mundesh fenë me na e ndrrue !
Savë Basani koka idhnue,
Xhanarisë ju ka ngërmue,
Xhanarija i kanë rrethue,
Duert në bleqe jav kanë vnue,
N’ Garazhdec te kisha i kan çue,
Ngat ni mal asht qillue,
N’ at mal t’ shkretë i kanë ngujue,
I kanë shti vorret  mej marue,
Se te vorret Sava i ka çue,
Edhe i herë ju kish kallxue –
Kqyrni vorret ku i keni marue,
A po doni fenë me qef me ndrrue,
Kapetana kam me ju marue,
N’ Koloshin kam me ju çue,
Koloshinin kini me sundue !
Pra, mos dashi fenë me qef me ndrrue –
Krejt batare kam me ju marue,
N’ qito vorre kam me ju gjue!

Hazir Alija ni fjalë pe flet,
Shokve t’ vet po u jep gajret –
Çone vllazën ka i gisht përpjetë,
Ta bajmë Zotin me isharet,
Se ky Sava sod po na pret !

Tanë pe qojnë ka ni gisht përpjetë,
Pe bajnë Zotin me isharet -
Ni batare Sava po jav jep !
Ni batare Sava jav ka lshue,
Te tanë trimat n’ vorre kokan rrxue !
Se për s’ dyti, batare jav lëshojnë –
Te tanë trimat jetë po ndrrojnë !
Te tanë trimat kanë ndrrue jetë,
Se për komb, trimat kanë vdekë !

Njëra nga ngjarjet më tragjike të gjenocidit serbo-malazezë, të ushtruar në vazhdimësi mbi popullin shqiptar, pa dyshim është edhe ploja mbi fshatin Kabash të Prizrenit, ku Kryeçetniku i quajtur Spiro Kapetani nga fshati Dellovc, i mbledh me emër e mbiemër djemtë dhe burrat më të mirë të këtij fshati dhe i vret pa kurrfarë gjyqi, as faji, hiq më pak se 90 shqiptarë !
Edhe kjo ngjarje tragjike, sipas të dhënave të rapsodisë popullore, do të ketë ndodh menjëherë pas okupimit të Kosovës nga ana e Serbisë, më 1912.
Nga kjo rapsodi, po e shkëpusim vetëm një fragment:

Serbi i parë n’ këtë ven kur ka hi –
Shumë kanë hjekë shqiptarët e zi,
Tanë tuj pre e tanë tuj gri,
Spirë Dellovci u paska pri!
Spirë Dellovci, ushtarëve ju pri –
Se n’ Kabash naj paska shti!
Se n’ Kabash, ata kur po hinë,
Spirë  Dellvci vet po ju prinë!
Me defterë te tanë naj ka thirrë –
Kah janë kanë burrat ma t’ mirë ,
E te tanë t’ shkretit poj lidhë !
Poj lidhë burrat, o haj medet,
E te kisha te tanë poj qet,
Me defterë te tanë poj thrret!
Kamë e duer , Spira i kish përvjelë –
Pret shqiptarë, si me pre berrë!
Me dorë t’ vet , Spira poj pret,
Rrokotel krenat  po jav qet ,
Gjak e krye po u rajke n’ rekë!
Poj pret Spira, shqiptarët e shkretë,
I ka pre Kabashin nandëdhetë,
Kah janë kanë burra t’ vërtetë !

Pas çdo krimi të organizuar mbi shfarosjen e popullit shqiptar, udhëheqësit e këtyre  masakrave , gradoheshin nga ana e krajlit të tyre në Beograd !
Ja se si i lavdërohet Spiro Kapetani, bashkëveprimtarit të tij – Files, pas masakrës së kryer në fshatin Kabash:

Po vjen Spira në kali t’ bardhë,
Bashkë me Filen, si bajraktarë !
Po vjen Spira tuj u livdue  ,
Për shqiptarë sa i ka shkurtue -
Krali s’ ka kapetan si mue,
Gradat flakë, mue mi ka çue!
Flakë, mue gradat qi m’ kanë ardhë,
Se i kam pre nanddhetë shqiptarë !
Po kallxojke me gojë t’ vet –
I kam pre Kabashin nandëdhetë ,
Kah janë kanë shqiptarë t’ vërtetë !

Kasapët e  tërbuar  serbo-malazezë , nuk i kursenin shqiptarët për t’ i kasapitur as gjatë festave të tyre fetare! Ata e dinin mirë se shqiptarët janë besimtarë të paepur të fesë dhe të festave fetare.
Kështu që diku rreth vitit 1885, Kryeçetniku i Serbisë, i quajtur Novica i Zi, mu në  Ditën e Bajramit, iu prinë forcave çetnike prej 300 vetash dhe hynë në pabesi në fshatin Mavriq të krahinës së Llapit, mu në kohën kur e dinte se të gjithë burrat gjenden në xhami duke e falur namazin e Bajramit dhe e sulmojnë familjen e Demë Ahmetit, me qëllim që t’ ia grabisin vajzën e tij – Ajetën !
Me atë rast, fillon lufta e përgjakshme në mes të forcave të armatosura çetnike dhe rezistencës së familjarëve të Demë Ahmetit, të cilit atë ditë ia presin 30 anëtarë të familjes, shumë mysafirë të rastit që kishin shkuar për t’ a uruar festen e Bajramit, ku prej tyre shpëtojnë të gjalla vetëm dy rejat  me një nip të vogël të  Demë Ahmetit, të cilat Novica i Zi me çetnikët e tij, i merr dhe i çon për në Serbi!

Zoti e vraftë kaurreshën plakë,
Po del para Novicën pe mëson!
Pe mson Novicën , çka me punue:
“N’ëm ngofshi mue, vetit za mej çue,
Ju, si n’ dashi me hi n’ Shypni,
Qi e kceni hudutin me dalë n’ atë anë,
Ju mej ra për rreth Mitrovicës,
Për rreth bjeshkës së Vuçitërrnës,
Ju mej ra katunit t’ Mavriqit !
Ju, n’ Mavriq, biro keni me shkue,
Demë Ahmetin, n’ Mavriq me e rrethue!
Tridhetë robë, Dema na i ka ,
Të përmendun  , biro, shpi me za ,
Ni çikë n’ bylyk , Dema e ka ,
Ju , Ajetën , n’ mujshi me ja marrë!
Me ja marrë e n’ Serbi me e prue ,
Ni djalë t’ ri me ta me e martue,
Lavd i madh, biro, ka me u dalë!”…

Zoti e vraftë, Novica ç’po banë,
E thirrke n’ emën, si ta kishte nanë!
Oj Hanife, n’ shami t’ bardhë,
A po m’ vetë për çka jam ardhë?
Nuk jam ardhë me ba Bajram,
Me treqin vetë rrethue ju kam ,
Jam ardhë Ajetën sot me jav marrë !

Luftë e shtirë atë ditë ish marue,
Mashqit e Demës, krejt janë damtue,
Musafirtë krejt çka janë qillue,
Kulla e shpija, rrafsh ja kanë rrafshue,
Tridhetë robë, Demës, ja kanë shkurtue,
Veç dy rejat i kishin pshtue!
Veç dy rejat me ni sabi,
E ja marrke Novica i Zi,
Poj çon lidhun tuj i rrehë kamxhi,
Kcejnë kufinin e i çon n’ Serbi!…

Bishat e egra gjakatare serbo- malazeze, nuk dinin të ngopur me gjakun e shqiptarëve. Ata suleshin në gjah mbi shqiptarët me të gjitha forcat dhe mënyrat më të egra të barbarisë dhe të çmendurisë! Sulmonin familjet më të njohura nëpër rrethe të ndryshme, ku përveç vrasjeve e therjeve të njerëzve, ua digjnin shtëpitë dhe gjithë çka kishin para veti. Ua plaçkitin tërë pasurinë që kishin, madje edhe shtazët shtëpiake!
Njëra nga ngjarjet më tragjike të gjenocideve të kësaj natyre, është rasti i familjes së Selman Lites, që ishte njëra ndër familjet më të pasura dhe më autoritative në Rrethin e Rekës së Keqe .
Selman Lita ishte një njeri i njohur për pasuri në atë rreth, sidomos për kultivimin e deleve, të cilat i mbante në një numër të madh nëpër stane të bjeshkës.
Hajdutët dhe kriminelët gjakatarë serbo-malazezë , ia kishin vu syrin kopeve të deleve të Selman Litës, për t’ ia vjedhur, por për ta kryer këtë akt barbar, sulmuesit dhe hajdutët çetnik, ia kishin ruajtur ditën më të gëzuar familjare, pronarit të deleve – Selman Litës, mu në ditën e dasmës, kur ai po i martonte dy djemtë e tij dhe po bënte dasmë të madhe me 300 krushq e tri palë tupanë!
Kriminelët çetnikë hajdutë, e kishin përcjell gjendjen, kur dasmorët e Selman Litës, kishin shkuar për rrugë për t’ i marrë dy nuset e djemve të Selmanit dhe mu në ato momente, ia sulmojnë stanet e deleve, me ç’ rast ia vrasin çobanët e deleve, ia vrasin 12 qentë dhe ia plaçkitin 300 copa dele!
Selman Lita, sikur ta dinte se do t’ i ndodhte kjo tragjedi dhe nuk kishte shkuar krushkë bashkë me dasmorët, por kishte ndej për t’ i ruajt djemtë dhe familjen.
Me të hetuar se hajdutet çetnikë ia morën delet , ia vranë çobanët dhe qentë, e merr martinën dhe niset për t’ iu bërë rezistencë . Pas tij, i shkojnë në ndihmë edhe dy djemtë e tij, të cilët po i prisnin nuset për t’ u martuar atë natë. Mirëpo, forcat armike ishin shumë herë më të forta dhe ia vrasin edhe dy djemtë e Selmanit:

Selman Lita po rrin n’ krevet ,
Poj shkojnë sytë te stani i vet –
Ranë komitat  ja muerën dhentë !
Ranë komitat ja  kanë marrë gjanë,
Ja kanë vra edhe dy çobanë,
Ja kanë vra edhe dymdhetë qenë,
Ja kanë marrë treqin copa dhenë !…

Çka ka Reka qi po ushton –
Selman Lita po lufton!
Thërret Musaja, more Rexhep –
Ku i kem armët, he i lashim shkret,
Se na i muerën berret në bjeshkë!
Sa po mujnë djemtë po shpejtojnë,
Babës s’ vet në ndihmë poj shkojnë!
Luftë e madhe po kërset –
Selman Litës , ju vranë dy djemtë !

Gjenocidin serbo- malazez , mbi shfarosjen dhe përndjekjen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike e vazhdoi edhe Nënkryetari i Jugosllavisë titiste – Aleksandar Rankoviqi, i cili në muajin Janar të vitit 1956, organizoi në Kosovë, Aksionin gjithë popullor për grumbullimin e armëve. Aksion ky, që kishte të bënte  ekskluzivisht vetëm  për  shqiptarët!
Nën pretekst të kërkimit të armëve, shqiptarët  i rrihnin, maltretonin e torturonin  në mënyrat më brutale , kurse qëllimi final i këtij Aksioni, ishte presioni mbi shqiptarët që me dhunë t’ përndjekin nga vatrat e veta stërgjyshore dhe të arratisen për në shkretëtirat e Anadollit të Turqisë!
Edhe për këtë ngjarje të kobshme tragjike, rapsodët popullor shqiptarë thurën dhe kënduan shumë këngë, prej të cilave e shkëputëm këtë fragment:

Vjeshtë e zezë , dimën i gjatë,
Ish kanë viti pesëdhjetë e gjashtë,
Ishin çue UDB-at në hajkë,
Mej mundue shqiptarët e ngratë,
Tanë për arme i kanë kapë,
N’ borë e n’ shi, deshë e dathë,
Rrehshin gjinën me dajak,
Si e pat e si se pat,
Hiq s’ ju jepshin, medet, afat,
Dogri i shtirshin nër dajak,
Shumë janë mbetë, për jetë sakat,
Brijtë e thyeme tuj qitë gjak !
Ashtu i rrehshin nëpër stanica ,
Kur ju shkojke letërthirrja ,
Lmerim t’ madh kishin familja,
Marrshin vajin robtë e thmija –
S’ na vjen baba ma te shpija !
S’ na vjen baba ma në shpi,
Rankoviq, he kofsh i zi,
Fort e shkepe këtë anmiqësi,
N’ mbarë Kosovën në shqiptari !…

Marrë në tërësi analizën e këtyre rapsodive dhe shumë të tjera, që ende nuk i kemi publikuar, nuk mund të mos e themi të vërtetën se  një copë të historisë sonë  kombëtare arritëm që ta mësojmë vetëm falë talentit dhe guximit të rapsodëve tanë popullor dhe nëpër odat tona popullore, nga se historia e vërtetë e popullit shqiptar në baza shkencore , profesionale dhe institucionale, fatkeqësisht , ende nuk është shkruar dhe as që dihet se kur do të shkruhet?!

Gjilan, tetor 2008.                            Demir KRASNIQI

ff5fbe23-dfb6-4b8a-b707-1eea413f06f33.jpg

PSE HUAZOHEN KËNGËT E HUAJA

27 Tetor 2008 0

Pa kategori @ 11:38 am
 

Demir Krasniqi: Pse huazohen, vidhen dhe përkthehen këngët e huaja?
E hene, 27-10-2008, 04:10pm (GMT+1)

Demir Krasniqi

PSE HUAZOHEN, VIDHEN  DHE PËRKTHEHEN KËNGËT E HUAJA?

Nga Demir KRASNIQI

 Lidhur me problematikën aktuale në estradën dhe
tregun tonë muzikor gjithandej nënqiellit shqiptar , ku pa u penguar
nga askush – huazohen , vidhen dhe përkthehen këngët e huaja , është
shkruar , kritikuar e debatuar me qindra herë , por që të gjitha ato
shkrime , kritika dhe debate kanë përfunduar gjithmonë në kontejnerët e
mbeturinave shurdhmemece të shoqërisë sonë !
 Fenomeni i huazimeve,
stërkeqjeve , vjedhjeve , përkthimeve dhe adaptimeve të këngëve të
huaja , në shkrimet dhe debatet shterpa , në vazhdimësi vetëm janë
kritikuar , por asnjëherë nuk janë marrë me pasojat dhe shkaqet e
këtyre dukurive të shëmtuara të jetës sonë muzikore !
 Shkaqet të
cilat shpien drejt huazimeve, nëpërkëmbjeve , vjedhjes së veprës së
autorit , përkthimeve dhe adaptimeve të këngëve të huaja , janë të
shumta , ndërsa pasojat dhe frytet e kësaj piraterie , janë shumë të
hidhura dhe me përmasa katastrofale si për konsumatorët e këtij tregu,
aq më tepër për gjeneratat e reja që vijnë pas nesh e që rrita e tyre
helmohet me ahengjet e tymosura me vlera të tilla muzikore !
 Njëra
prej shkaqeve që i shpie në këtë rrugë të errët interpretuesit e këngës
popullore, pa dyshim është mungesa e kompozitorëve të specializuar për
krijimin dhe kompozimin e këngëve të bazuara fuqishëm mbi themelet e
traditës dhe të kulturës sonë tradicionale kombëtare!
 Ç’ është e
vërteta , ne kemi një numër simbolik të kompozitorëve të këtij  zhanri
muzikor, të cilët mund të numërohen në gishtërinj , por që të tillët
nuk  e gëzojnë përkrahjen , mbrojtjen , as stimulimin institucional për
të ushtruar veprimtarinë dhe punën e tyre profesionale.
 Po të
gëzonin mbrojtjen dhe mbikëqyrjen  institucionale, po të stimuloheshin
ata për punën e tyre, sigurisht se nuk do të iu linin kanale të hapura
hajnive, piraterive, adaptimeve, përkthimeve të këngëve të huaja, të
cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me gjenet e gjakut dhe të kulturës
sonë kombëtare!
 Në vendet demokratike, ku sundon ligji e shteti –
arti dhe kultura vihen nën kontroll të rreptë ligjor, mbrohen krijuesit
dhe veprat e tyre, por edhe stimulohen fuqishëm nga buxheti shtetëror.
 Për
të mbrojtur, stimuluar dhe avancuar krijimtaritë e ndryshme artistike,
çdo shtet e ka Ligjin mbi Mbrojtjen dhe të Drejtat e Autorëve, ku në
rastet e keqpërdorimeve dhe vjedhjeve të këtyre veprave, do të pasonin
dënime dhe gjoba të pa para dhe autorëve të tyre do të iu kompensohej
dëmi i shkaktuar !
 Ky Ligj, si duket , në analet e gjyqësisë dhe
drejtësisë shqiptare, as që ekziston, por edhe nëse ekziston, ai nuk
funksionon kurrë ?!
 Krahas mungesës së ligjit dhe mosfunksionimit
të tij, na mungon organizimi dhe mbikëqyrja profesionale institucionale
e kultivimit dhe ruajtjes së vlerave kombëtare, përmes të cilave do t’
i shpallej luftë e hapur antivlerave dhe keqpërdorimeve të vlerave.
 Mungesa
e mbikëqyrjes institucionale ka krijuar kaos të paparë edhe në tregun
muzikor, kur sot kujt t’i teket mund të ushtrojë detyrën e prodhuesit
dhe shitësit të prodhimeve muzikore, pa u verifikua, pa u vlerësua dhe
pa u pengua prej askujt !
 Deri tek devijimet dhe skandalet në jetën
tonë muzikore, njëri  ndër  viruset që  i nxitë interpretuesit e këngës
popullore për tu zhytur në ato ujëra të turbullta dhe të ndyta,
padyshim se është papunësia dhe varfëria e paskajshme .Andaj,
interpretuesit e kësaj kategorie, ndoshta pa dëshirën e tyre,  do të
futen në këto lojëra , me të vetmin qëllim që ta sigurojnë kafshatën e
bukës dhe ekzistencën e tyre !
 Në anën tjetër, nuk janë të rralla
rastet kur disa talent  të rinj i rreken profesionit të këndimit
publik, të nxitur nga lakmia dhe iluzionet se po qe se do të bëhej
këngëtar, shumë shpejt do të bëhej milioner?!
 Këtë lakmi tek
talentet e rinj, e kanë mbjell propagandat dhe reklamimet e rrejshme të
disa interpretuesve të vjetër, të cilët vazhdimisht e kanë lavdëruar
veten para opinionit publik, se gjoja ata kanë fitua miliona e miliona
duke kënduar nëpër dasma, koncerte, festivale, diskoteka, audio-kaseta,
video – kaseta, video – spote etj.
 Një kategori tjetër e
këngëtarëve të estradës, të cilët merren në vazhdimësi me këto
keqpërdorime dhe devijime, janë ata të cilët i nxitë lakmia për t’i 
ngritur vetit karrierë artistike në skenat koncertale , festivale të
ndryshme muzikore, diskoteka, shou emisione televizive, spektakle,
mediume të ndryshme, ku për të depërtuar deri tek këto skena , ata jo
që fitojnë para, por janë në gjendje të shesin edhe tokën e babait
pëllëmbë për pëllëmbë dhe t’ i paguajnë organizatorët, shoumenët, t’ i
paguajnë vetë madje edhe “Shpërblimet e para”, vetëm e vetëm që para
opinionit të promovohet si “këngëtar shumë i madh” dhe “shumë i
kërkuar!”
 Duke e nuhatur këtë mentalitet dhe këtë epsh kaq të madh,
sidomos tek talentet e rinj, shumë shpejt iu kanë rënë në gjurmë dhe në
gjah disa të ashtuquajtur “kompozitor satelitor”, të cilët veten e
promovojnë si “kompozitor dhe tekstshkrues “ të këngëve të reja
popullore!
 Kompozitorët satelitor, kujdestarojnë gjatë tërë natës,
duke i përcjellë kanalet televizive satelitore, duke i incizuar ato
programe, duke i përkthyer dhe adaptuar meloditë e atyre këngëve dhe
pastaj do të nisen për në gjah dhe mashtrime të talenteve të rinj, për
t’ ua shitur ato këngë e tekste, gjoja si kompozitor dhe autorë të
dyfishtë ! Për këtë punë të “mundimshme krijuese”, ata iu marrinë para
të mëdha interpretuesve të rinj  të këngës popullore !
 Kështu,
matrapazët e këtillë të biznesit muzikor, duke e promovuar veten si
kompozitor, tekstshkrues dhe garantues të sukseseve, i mashtrojnë
talentet e rinj (kryesisht të pa arsimuar) dhe i fusin nëpër ujëra të
turbullta me bastardime, vjedhje, amoralitete, banalitete  deri tek
pornografia !
Mungesa e mbikëqyrjes profesionale dhe institucionale,
matrapazëve të këtillë dhe mashtruesve të tregut muzikor, ua lë dyert e
hapura dhe duart e  lira, që ata vet të luajnë edhe rolin e
regjisorëve, nëpër projektet e ndryshme filmime, e në veçanti në
xhirimet e video – spoteve me këngëtarë e këngëtare të reja, të cilëve
në emër të “regjisë” dhe “artit modern”, ua imponojnë lloj-lloj skenash
amoraliteti dhe pornografi të çmendura ! Dhe e tërë kjo  “regji” bëhet
në llogari të përfitimeve materiale të menaxherit, apo producentit, i
cili ato prodhime do t’ shet në tregun muzikor, vetëm në saje të
pornografisë dhe banaliteteve!
 Mungesa e kritereve profesionale ka
bërë që  “prodhimet e këtilla artistike” , pa u penguar nga askush, të
na i vërshojnë edhe ekranet tona televizive dhe të na i bombardojnë
familjet me pornografi! Kjo flet më së miri se matrapazët e tregut
“modern” muzikor, ashtu siç dinë t’ i mashtrojnë talentet e rinj dhe t’
i viktimizojnë ata për interesa të veta materiale , dinë që t’ i
korruptojnë edhe kanalet televizive, qofshin ato të pavarura, apo
publike !
Koha ecën përpara dhe ligjet e saj ndryshojnë. Ndryshojnë 
stilet, veshmbathjet,  teknika, instrumentet, shijet e njerëzve. Por
këto ndryshime do të duhej që të na shpien përpara në progresivitet, e
jo të na kthejnë prapa deri në kohën e gurit, kur njerëzit ende nuk
kishin veshmbathje dhe mbuloheshin me lëkura të shtazëve të egra!
Edhe kënga popullore mund të modernizohet e të stilizohet në mënyra të ndryshme, por jo me banalitet, amoralitet dhe pornografi!
Autoktoni
ishte dikur edhe punimi i tokës në bujqësi me shati, parmenda, drapër,
kosë… Pastaj bluarja e drithërave me mokra , në mullinj me ujë e me
erë! Por sot ato nuk mund të përdorën në emër të ruajtjes së vlerave
dhe autoktonisë tradicionale!
Edhe kënga e muzika sot kanë 
ndryshuar nga e kaluara në mënyrë radikale. Dikur këndoheshin këngë
legjendare, epike, historike me qindra vargje, me melodi të thjeshta e
me përcjellje të instrumenteve primitive, por sot ato këngë nuk mund t’
i dëgjoj më askush, nga se ato marrin shumë kohë dhe tani jemi në kohën
e internetit e të kompjuterit…
Le të modernizohet kënga, le të
modernizohen instrumentet, le të modernizohen interpretuesit e saj, por
le të ruhet bazamenti i shëndosh kombëtar, morali i fortë, besa,
dashuria e sinqertë, bujaria, krenaria dhe të gjitha virtytet e
shëndosha të cilat e kanë karakterizua kombin shqiptar, e jo të
modernizohemi me banalitete, vullgaritete, amoralitete dhe pornografi
çmendurie !

shënime biografike

24 Tetor 2008 0

DEMIR KRASNIQI – 40 VJET ME JU

Demir Krasniqi, u lind më datën 10 Shkurt 1950, nga nëna -  Hysa dhe babai – Shefkiu, në fshatin Tugjec, të Malësisë së Gollakut të Kamenicës.
Rrjedh nga një familje skajshmërish e varfër, por e njohur për mikpritje e bujari .
U rritë dhe u shkollua në skamje, i uritur, i zdeshur dhe i zbathur , duke i ndihmuar  gjithnjë të afërmit dhe Kryqi i Kuq, si me ushqim, ashtu edhe me veshmbathje.
Shkollën e plotë fillore e kreu në fshatin e lindjes, ku gjithmonë ishte nxënës shembullor dhe i dalluar në aktivitetet e lira shkollore, sidomos në këndim, art figurativ , hartimet e gjuhës shqipe dhe në artin dramatik.
Në programet shkollore dhe festat e atëhershme shtetërore, Demiri ishte njëri ndër bartësit kryesor të programeve artistike.
Me ndihmën dhe përkrahjen e mësuesit Rexhep Bunjaku, që ishte violina e parë në Malësinë e Gollakut, Demir Krasniqi për herë të parë merr pjesë në Festivalin me karakter ndërkomunal :”Mikrofoni është i Juaji”, në Kamenicë, më 25 Maj 1964, ku si nxënës i klasës së –VII-të fillore, shpërblehet me Vendin e Parë të Jurisë Profesionale, për interpretimin e këngës së “Hajredin Pashës”.
Në vitin shkollor 1965/66 , me provim pranues regjistrohet në Shkollën e Mesme Profesionale të Muzikës “Stevan Mokranjac” në Prishtinë.
Gjatë tërë shkollimit të mesëm, Demirit i ndihmuan me libra, veshmbathje, ushqim e strehim pa pagesë: motra dhe xhaxhallarët e tij në Prishtinë.
Pas mbarimit të shkollimit të mesëm, regjistroi Shkollën e Lartë Pedagogjike – dega e Muzikës, ku i ndoqi ligjëratat plot një vjet, si student i rregullt. Mirëpo, kushtet e rënda alarmante ekonomike, ia ngulfatën dëshirën për t’ i krye studimet dhe pa dëshirën e tij, u detyrua që të ndahet nga studimet përgjithmonë!

Pedagog muzikor në shumë vatra arsimore

Në vitin shkollor 1970/71, Demir Krasniqi për herë të parë punësohet si mësimdhënës i Kulturës Muzikore, në Shkollën Fillore “7 Korriku”, (tani “Nuhi Berisha”) të fshatit të lindjes së tij, pra në Tugjec, për të vazhduar më vonë detyrën e edukatorit dhe të pedagogut muzikor në shumë shkolla fillore e të mesme të vendit, si :
-Shkolla Fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë,
-Shkolla Fillore “Milladin Popoviq” në Prishtinë,
-Shkolla Fillore “Rilindja” në Dobroshec të Drenicës,
-Shkolla Fillore “Vëllazërim – Bashkimi” në Slivovë,
-Shkolla Fillore  “Boro dhe Ramizi” në Llabjan,
-Shkolla Fillore “Milladin Popoviq” në Novo Bërdë,
-Shkolle Filllore “Fan Stelian Noli” në Viti të Marecit,
-Shkolla e Mesme Ekonomike “Eduard Kardel” (tani “Marin Barleti”) në Gjilan,
-Shkolla e Mesme Teknike “Dragi Popoviq” (tani “Mehmet Isai”) në Gjilan
-Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” në Gjilan,
-Shkolla Fillore “Vuk Karaxhiq” (tani“Thimi Mitko”) në Gjilan,
-Shkolla Fillore “Musa Zajmi” në Gjilan,
-Shkolla Fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan dhe
-Shkolla Fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan

Në të gjitha shkollat ku ka punua si pedagog muzikor, krahas punës edukativo- arsimore, gjithmonë ka themelua grupet muzikore me nxënësit e shkollave, ku ka kultivuar dashurinë e zjarrtë ndaj këngës, valles, instrumenteve muzikore dhe muzikës tradicionale kombëtare, për çka edhe është nderuar me shumë mirënjohje e diploma për punën e tij të suksesshme dhe të palodhshme.

Themelues i grupeve dhe ansambleve muzikore

Demir Krasniqi, krahas punës së palodhshme pedagogjike – arsimore, nëpër shumë shkolla fillore dhe të mesme të vendit, ku ka punuar, njëkohësisht ka  themeluar shumë grupe artistike muzikore në kuadër të shkollave.  Ai ka themelua edhe një numër të madh grupesh e ansamblesh muzikore me amatorë entuziast , gjithandej ku ka punua e jetua, me qëllim që të kultivohet kënga, vallja dhe instrumentet tona të muzikës tradicionale kombëtare.
Gjatë këtyre 40 vjetëve të karrierës së tij muzikore, Demir Krasniqi ka themelua edhe këto grupe e ansamble muzikore:

-Grupi muzikor folklorik “Vëllezërit Krasniqi” në Prishtinë,
-Grupi muzikor folklorik “Vëllazëria” në Prishtinë,
-Ansambli Vokalo – Instrumental “Çiftelia” pranë Radio Prishtinës, në bashkëpunim me kompozitorin dhe etnomuzikologun e shquar – Lorenc Antoni.
-Shoqëria Kulturo – Artistike “Kosova” në Prishtinë,
- Grupi muzikor i këngëve dhe valleve popullore “Zenel Hajdini” në Prishtinë,
-Shoqëria Kulturo – Artistike “Shpresa e Malësisë” në Tugjec,
-Bashkëthemelues i Shoqërisë Kulturo – Artistike “Idriz Seferi” në Zhegër,
-Bashkëthemelues i Shoqërisë Kulturo- Artistike “Bajram Shabani” në Kumanovë,
-Themelues i Ansamblit Folklorik “Shahiria” në Gjilan,
-Themelues i Grupit muzikor “Xhevahirët” në Gjilan,
-Themelues i Shoqërisë Kulturo – Artistike “Dituria” të shkollave të mesme të Gjilanit,
-Themelues i Ansamblit Muzikor “Krasniqja” në Gjilan,
-Themelues i Grupit të burrave “Qamili i Vogël” pranë Shkollës Fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan
-Themelues i  grupeve muzikore të shkollave fillore të Gjilanit:“Thimi Mitko”, “Marigona”, “Selami Hallaqi” dhe “Tefta Tashko”…etj. etj.

Këngëtar i rregullt i Radio Prishtinës dhe Televizionit

Që nga ditët e para, kur Demir Krasniqi shkoi në Prishtinë dhe u regjistrua në Shkollën e Mesme Profesionale të Muzikës, talentit të tij të rrallë muzikor, shumë shpejt i ra në gjurmë: pedagogu, kompozitori, etnomuzikologu, melografi dhe redaktori përgjegjës i Radio Prishtinës, tani i ndjeri Lorenc Antoni.
Lorenc Antoni, bashkëpunonte ngushtë me Demir Krasniqin, sidomos në lëmin e mbledhjes së folklorit burimor muzikor shqiptar. Kështu që, Lorenc Antoni mblodhi, shënoi, incizoi, notizoi dhe botoi me qindra këngë popullore burimore nga Demir Krasniqi, në Blenin e  IV, V,VI dhe VII,  në përmbledhjet e veta, me titull:”Folklori muzikor shqiptar”.
Me propozimin dhe sugjerimin e Lorenc Antonit, në vitin 1968, Demir Krasniqi i nënshtrohet  audicionit  profesional dhe pranohet si këngëtar i rregullt i Radio Prishtinës, ku kënga e parë që e incizoi, ishte ajo me titull:”Kuvendon Marta me gra” e cila brenda një kohe shumë të shkurtër u bë hiti më i madh dhe më i kërkuar i asaj kohe.
Që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme, Demir Krasniqi incizoi me dhjetëra e qindra këngë popullore, rapsodike dhe të kompozuara si në Radio Prishtinë, ashtu edhe në Radio Gjilan, e më vonë edhe në shumë radio-stacione tjera qendrore dhe lokale.
Si këngëtar popullor i mediave elektronike institucionale, ka qenë gjithmonë i pranishëm në emisionet dhe programet muzikore edhe të shumë qendrave televizive, si: Televizioni i Prishtinës, Televizioni i Beogradit, Televizioni i Zagrebit, Televizioni i Lubjanës, Televizioni i Shkupit , Radio Televizioni Kombëtar Shqiptar, Radio Televizioni i Kosovës, Radio Televizioni 21, Kohavizioni, Televizioni “Vali” dhe “Men” në Gjilan, Televizioni “Festa” dhe “Zëri i Kumanovës” në Kumanovë, Televizioni “Gurra” dhe “Uskana” në Kërçovë etj.

Prijatar i veprave  diskografike  dhe  produkcioneve    muzikore

Prirja për të kënduar dhe talenti i rrallë muzikor i Demir Krasniqit, shumë shpejt iu kishte rënë në vesh edhe producentëve të shtëpive diskografike  muzikore,  që atë kohë funksiononin  nën patronatin e RTJ-së në Beograd, me që në Kosovë nuk ekzistonte shtëpi diskografike.
Kështu që, në vitin 1968 , Demirit i afrohet një ofertë për të incizuar një disk gramafoni me këngë popullore  shqiptare. Kjo ofertë, për Demirin ishte një privilegj i madh, nga se në atë kohë, nuk ishte punë e lehtë që ndonjë këngëtar shqiptar të ketë disk gramafoni !
Demiri , me grupin e tij muzikor, i rreket shumë seriozisht kësaj pune e cila me vete mbante shumë përgjegjësi artistike, morale dhe kombëtare.
Me që, në atë vit, shënohej  Jubileu i 500 – vjetorit të vdekjes së heroit legjendar kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Demirit i lindi ideja që në mesin e këngëve të zgjedhura për incizim të diskut, të jetë kënga me titull:”Frynë murrlani me stuhi”, përkatësisht “Kushtrimi i Skënderbeut”, që ishte njëra ndër këngët më të preferuara të asaj kohe, që i këndoheshin Skënderbeut.
Me daljen në dritë të kësaj kënge dhe këtij disku, Demir Krasniqit iu hapen të gjitha rrugët e sukseseve dhe të afirmimit mbarëkombëtar, si këngëtar i ri popullor.
Përmes këtij disku, Demir Krasniqi arriti që ta fus figurën e Skënderbeut në çdo familje dhe shtëpi shqiptare anë e kënd globit tokësor ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët.
Është interesante të ceket se ky disk ishte më i shituri në tregun muzikor të asaj kohe, ku theu të gjitha rekordet e tirazhit të shitjes, në  mbi 350.000 ekzemplarë, çka nuk ka ndodhë më kurrë me diskografinë  shqiptare!
Prej atëherë e deri në ditët e sotme, brenda këtyre 40 viteve, Demir Krasniqi, ka incizuar me qindra albume muzikore, duke filluar nga disqet e gramafonit, audio kasetat, video kasetat e deri tek kompakt disqet .
Numri kaq i madh i këtyre albumeve muzikore, fillimisht është incizuar nëpër shtëpitë më të mëdha diskografike, të cilat vepronin në kuadër të radiotelevizioneve publike shtetërore, si: në Beograd, Zagreb, Lubjanë dhe Sarajevë.
Më vonë, në Kosovë u hapen Produkcione Private Muzikore, në të cilat Demiri e ka vazhduar aktivitetin e tij, përmes këtyre produkcioneve dhe na ka dhuruar shumë albume tjera muzikore.
Nga ky fond kaq i madh i albumeve muzikore, nga krijimtaria  e Demir Krasniqit, kanë dalë shumë hite të mëdha, të cilat kanë mbet dhe do të mbesin gjithmonë në kujtesën e adhuruesve dhe konsumuesve të këngëve të këtij këngëtari!
Po i përmendim vetëm disa prej tyre, si:
”Frynë murrlani me stuhi”,
“Mora sot një letër me një shkrim të zi”,
”Kuvendon Marta me gra”,
”Kënga e fatkeqësisë hekurudhore të Zagrebit”,
“Kënga e Hanës”,
”Kënga e Haxhi Tishukut”,
“Mjedis ballit ma ke një pikë”,
“Gëzimi i motrës”,
“Alo, alo, kush është n’ telefon”,
“Rrang e dang sahan”,
“Ku i kam shokët e mi”,
“Po të lutëm shoku im”,
“Moj e mira e kësaj mëhalle”,
“Iliriana” e shumë e shumë hite tjera të pavdekshme dhe të pa harruara!

Vlen  të theksohet se  shumicën nga hitet më të mëdha të Demir Krasniqit, ia kanë huazuar dhe janë mundua që t’ i këndojnë këngëtarë të ndryshëm gjithandej trojeve shqiptare. Prej tyre, po i përmendim: Salim Arifin,Xhezair Elezin, Bujar Qamilin, Shkurte Fejzën, Shyhrete Behlulin, Remzije Osmanin, Nazife Bunjakun , Xhavit Sadikun e shumë të tjerë.

Këngëtar shumë i kërkuar dhe i admiruar  në dasmat dhe ahengjet popullore

Demir Krasniqi, gjatë karrierës së vet 40 vjeçare, gjithmonë ka krijuar dhe kënduar dy zhanret e muzikës popullore: rapsodinë folklorike dhe këngën artistike qytetare.
Prandaj, duke u nisur nga ky bazament i fuqishëm artistik, Demiri ka marrë pjesë në dasmat, fejesat dhe ahengjet tjera familjare gjithandej krahinave shqiptare brenda kufijve administrativ të ish federatës jugosllave. Ka kënduar në Malësinë e Gollakut, Luginën e Jabllanicës, Luginën e Preshevës, në Malësinë e Karadakut, Anamoravë, në Grykë të Kaçanikut, në Drenicë, Llap, Dukagjin, Has, Palvë e Guci, Ulqin, Tuz, Malësinë e Madhe të Mbi Shkodrës, Shkodër, Tiranë, Manastir, Ohër, Strugë, Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë e vende tjera.
Demir Krasniqi, është njeri ndër këngëtarët e parë shqiptar, që këndoi edhe nëpër hotele e restorante, nga të cilat njëherë e përgjithmonë i shporri nga skena muzikore, këngëtarët dhe muzikantët jevgë , por edhe të ardhacakëve të tjerë, që na e bastardonin këngën dhe muzikën tradicionale shqiptare.
Këtë lloj muzike dhe këndimi, ua gërditi njëherë e përgjithmonë konsumuesve shqiptarë, qoftë në objektet hoteliere, qoftë nëpër dasmat dhe ahengjet tona popullore!

Bashkëpunoi dhe ndihmoi  shumë këngëtarë e rapsodë popullor

Demir Krasniqi, krahas këndimit dhe kultivimit të këngës popullore qytetare dhe folklorike, ka bashkëpunuar ngushtë me shumë këngëtarë e rapsodë popullor gjithandej trojeve etnike shqiptare.
Nga rapsodët popullor, po e përmendim bashkëpunimin me:
Riza Bllacën, Salih e Feriz Krasniqin, Qerim Gashin, Isë Llapqevën, Ibish Brojën, Ibrahim Krasniqin, Qazim Berishën, Tahir Drenicën, Hashim Shalën, Osman Gllarevën, Durmish Kadishanin, Bajrush Dodën, Marash Krasniqin, Augustin Ukën, Shaip Berishën, Jakup Krasniqin, Rrustem Ulajn, Xhemajl Berishën, Shaban Baksin, Qazim Behen, Zejnullah Bajramin, Qazim Hajdarin , Hetem Matoshin  e shumë e shumë të tjerë.
Nga këngëtarët popullor, ka bashkëpunuar me:
Qamilin e Vogël, Mazllom Mejzinin, Ismet Pejën, Xhevdet Hafizin, Njazi Nikoliqin, Nexhmije Pagarushën, Liliana Çavollin, Rukije Mustafen, Ylfete Rafunen, Emine Abdullahun, Sanije Berishën, Taibe Bunjakun, Shaban Gjekajn, Salim Arifin, Halim Halitin, Vëllezërit Dervishi, Bexhet Jagodinin, Habib Rushanin, Lendita Hakajn, Ismet Demajn, Hamide Sadikun, Arife Baliqin, Selajdin Miftarin, e shumë e shumë të tjerë.

Pjesëmarrës në  manifestime kulturore gjithëpopullore dhe koncerte publike

Demir Krasniqi, si këngëtar dhe rapsod shumë i respektuar popullor, ka marrë pjesë në një varg manifestimesh  gjithëpopullore  me karaktere të ndryshme kulturore, ndër të cilat po i përmendim:
Inaugurimi i Shtëpisë së Kulturës në Keqekollë, në Miradi të Epër,
Inaugurimi i rrymës elektrike në Kllokoq të Marecit,
Inaugurimi i rrugës Kamenicë – Busavatë,
Takimet tradicionale republikane të shkollave që mbanin emrin e heroit të popullit - Zenel Hajdini , nën moton :”SHKOLLA IME  EMRIN TËND E MBA’”,
Takimet e shkollave fillore të komunës së Gllogocit,
Takimet tradicionale të vendlindjes në: Tugjec, Lisockë, Gjyrishec, Velegllavë, Poliçkë, Desivojcë, Makresh,
Manifestimi tradicional  “Alpet shqiptare” në Vuthaj të Gucisë…etj.
Ka marrë pjesë në një numër të madh koncertesh publike gjithandej Kosovës, Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë.

Pjesëmarrës  në festivalet vendore, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare

Si këngëtar dhe rapsod popullor , ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës popullore dhe të asaj burimore në shumë qendra të Kosovës, prej të cilave po i përmendim disa prej tyre, si:
“Rivista e Folklorit Burimor të Kosovës”, në Gllogoc të Drenicës,
Festivali “Kosovarja këndon” në Ferizaj, më 1976 dhe 1977,
Festivali i folklorit burimor “Hasi jehon” në Gjonaj të Hasit,
Festivali “I këndojmë lirisë” në Klinë,
Festivali “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen” në Deçan,
Manifestimi tradicional “Flaka e janarit” në Gjilan e shumë festivale të tjera.
Në festivalet me karakter mbarëkombëtar, ka marrë pjesë në Manifestimin fetar mbarëkombëtar, për nderë të festës së Kurban – Bajramit, në Shkodër më 1996, ku ishte i vetmi përfaqësues nga Kosova, që u prezantua me këngë fetare.
Më 2007, merr pjesë në Festivalin mbarëkombëtar “Zëri i Alfabetit” në Manastir, si përfaqësues i vetëm nga Kosova.
Në festivalet ndërkombëtare të folklorit, së bashku me Ansamblin Vokalo – Instrumental “Çiftelia” të Radio Prishtinës, nën drejtimin e Lorenc Antonit, përfaqësojnë Kosovën, në:
Festivalin “Rivista e Folklorit Evropian “ në Zagreb, më 1970,
“Rivista e Folklorit Ballkanik”në Ohër, më 1970,
“Tubimet  e folklorit “ në Beograd, më 1971 dhe në
Festivalin Evropian “Danubi i kaltër” në Novi Sad, më 1976, ku këndon në duet me  Bilibilin e Kosovës - Nexhmije Pagarushën.

Anëtar  në juritë profesionale të festivaleve

Disa herë ka qenë anëtarë i jurive profesionale të disa festivaleve, prej të cilave po i përmendim:
Festivalin “Kosovarja këndon” më 1976 në Ferizaj,
Festivali i Folklorit burimor regjional “Gurra” në fshatin Përlepnicë të Gjilanit, më 1990  dhe 1991,
Kryetar i jurisë profesionale tri vjet rresht në Manifestimin tradicional “Lulëkuqet e prillit” në Kamenicë etj.

Krijues , kompozitor dhe kantautor  i këngës popullore

Demir Krasniqi është krijues dhe kompozitor i  më se 2000  këngëve rapsodike, këngëve artistike në frymën popullore, valleve popullore, këngëve humoristike e satirike , parodive , këngëve fetare dhe poezive për të rritur.
Si kompozitor dhe kantautor, ka marrë pjesë disa herë radhazi në Festivalin tradicional “Akordet e Kosovës”, më 1969, 1970, 1974, 1976, 1978, 1980, 1995, në Festivalin “Kënga shqiptare” më 1995 etj.
Në  disa nga këto festivale, këngët e Demirit i kanë  këndua interpretues të tjerë të muzikës popullore, si: Sulejman Borova, Faton Bakolli, Ejup Rexha, Sanije Matoshi, Mustafë Tahiri dhe në “Akordet e Kosovës – 1980”, të cilat u mbajtën në qytetin e Gjilanit, këngëtarja e mirënjohur Shkurte Fejza, për herë të parë debyton në këtë festival, me këngën e Demir Krasniqit, me titull:”Trimi legjendar”.
Demir Krasniqi ka qenë anëtarë i rregullt i Lidhjes së Kompozitorëve të Jugosllavisë, që quhej: SAKOJ dhe anëtar i rregullt i Lidhjes së Autorëve të Muzikës Popullore, që quhej: SANAM.

Krijues që përmes këngës shpalosi faqet e historisë kombëtare

Demir Krasniqi, përmes krijimtarisë së tij muzikore, shpalosi faqet e historisë sonë kombëtare nga të gjitha krahinat etnike shqiptare, duke filluar nga Kruja e Skënderbeut, Janina e Ali pashë Tepelenës, Vlora e Ismail Qemailit, Ali pashë Gucia, Vranina e Oso Kukës, Ulqini, Tivari, Lugina e Jabllanicës, Lugina e Preshevës, Karadaku, Gollaku, Gjilani, Kaçaniku, Drenica, Llapi, Dukagjini, Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra, Struga, Ohri, Prespa, Manastiri, duke iu kënduar trimave legjendar dhe heronjve të kombit, nga të gjitha luftërat e zhvilluara nëpër shekuj, me aspirata drejt çlirimit dhe bashkimit mbarëkombëtar shqiptarë , që nga Skënderbeu e deri tek Adem Jashari .
Demir Krasniqi është autori dhe kompozitori i parë shqiptar, i cili  thuri,  kompozoi dhe publikoi  këngën me titull:”Rroftë Ushtria Çlirimtare”, të cilën e botoi në të përditshmen  kosovare:”Gazeta Shqiptare” më datën 17 Nëntor 1998, në Prishtinë.

Mbledhës i pasionuar i folklorit muzikor shqiptar

Demir Krasniqi, është mbledhës i pasionuar i folklorit muzikor shqiptar, ku gjatë këtyre katër dekadave të karrierës së tij, ka mbledhur, shënuar dhe daktilografuar mbi katër mijë këngë të ndryshme popullore te të gjitha cikleve, që nga ato legjendare, epike, historike, lirike e deri tek këngës e dasmës së Gollakut, ku i ka mbledhur mbi 1200 këngë të ndryshme të këtij lloji.
Krahas këndimit, Demir Krasniqi është edhe instrumentist virtuoz universal, i cili luan në disa instrumente muzikore, si: violinë, piano, fiz- harmonikë, klaviatura, prim, mandolinë, mandollë, çifteli dhe sharki.

Radio gazetar, gazetar hulumtues, publicist dhe moderator

Që nga rinia e hershme, Demiri është marrë herë pas here edhe me gazetari.
Kështu që në moshën 51 vjeçare diplomon në Radio Gazetari në Univerzitetin e Gazetarisë Norvegjeze dhe në Gazetari Hulumtuese në Univerzitetin e Gazetarisë  Kanadeze.
Si gazetar – publicist, ka botuar shumë shkrime e studime në shumë revista, gazeta ditore, në radio stacione dhe në televizione lokale, ku krahas gazetarisë, ka ushtruar me sukses edhe moderimin e shumë emisioneve kulturore e politike publike.
Demir Krasniqi, si gazetar dhe publicist edhe sot e kësaj dite është i pranishëm kudo nëpër gazetat dhe revistat e vendit, si dhe në shumë forume  botërore të internetit.
Për punën e tij të palodhshme gjatë këtyre katër dekadave, qoftë në arsim, qoftë në lëmin e krijimtarisë muzikore, Demir Krasniqi është nderuar me shumë shpërblime,  mirënjohje e diploma ndër më të ndryshmet, por pa dyshim se mirënjohjet dhe shpërblimet e tij më të dashura në jetë, janë: Kompletet e kostumeve kombëtare të Qamilit të Vogël, të cilat ia ka dhurua familja e të ndjerit Qamil, për punën që ka bërë Demiri rreth ndriçimit dhe publikimit të veprave të Qamilit të Vogël, pastaj shpërblimi special “Emblema e Mujë Krasniqit”, Shpërblimi “Zëri i Alfabetit” në Manastir,  shpërblimi i dyfishtë i vendeve të para në festivalet “Kosovarja këndon” në Ferizaj më 1976 dhe 1977 si dhe shumë  shpërblime tjera.

Këngëtar dhe krijues jo komercial dhe jo profitabil

Demir Krasniqi, si këngëtar dhe krijues muzikor, asnjëherë në jetë nuk ka qenë këngëtar komercialist, as profiter i këngës dhe veprave muzikore. Për këtë, e kishte motivuar motoja e këngëtarit legjendar kosovar – Qamili i Vogël - Muhaxhiri, i cili vazhdimisht  e këshillonte dhe i sugjeronte si  vijon:
“Nëse këndon për fytyrë – nuk do të kesh para!
Nëse këndon për para – nuk do të kesh fytyrë”!
Dhe që nga rinia e hershme, Demiri u përcaktua që të këndojë dhe të krijojë për fytyrë , e jo për para!
Andaj, motoja e përjetshme e këngës dhe krijimtarisë së tij  muzikore  është kjo:
“Për emrin e Zotit,
Për nderin e kombit,
Për gjakun e dëshmorëve,
Për eshtrat e varreve”!

Veprat  letrare nga opusi krijues  i Demir Krasniqit, të cilat i ka botuar deri më tani , janë 15 sosh, sipas kësaj radhitje:

“Mallëngjime e oshtima” – Prishtinë, më 1993.
“Qamili i Vogël – zë që nuk shuhet” (monografi) – Prishtinë, më 1995.
“Gjakon Kosova” – Gjilan, më 1998.
“Bejtë Pireva” – Gjilan, më 2002.
“Zeqir Maroca” – Gjilan, më 2002.
“Këngë krismash lirie I” – Gjilan, më 2003.
“Këngë krismash lirie II” – Prishtinë, më 2003.
“Familja Kurti nga Tugjeci”(monografi) – Prishtinë, më 2004.
“Shtojzovallet e Gollakut” – Prishtinë, më 2005.
“Kushtrim lirie” – Gjilan, më 2005.
“Liman Shahiqi – trim i Gollakut” – Prishtinë, më 2005.
“Kroi i këngës” – Gjilan, më 2006.
“Qamili i Vogël – këngë përjetësie” – Gjakovë, më 2006.
“Krenaria e Gollakut” – Gjilan, më 2008 dhe
“Diell lirie” – Gjilan, më 2008.

Dhe krejt në fund, nuk mund të ndahemi nga ky krijues, pa e thënë edhe një të vërtetë të hidhur:
Demir Krasniqi, pas tërë këtij bagazhi të krijimtarisë muzikore 40 vjeçare, në vend se të përkrahet dhe të ndihmohet në ditët e shtyra të moshës së tij, pas 38 vjet përvojë pune në lëmin e arsimit dhe të edukimit – në vend se të nderohet e shpërblehet për punën dhe mundin e tij – ai ndëshkohet padrejtësisht, duke e larguar nga shkolla, ditari dhe nxënësit e tij, të cilëve ua përkushtoi tërë jetën e tij dhe Demir Krasniqi, sot pamëshirshëm sorollatet rrugëve të qytetit, i pa punë dhe i lënë krejtësisht anash nga shoqëria jonë demokratike!

Gjilan, Tetor 2008.                    Demir Krasniqi
demiri100_100x98.jpg

SHPALIME TË HIDHURA KUJTESE

19 Tetor 2008 0

Histori @ 4:18 pm
 

Shaban Cakolli: Shpalime të hidhura kujtese
E shtune, 18-10-2008, 11:19pm (GMT+1)

SHPALIME TË HIDHURA KUJTESE
 
Shkruan:
Shaban Cakolli

Masakrat
e kryara në janar të vitit 1921 nga pushtuesit serb, nuk ishin as të
parat dhe as masakrat e fundit që shovinistët sërb kishin bërë dhe
ushtruar mbi popullin e pambrojtur shqiptar. Masakra e vitit 1921 është
e njohur sot e kësaj dite me emrin “Janari i zi”. Si ndodhi kjo
kasaphanë?
Fill pas pushtimit të Kosovës nga Sërbia dhe Mali i Zi
(1912) u vendos pushteti ushtarak sërb e malazez. Gjatë këtyre viteve,
nga nëntori i vitit 1912 deri në qershor të vitit 1914, Kosova ishte
kthyar në një poligon ku provoheshin zjarri,pushka,thika dhe “trimëria”
serbo-malazeze,mbi gratë, fëmijët, pleqët dhe popullatën e pambrojtur
shqiptare.

Të ushqyer me urrejtje shoviniste dhe të armatosur
gjer në dhëmbë,ushtritë serbo-malazeze dhe bandat e organizuara
paraushtarake vrastare e dogjën,vranë dhe shkatërruan Kosovën gati më
shumë se pushtuesi turk gjatë pesë shekujve.E tërë kjo fushatë terrori
dhe shkatërrimi bëhej me qëllim të spastrimit etnik të krahinave të
pushtuara të Shqipërisë.Sipas dokumenteve serbe vetëm gjatë këtyre dy
viteve janë shpërngulur me dhunë për në Turqi 302907 shqiptarë.
Shpërthimi
i  Luftës së Parë Botërore pengoi përkohësisht shovinizmin e shfrenuar
serbo-malazez të vazhdonin barbaritë mbi shqiptarët.Me të mbaruar lufta
e parë rifilloi gjenocidi i organizuar shtetëror mbi popullsinë e
pushtuar shqiptare.Fushatat e ndërmarra për terrorizimin e shqiptarëve
të krahinave Llap e  Gollak ishin tejet të tmerrshme, por më së keqi e
pësuan fshatrat Keqekollë dhe Prapashticë.Për këto masakra është folur
e shkruar vonë.Mungonte guximi që t´u flitej njerëzve hapur për
gjenocidin serbo-malazez, për të shkruar në hollësi për këto masakra
kanë filluar historianët e breznive tona,duke përmendur këtu Hakif
Bajramin që shkrou”Historia e popullit
shqiptar e viteve 
1918-1948″,ku përshkruan pjesërisht këtë ngjarje dhe më pas z.Ramadan
Ibrahimi.Shikuar realisht para historianëve këtë histori e kanë
shpalosur rrapsodët tanë të guximshëm bindshëm përmes këngës,njëri prej
tyre Demir Krasniqi i cili kishte komunikuar me njerëz të cilët kanë
përjetuar këtë gjenocid i cili ka lënë gjurmë të thella në kujtesën dhe
shpirtin e tyre.
 
Shpalime të hidhura kujtese

Kanë
kaluar 87 vjet nga janari i zi i vitit 1921,prej kur ka edhe sot njerëz
që i kanë mbijetuar këto masakra.Kujtimet dhe rrëfimet e tyre për atë
kohë të tragjedisë së madhe kombëtare,për atë kohë të përflakjes së
Kosovës janë përgjithësisht të njejta.Më freskët këto kujtime i thoshte
Rizah Emërllahu,nuk e dij tani nëse jeton,por atë kohë kur unë isha në
atdhe,kur ai rrëfente kishte mbushur 88 vjet dhe rrëfimi i tij ishte
mjaft i dhimbshëm dhe trishtues.Të gjitha thuajse njësoj i rrëfente
edhe xhaxhai Selim Govori nga Prapashtica,i cili sipas gjitha gjasave
ishte më i riu ndër ata që kishin pësuar.Ai ishte fëmijë në djep,kur
vrarësit sërb ia kishin vrarë nënën,kurse atij ia kishin pre njërin
vesh si fëmijë në djep,djepin ia kishin rrokullisur dhe kishte mbetur
përmbys në borë,por Selimi kishte mbijetuar.E kam njohur plakun Selim
Govori me një vesh,i cili shpaloste
këto dhimbje të hidhura,i cili  deri vonë ka jetuar,tani nuk di për te.
 
SI FILLON RRËFIMI

Viti
1921 ishte viti më i tmershëm i banorëve të kësaj ane,rrëfenin njerëzit
e moshuar që kishin përjetuar mbi kurrizin e tyre egërsinë e
pushtuesit.Fshatrat e  Gollakut u dogjën e u terrorizuan nga ekspeditat
e ushtrisë serbe,të udhëhequra nga koloneli xhelat,Radovan Radoviqi,i
cili kishte krah të fortë komandantin e gjandarmarisë,Bozhidar
Paunoviq, i njohur si Bozhidar Ballovci. Fushata e terrorizimit filloi
në fshatrat e Llapit si:Lupç,Majac,Tërrnavë,Bellopojë,Sharban e gjetiu
duke kryar masakra të tmerrshme me djegëje e vrasje të banorëve të
kësaj ane.Më pas bandat ushtarake serbe të ndihmuara nga forca
vullnetare hyn në Gollak.Ata për pak ditë u vendosën në Koliq,ku aty
duket të kenë bërë pregaditjet për masakrimet e më tutjeshme.Pasi
ngrënën dhe pinë nga fshatarët e Koliqit dhe pushuan mirë,i masakruan
pa mëshirë fshatarët e pafajshëm të lagjes së Zharalive,ata ishin
kopran dhe duke  masakruar u tërhoqën për në Keqekollë,ku me nismën e 
Bozhidar Ballofcit rrethuan dhe vranë Hoxhë Ademin me tërë anëtarët e
familjes, i cili llogaritej burri më i shquar i lëvizjes atdhetare të
asaj ane. Rrapsodi ynë Demir Krasniqi e ka shpalosur këtë histori
dhimbje përmes këngës nga e cila po i marrim pak vargje:

Kështu Yrfia n´Koliq kanë dalë
i kanë vra disa kopran
i kanë vra te Zharalit
se n´Koliq kanë ndej dy ditë
paskan msy për Prapashticë.

Kurse vdekjen e  Mulla Adem Keqekollës, rrapsodi e përshkruan kështu:

Bozhidar Ballofci çaush ish kanë
Yrfisë para ju ka dalë
Ja ka nisë e mirë po i m´son
Ndashi veti me i çitë za
Mulla Ademi është shpi me za
Burrë më t´zotin
n´Gollak nuk ka
Na ma s´pari ati me i ra
Ja prejmë robt,ja kallim shpinë
Bozhidari po ju prinë………

KUSH ISHTE MULLA ADEMI?

Emri
i tij i vërtetë ishte Adem Emërllahu i lindur më 1850 në
Prapashticë.Shkollimin e kreu në Prishtinë dhe Shkup,më pas u emërua
hoxhë në Prapashticë dhe Keqekollë.
Në vitin 1908 u burgos nga
pushtuesit osmanë për veprimtarinë e tij atdhetare dhe u denua me
vdekje.Në burg qëndroj vetëm gjashtë javë nga se u lirua me dekretin e 
Sulltanit.Në vitin 1911 sulltan Mehmet Rashiti kishte vizituar
vilajetin e  Kosovës.Mulla Ademi e kishte përfaqësuar Gollakun.Fjalimin
e tij në takim me sulltanin e kishte pregaditur shqip-turqisht..Ai
kishte folur midis tjerash edhe për terrorin që ushtronin bandat serbe
mbi shqiptarët.Veprimtarinë e vet e vazhdoi edhe pas pushtimit nga
Serbia.
Familja e tij ishte gjithnjë nën trysninë e pushtuesëve.Ky
atdhetar i shquar aktivitetin e vet nuk e ndërpreu asnjë çast deri në
fund të jetës kur më 10 janar 1921,kur ushtarët dhe gjandarët serb e
vranë në prag të shtëpisë me nëntë anëtar të familjes.

SI U BË RRETHIMI I PRAPASHTICËS?

Pas
vrasjes së Mulla Ademit,ushtria serbe kishte mbledhur meshkujt prej 15
deri në 70 vjeç nëpër lagjet e Keqekollës,si: Kurtaj, Qorraj, Çelaj,
Myftaraj, Spahijaj, Balaj, Govor dhe tërë popullsinë e kësaj moshe të
Prapashticës dhe Keqekollës i tubon në një livadh në Prapashticë duke i
pranguar këmbë e dorë dhe duke i vra 1020 shqiptarë të Gollakut.Janari
dhe moti i acart,bora e madhe që binte në malësinë e Gollakut kishin
vështirësuar lëvizjet e malësorëve.Pabesia serbe hynte para
mëngjezeve,i nxinte malësorët në gjumë,ku banorët e kapur i vranë,i
dogjën,i therrën me bajoneta,shtëpive ua vunë zjarrin.Të moshuarit që
kanë p7rjetuar ato ngjarje thonë se nga ky terror qenë friguar gjitha
gjallesat në tokë dhe ujqit kishin uluritur disa ditë.Pas masakrave në
Prapashticë ushtritë serbe dhe vullnetarët çetnik përgaditeshin për të
marshuar në akcionin nëpër Nishefc,Brainë,Orllan,Kalaticë dhe
Ballaban.Qëllim të vetëm kishin shfarosjen e plotë të shqiptarëve të
kësaj ane,me qëllim të mbjellejes së frigës dhe pasigurisë në krahinat
tjera.Nazmi Gafurri një atdhetar i shquar nga Prishtina,kishte
përcjellur këtë egërsi serbe,dhe për këtë qëllim kishte shitur tërë
pasurinë e vet që kishte,por edhe kishte tubuar edhe të holla nga
atdhetarët,kishte paguar një shtypshkronjë në Shkup,e cila përmes
gazetave kishte bërë të njohur opinjonin vendas dhe ndërkombëtar,ku
kishte përshkruar gjërësisht mënyrën si po zhvillohej gjenocidi serb
mbi shqiptarët.Nga ky lajm fuqitë evropiane u shqetësuan për gjenocidin
që po ushtronte mikja e tyre mbi shqiptarët.Të shtrënguar nga opinjoni
publik i vendeve të tyre,evropianët u detyruan të ndërhynin pranë
autoriteteve shoviniste të Beogradit,dhe të ndërpresin hë për hë
ekspeditën serbe.Autori i shkrimit për këtë kasaphanë Nazim Gafurri
hyri në listën e Radoviçit për të u likuiduar,dhe nuk vonoi shumë e
krimineli Radoviç gjeti bashkëpunëtorët që bënë atentat mbi atdhetarin
tonë të shquar Nazim Gafurrin.Malësia e Gollakut është vra,pre e
masakruar edhe tri herë tjera pas vitit 1921,por malësorët e kësaj ane
kurrë nuk janë gjunjëzuar dhe të pa gjunjëzuar do të mbesin gjëthnjë sa
të ketë Shqipëri dhe shqiptarë.

737.jpg

DEMIR KRASNIQI-KASAPHANA E PRAPASHTICËS

0

O, ngoni shokë, ngoni vllazni,
Po ju knoj ni kangë n’ sharki,
Nuk asht kangë për dashuni,
Nuk asht kangë, kjo, për mahi !
Kjo asht kangë për histori,
Që ka ndodhë te na n’ Malësi !
Nuk asht përrallë kjo, as trillim,
Por asht ngjarje plot trishtim,
Që der’  tash mbet anonim,
Se shumë kush nuk pat guxim,
Të vërtetën ta qes në shesh,
Por asht ruejt prej veshi n’ vesh,
Qysh kanë ditë me tregue t’ vjetrit –
Nëpër oda njani – tjetrit,
Për terrorin e Sërbisë ,
Kasaphanën në Prapashticë !

Hej, kështu tregojnë njerëzit e gjallë –
Më 11 të muajit Janar ,
Mu në vitin Njizet e Nji ,
Ish kanë çue n’ kamë ni yrrfi !…
Kjo yrrfija e Serbisë –
Mori urdhrin pre Qeverisë ,
T’ formojë çeta terroriste ,
T’ gjithë çetnikë me bajoneta ,
Prejnë shqiptarë në troje t’ veta !
Prejnë me qinda e me mi ,
Gra, pleq, burra dhe fëmi’ !…

Hej, kështu çetnikët kanë ba n’ Drenicë -
Ja kanë mësy për n’ Prapashticë!
Duert përvjelun si kasap –
Kanë mësy maleve n’ Llap e Gollak;
Shakovicë, Lluga e Halabak,
Shkojnë si ujqit llavë e llavë ,
N’ Lluzhan, Majanc e Batllavë,
T’ parët e tyne i kanë tubue,
Shumë zullumet jav kanë vnue !…

Hej, se n’ Koliq, ata kur janë dalë –
Aty i vranë disa Kopranë!
I kanë vra te Zharalitë –
Mësynë me dalë në Prapashticë!
N’ Keqekollë , ata kur po hinë –
Radoviqi, para ju prinë!
Radoviqi , ma i madhi anmik –
Kolonel – ishte mbi çetnikë !
Ai, këtë plojë vetë e udhëhoqi
Me Stojanin Selkiqin prej Domaroci !
Shumë çetnikë patën mas veti –
Danailin nga Boleci.
Nga Bushinca, ishte Dejani ,
Nikollë Slivova e Dushan Sfillani !…

Hej, n’ Keqekollë, kur paskan ra ,
Radoviqi , mësue i ka –
Mulla Ademi, asht shpi me za,
Burrë ma i zoti, n’ Gollak nuk ka,
Na ma s’ pari çatij dojmë mej ra ,
Do t’ ja presim robët e fëminë,
Do ta lidhim, t’ ja djegim shpië!…

Hej, Radoviqi, i pari ju prinë –
Mulla Ademit, në shpi po i bien !
Radoviqi, ai kolonel –
Mish e shpirt ishte kriminel!
Porsi ujku po i thërret në derë –
Mulla Adem, a po del ni herë?!
Po del hoxha, me ta po flet,
-Mulla Adem, a na kallxo drejt,
Ti , sa robë i kie krejt?
Mulla Ademi, burrë i vërtetë,
-Kolonel, po t’ kallxoj drejt,
Tremdhet’  robë, unë, i kam krejt!…
S’ e kanë lanë , mirë, mej krye fjaltë –
E kanë lidhë me ‘i kanop t’ gatë ,
Jashtë ja nxorën fëmijët dhe gratë!
Radoviqi, me dorë të vet –
Tremdhetë robë, qaty ia vret ,
Rend poj vret , n’ zjarr po ja  djeg !
Ja dogj robët , ja bani hi –
Atëherë hoxhën n’ prag e ka shtri !
E rrëxoi hoxhën, n’ prag të shpisë –
Ja shkurtoi kryet me sakicë !…

Hej, kanë marrë rrugën përpjetë ni malit,
Xhanaria me ushtarë të krajlit,
Paskan dalë në Prapashticë ,
Me çue n’ vend urdhrin e Serbisë !
Bajnë maskër, bajnë kërdi –
Prej dy vjeçe tej n’ gjasht’dhet’ e dy…
Krejt kta meshkuj poj tubojnë,
Tanve vendet po jav caktojnë,
Grupe – grupe, mahallë – mahallë,
Krejt poj qesin në ni livadh!…
Me mahallë, qysh ishin kanë –
Keqekollën n’ ni vend poj lanë,
Çorrovit e Spahiovit,
Çelovit e Sinanovit,
Miftarovit në njanën anë,
Prapashticën n’ tjetrën anë,
Mahallën e Cubit – njizet e nandë…
Krejt poj lidhin me shoka t’ veta,
Tash po vjen tue ju sosë jeta!…

Hej, atëherë gati pushkët poj bajnë,
Veç po presin me ju dhanë komandë!
Erdh komanda e shenja e parë –
Veç tri pushkëve me ju dhanë zjarrë !
Shenja e dytë, qashtu po thotë –
Me komandë, me e dhezë ni top!
Kur ka ardhë kjo shenja e tretë –
Qinda pushkë me ‘i  flakë janë dhezë!
Ju shkoi gjama deri n’ re –
Shumë e mashkujt u shtrinë për dhe!…
Bien për dhe, shqiptarët e shkretë,
Krejt janë vra njimijë e njizet!…

Hej, luftën hiq nuk e kanë ndalë,
Hecte gjaku valë – valë,
Krejt xhenazet mbetën n’ livadh!…
Nëpër shpia atëherë ju kanë ra,
Shpijat flakë jav paskan kallë,
Robë e fëmijë krejt poj kallin n’ zjarrë,
Nuse e çika t’ reja i kanë marrë!
I kanë çue ato n’ Serbi –
I kanë martue me zor me shki’!…
I kanë nda këto femna t’ shkreta
Për gjithmonë prej trojeve t’ veta !
I kanë nda prej gjakut t’ vet –
Zoti e di, qysh kanë dhanë jetë ?!…

Hej, luftë e madhe ish kanë marue,
Ka ecë gjaku sikur prure!
Se këto malet e kësaj ane,
Nuk mbajnë mend këso kasaphane!
Borë e madhe kish pas ranue,
Nuk ka mujt kush kah me lue!
N’ atë furtunë, disa kanë pshtue,
Sylë Hetemi e Arif Govori,
Veli Salihi e Emin Govori…
N’ atë borë t’ madhe, n’ atë kjamet –
Ish kanë metë ni  fëmijë nën djep,
I kish pshtue, ai, nanës s’ vet –
N’ borë përmbys tri ditë e netë,
Aty ish vra nana e shkretë!
Ia vrajnë nanën, qati sabie-
Ia prejnë veshin, djalit, me singi!
Mas tri dite, aj, gjallë ish kanë –
Selim Govori, atij i kanë thanë!…

Hej, pushkatua krejt kur i kanë –
Kanë marrë rrugën, janë ra n’ Orllan,
Të gjithë meshkujt tubue i kanë,
Nishec, Brainë edhe Orllan,
Kalaticë dhe Ballban,
Këtë masakër me e vazhdue,
Kasaphane me marue!…

Hej, Zoti i Madh, kur don me t’ ndihmue –
Prej zullumit për me t’ pshtue,
Sa me metë dikush për farë,
Paska ndie ni djalë shqiptar ,
E lumja nana, ka e kish pasë djalë!
Trim mbi trima, ai burrë – burri,
Emni i tij – Nazim Gafurri !
Patriot e demokrat,
Që punonte ditë e natë,
Veç për popullin kosovarë,
Për të drejta, për shqiptarë!
Ai, këtë punë vesh e kish marrë –
Se po i digjen vllaznit në zjarrë!…

Hej, në Prishtinë, ai rrinte me shpi –
Shiti tokë e pasuni,
Shet dyqane, hane e mulli,
Pare t’ madhe kishte tubue,
N’ çarrshaf t’ grave, tebdil ish marue,
Shpejt e shpejt në Shkup ka shkue !
Nazim trimi, ai burrë bujar,
Shpejt po i gjejka do gazetarë,
Shumë e paret jav paska dhanë,
Jav tregon ngjarjen taman,
Si po lahet toka me gjak ,
N’ shumë katunde n’ Llap e n’ Gollak,
Për me i shkrue n’ gazetën “HAK”!
Përmes lidhjeve të telegrafit –
Thërret ministrat e Beligratit!
Shumë do shokë i ka bashkue –
Po i lajmëron Kombet e Bashkueme,
Për Serbinë, çka ka punue!…
Krejt Evropa, poj lexojnë gazetat,
Për këto krime të vërteta!
T’ gjitha kombet kokan bashkue –
Komisionin e kanë formue,
Me eksperta ndërkombëtarë,
Për mej çue në vend të ngjarjes!
Kështu Evropa, banë intervenimin –
N’ vend të ngjarjes me e pa krimin,
Ku Serbia , banë planifikimin,
Mbarë shqiptarëve me u ba farimin!…

Hej, Nazim trimi e bani ndriçimin –
Për me i sjellë pop’llit  shpëtimin!
Ai i qiti në shesh të dritës,
Jo veç krimet e Prapashticës,
Por mbarë ngjarjet dhe të Dumnicës!…
-Janë therrë njerëzit  në vatra t’ veta,
Mizorisht, me bajoneta,
Burra t’ rritun, gratë e fëmija,
T’ gjallë janë djegë nëpër shtëpia !…

Hej, krejt Evropa, gazetat poj knojnë,
Syve t’ vet nuk po u besojnë!
Tu i lexue e tu’ u trishtue –
Krajli i Serbisë, çka ka punue?!…
Komisioni – ekspert me shkollë –
Drejt po shkojnë në Keqekollë!
N’ mahallë t’ Spahive , kur janë dalë –
Nga shtatë vetë në ni vorr poj gjajnë!
N’ Prapashticë, kur paskan shkue –
Gjajnë xhenaze t’ djegne, t’ shkrumueme!…
Komisioni kokan trishtue,
Se çfarë krimesh kokan marue!
Çka kanë shkrue – krejt janë vërtetue!
Komisioni ishin betue –
S’ kishim mujt kurrë na me besue,
Se kështu Krajli, mundet me punue,
Gjithë këta njerëz n’ zjarrë mej shkrumue?!…
Mejherë Krajlin e kanë urdhnue –
T’ gjitha krimet mej ndalue !

Hej, Krajli i Serbisë, shumë koka idhnue
Për këtë plan që i ka dështue!
Tel Zhupanit, n’ Prishtinë i ka çue –
Kush asht ai, n’ gazetë qi ka shkrue,
N’ krejt Evropat na ka marrue,
Planet tona, na i ka shkatrrue?!
-Ai – thanë – asht ni  burrë prej burri,
E ka emnin Nazim Gafurri !

Hej, kqyre Krajli, çka ka marue ,
Shumë do pare i paska çue,
Njerëz me pare me i pague –
Nazim Gafurrin me likuidue !
Ky Zhupani, n’ kamë na u çue,
Dy xhandar i ka shtrëngue,
Këtë Nazimin, me e likuidue !…
Me e vra birin e demokracisë,
Atë bamirës të gjithë njerëzisë !
I biri i shkaut – Zhivko Kundraxhisë,
N’ Urë t’ Vellushës, ishte kurdisë.
N’ Urë t’ Vellushës, ishte dalë në pritë –
Don Nazimin, ta qëlloj me thikë!
Vjen Nazimi, me dy xhandarë –
N’ te u hodh kjo thika e parë!
Fërfëlloi  thika për rreth koke –
Ja hoq fesin , ia qiti për toke!
Fërfëlloi edhe thika e dytë –
Për rrajë t’ veshit ia ka ngjitë!
Plagë të randa i ka shkaktue –
Krimineli shpejt u largue!…
N’ shpi të motrës – djalin e kanë çue,
Iu lidh plaga dhe u shërue!…

Hej, këta agjentët i kanë fry sytë –
Për me i ba atentat të dytë!
Simbas planeve të Serbisë –
Me ni vrasës profesionist !

Hej, vrasësi i dytë, ishte shqiptar,
Hem xhandar edhe tradhtar.
Kriminel – Adem Misini,
N’ kafehane i maskuem hyni,
Hoq revolën, ai tradhtar –
N’ gjoks t’ Nazimit, i dha zjarrë!
Zbrazi plumba mbi gjoks t’ Nazmis,
Veç për hatër t’ krejt Serbisë!
Por , Nazimi kish mbetë i gjallë,
E muerën shokët, e çuen n’ spital!
Në spital, në Mitrovicë –
Veç me e pshtue prej xhandarisë !

Hej, n’ kirurgji – shërohej djali,
Nën kujdes t’ doktor Shamfanjit.
Ky doktor humanitar –
Për shërim, djalin e ka marrë.
Xhandaria i kish premtue –
Nëse mundesh me e helmue,
Ni veturë kemi me ta dhurue!
Ni veturë e ni milion dinarë –
Veç na e hjek këtë trim shqiptarë!
Por Shamfanji – doktor human,
Këtë punë t’ poshtër, ai, nuk e banë!

Hej, e muer djalin, e ka operue –
Plumbi i zi, mushkritë ia kish shpue!
Iu kish ndalë plumbi n’ krahnor –
Kur ka shkrepë, ai vrasës mizor!…
Me mjeshtri e operoi
Dhe Nazimin e shpëtoi!
Por shpirtzi kish prap ndër ne,
Se doktori ish kanë jevre,
Munafiku nazifashist ,
Spiunoi mjekun humanist
Dhe e vranë gjermanët nazist!…

Hej, prapë anmiku nuk rrin i qetë –
S’ donë me e lanë Nazimin n’ këtë jetë,
Ia bajnë gati vrasësin e tretë !
Me Shtatë Maj, në ora dhjetë ,
Mu në vitin Njizet e Tetë,
Prapë e gjetën ni tradhtar,
Që e mbante emnin shqiptar,
I maskuem, ai,  ishte xhandar,
Për tradhti kish ba përvoja,
Atij i thoshin :Hasan Mërkoja,
Ju thaftë dora, ju thaftë goja ,
I huptë fara, i huptë vorri!
N’ kafehane, revolen e nxori-
Zbrazi plumba n’ gjoks t’ atij burri,
N’ demokratin – Nazim Gafurri !
Shtiu n’ bamirësin  humanitar,
N’ patriotin tonë  kombëtar!…
Kështu punoi Hasan beteri –
Zbrazi plumba  prej revolverit,
Veç për hatër të Lube Hollcerit !
Seleniqi dhe Lube Hollceri –
Zbrazën plumba prej manxerri!
Kriminelët me armë në dorë –
Tre xhelatë atentatorë!…

Hej, por ai trim – Nazim Gafurri,
Mirë qëndronte me zemër guri!
Para bishave të Zhupanit –
Shtrëngon plagët e s’e lëshon zanin!
Para bishave, ai, nuk dorëzohej,
Para shokëve, ai, nuk ligështohej!
Para vdekjes la porosinë :
“Ju , më vratë këtu n’ errësinë ,
Për ta vra demokracinë,
Për t’ ia zanë diellin – lirisë,
Për t’ ia ba qejfin Serbisë!
Por, kur trupi n’ vorr   t’ m’  pushojë –
Demokracia do të fitojë!
Nuk do t’ ketë vrasës e tradhtarë –
Sa do t’ ketë trima e  luftëtarë!
S’ do t’ ketë plumba, as xhandari –
Për t’ vra  rrugën për liri !
Se Kosova, kurrë nuk shfaroset ,
Do t’ jetojë, e do t’ përsoset!
Le ta dijnë, pra, mirë xhelatët –
Hej, do t’ ketë lindje, hej, ma shumë se vrasjet !

Prishtinë, më 1978.        Demir KRASNIQI

u2_demirkrasniqi.jpg

NË KUJTESË TË VIKTIMAVE TË TERRORIT SERB

4 Tetor 2008 2

Histori @ 11:52 am
 

Demir Krasniqi: Behlul Klaiqi - Kurban i Gollakut dhe mbarë Kosovës
E premte, 03-10-2008

Demir Krasniqi

Në kujtesë të viktimave të terrorit serb në Kosovë:

BEHLUL KLAIQI – KURBAN I GOLLAKUT DHE MBARË KOSOVËS

Nga Demir KRASNIQI

Në përpjekjet e fundit për realizimin e planit famëkeq të Vasa Çubrilloviqit, për zhbërjen e qenies shqiptare nga trojet e tyre etnike stërgjyshore, përmes formave më të egra barbare, torturave, vrasjeve, burgosjeve, përndjekjeve dhe përzënies së tyre për në Turqi dhe shkretëtirat e Anadollit, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe të LNÇ-së, Kryeudbashi i Serbisë, i quajtur Aleksandar Rankoviq, përmes makinerisë së tij vrastare dhe shfarosëse ndaj popullit të pambrojtur shqiptar të Kosovës, e kishte bërë edhe një projekt famëkeq kundër kësaj popullate, me qëllim që përmes dhunës, terrorit dhe torturave të papara çnjerëzore, ta detyronte këtë popullatë që t’ i lëshojë tokat e tyre stërgjyshore dhe të shpërngulet për në Turqi dhe shkretëtirat e Anadollit!

            Për ta realizuar këtë elaborat, Kyreudbashi i Sërbisë, Aleksandar Rankoviq, kishte projektuar një skenar shtesë të quajtur “Aksioni për mbledhjen dhe grumbullimin e armëve në Kosovë”.

            Për ta realizuar këtë “Projekt”, Rankoviqi me makinerinë e vet vrastare dhe shfarosëse kundër popullatës shqiptare të Kosovës, e kishte zgjedhur  “Dimrin e gjatë” të vitit 1956, dhe atë, pikërisht muajin Janar, gjatë kohës së pushimeve të nxënësve në gjysmë-vjetorin e parë shkollor,  që atë kohë fillonte prej datës 15 Janar dhe zgjaste deri më 5 Shkurt.

            Pra, shkollat ku mësonin nxënësit shqiptar, jo rastësisht, ishin zgjedhur për arenë të ndëshkimit dhe torturave kolektive ndaj burrave shqiptar! Kurse, stina e dimrit, gjithashtu ishte zgjedhur me qëllim që acari, bora e madhe dhe izolimi i fshatrave rurale, të jenë në favor të barbarisë serbe, ku viktimat eventuale nga torturat do të heshtnin nga informimi i opinionit ndërkombëtar dhe botëror!

            Njëra ndër qendrat më famëkeqe për  grumbullimin  e  armëve, ishte organizuar në shkollën fillore të fshatit Tugjec, të Malësisë së Gollakut të Kamenicës, fshat ky që dikur kishte qenë qendër administrative komunale, kurse gjatë kohës së “Aksionit për grumbullimin e armëve” kishte mbetur vetëm si Bashkësi Lokale, në të cilin gravitonin edhe fshatrat për rreth:Gëmica, Sfirca, Zajçeci dhe Meshina.

            Fatkeqësisht, pas shumë përpjekjeve të mia, për ta mësuar datën e saktë se kur është zhvilluar kjo plojë, mbi burrat e asaj Malësie, duke i përfshirë në “Listën e zezë”, që nga mosha 18 vjeçare e deri në moshat më të vjetra, nuk kam arritur të mësoj , përveç asaj , se kjo plojë është zhvilluar diku pas datës 16 janar 1956.

            Projektuesi i këtij “Aksioni” – Aleksandar Rankoviq, në bashkëpunim me UDB-ën serbo-jugosllave, nuk e kishte përzgjedhur rastësisht këtë Malësi, nga se në rend të parë, fshatrat e kësaj Bashkësie Lokale, shtriheshin për rreth brezit kufitar Kosovë – Serbi, e në anën tjetër, malësorët e Gollakut ishin të njohur për rezistencë të herë pas hershme ndaj armikut dhe okupatorit!

            Shi për këtë, në “Listën e zezë për dorëzimin e armëve” ishin përzgjedhur djemtë dhe burrat më të spikatur të kësaj Malësie, duke i rekrutuar si që thotë populli:”Yst e begen”, ku ishin më të mirët!

            Në mesin e këtyre burrave dhe në regjistrin famëkeq, nuk kishte shpëtuar pa hy edhe Behlul Bajram Ismajli, nga fshati Tugjec, i cili në ato anë, nga bashkëfshatarët  dhe bashkëvendësit e vet ,  njihej më tepër si: Behlul Klaiqi, me që paraardhësit e tij, ishin shpërngulur me dhunë në vitin 1878 nga fshati  Klaiq i rrethit të Jabllanicës.

            Behluli, ishte një burrë shumë i urtë, i dashur, i ndershëm që i takonte një familje skajshmërish të varfër, ku në atë kohë, si edhe shumë bashkëfshatarë të tij, mezi arrinte që ta sigurojë kafshatën e bukës për tre muaj ditë të vitit kalendarik, për fëmijët e tij të zbathur e të zdeshur, e lërë më që të kishte armë?!

            Plojën e “Aksionit për grumbullimin e armëve” në Bashkësinë Lokale të fshatit Tugjec, e kishte drejtuar një Kryeudbash i quajtur: Vllada Shilegoviq, i cili në elitën e tij ndëshkuese kishte të rekrutuar edhe disa shqipfolës opingalëpirës –duaxhi , të pushtetit terrorist, që paguheshin mirë nga okupatori, për të zbatuar dhunë e tortura mbi bashkëkombësit dhe bashkëvendësit e tyre!

            Elita ndëshkuese, në emër të kërkimit dhe të dorëzimit “vullnetarë” të armëve, nuk e lëshonte asnjë burrë të kësaj Malësie, pa e shti ndër dajak e tortura të pa para!

Ata torturoheshin në grupe e runde të ndara, me qëllim që të krijojnë panik sa më të madh tek të tjerët! Pas një rundi torturash, viktimat urdhëroheshin që të dilnin në borë dhe të qëndronin të zbathur në formë të rrethit, derisa u ngrinin me këmbë e duar dhe më as goja nuk iu punonte!

            Ata që ishin më të rinj, më të paepur dhe më të shëndetshëm, e pësonin më së keqi, nga se përveç dajakut, mbi ta ushtrohej edhe shkulja e mustakëve me anë të danave për mbathjen e kuajve!

            Derisa i erdhi radha për rrahje, Behlul Klaiqit, ai ishte shtangë me duar e këmbë duke qëndruar në borën e madhe dhe në acar që ngrinte pamëshirshëm trupat e pa fajshëm të burrave të kësaj Malësie!

            Behluli, hyri dhe iu nënshtrua rrahjeve dhe torturave deri në alivanosje. Pas kësaj procedure, elita e udbashëve , kur e panë se do të iu vdiste nëpër pendrekë, e urdhëruan që të shkojë në shtëpi, por që të nesërmen të mos vinte i gjallë, po qe se nuk do t’ ua sjelli armët të cilat ia kërkonin!

            Behlul Klaiqi, i dërmuar dhe i stresuar rënd nga rrahjet, del nga shkolla dhe niset për të shkuar në shtëpinë e tij, rreth 3 kilometra larg shkollës, ku i habitur tërësisht, e kishte humbur kontrollin dhe ishte nisur i zbathur për të shkuar tek shtëpia e tij, nëpër borë e cila i arrinte deri në gjoks!

            Bashkëfshatarët e tij, kur e panë duke shkuar zbathur pa opinga, kishin menduar se i kishte harruar për t’ i  mbathur dhe i thirrën me zë:

            “O, Behlul! Kthehu e merri opingat se i ke harrua dhe do te të ngrihen këmbët derisa të shkosh te shtëpia!”

            Behluli, i humbur, i dërmuar dhe i shkapërderdhur nga dajakët, ua ktheu përgjigjën:

            “O, jo nuk i kam harruar, por nuk kanë se çka më vlejnë më, nga se ma zi për mua nuk ka se çka me u ba!”

            Behluli, shkon në shtëpi, ashtu i zbathur nëpër borë dhe gjatë tërë natës nuk flenë nga dhembjet e rrahjeve nëpër trup, por gjithnjë mundohej që t’ i  fshihte dhembjet dhe ofshamat para fëmijëve të tij. Gjatë natës, kishte marrë vendim të prerë, që më i gjallë të mos u shkojë në duar bishave karpatjane!

            Të nesërmen , zgjohet herët në mëngjes, lahet e pastrohet mirë dhe i veshë një palë rrobe të pastra, me të cilat shkonte nëpër ndeje, mysafirëllëqe e dasma .E merr një litar me veti, ku në atë rast iu thotë fëmijëve dhe familjes së tij:

            “Ju, mos u bëni merak, se unë po bie deri tek livadhet për t’ ua marrë një barrë sanë bagëtive!”

            E merr litarin dhe niset drejt rrugës së vdekjes. Kur arrin në krye të lagjes së Ismajlajve, mu përmbi varret e tyre, e zgjedh një qershi të vjetër, e cila dukej shumë mirë karshi shkollës së Tugjecit, ku zhvillohej ploja mbi shqiptarë nga elita e UDB-së serbo-jugosllave, ngjitet në atë qershi, e ngreh litarin dhe i jep fund jetës së tij!

            Me të kuptuar për këtë varje, kryeudbashi Vllada Shilegoviq, ishte tmerruar  thellë nga frika se tani do ta kuptojë bota torturën e tyre dhe se aksioni i tyre do të dështojë!

Ai, menjëherë jep urdhër që kufoma e Behlul Klaiqit, të zbritet sa më shpejt nga qershia, t’ i fshihen gjurmët e litarit dhe të varroset sa më shpejt, për t’ ia humbur çdo gjurmë!

            Ndaj kësaj urdhërese, reagon fuqishëm bashkëfshatari i Behlulit – Selim Hasan Buzuku, i cili kategorikisht mohon që të zbatohet ky urdhër, pa e bërë obduksionin ekipi i mjekëve specialist! Këtë, e përkrahin edhe shumë bashkëfshatarë dhe më në fund arrin  që të vijnë mjekët në vendin e ngjarjes dhe të konstatojnë shkaqet e kësaj vdekje të dhunshme!

            Lajmi mbi vdekjen e dhunshme të Behlul Klaiqit, brenda natës e kishte marrë dheun. Kishte kuptuar mbarë Kosova, Beogradi dhe opinioni ndërkombëtar!

            Me tu kuptuar për vdekjen e Behlul Klaiqit, i cili sakrifikoi jetën e vet dhe u bë kurban i mbarë Malësisë së Gollakut dhe mbarë Kosovës, që ditën kur u varros Behluli, “Aksioni për grumbullimin e armëve në Kosovë”, u ndërpre.

            Behlul Klaiqi, që u sakrifikua dhe u bë kurban për shpëtimin e vëllezërve tjerë shqiptarë nga rrahjet dhe torturat e egra barbare serbe, u varros në një mënyrë fare modeste, pa kurrfarë ceremonie. Trupi i tij, pushon i qetë dhe prehet në amshim në varrezat e lagjes së tij, në fshatin Tugjec. Pas veti i la bashkëshorten dhe tri vajza të mitura bonjake.

            Ai, u sakrifikua për shpëtimin e jetëve të vëllezërve të tij, nga torturat e egra të barbarisë serbe, por në fund doemos shtrohet pyetja e pa shmangshme:

            -Çka bëmë ne vëllezërit dhe pasardhësit e tij, pas vdekjes së Behlul Klaiqit?!

Askujt, deri më sot, nuk i shkoi ndër mend që t’ ia rregullojë varrin e tij, t’ ia ngrehë së paku një pllakë përkujtimore, t’ ia mbajë një orë përkujtimore, ndonjë emision dokumentar, por mediat e shkruara dhe elektronike edhe sot e kësaj dite heshtin ndaj kësaj ngjarje tragjike dhe rrëqethëse për historinë e popullit shqiptar?!

Gjilan, më 03.10.2008.

PARODI

2 Tetor 2008 2

PARODI @ 3:38 am

UNË DHE ÇIFTELIAff5fbe23-dfb6-4b8a-b707-1eea413f06f32.jpg

Çifteli, moj , dru prej mani,
A po e sheh si erdh zamani?
Ndryshoi bota, ndërroi insani,
Shihe , koha çka na bani !

Erdhi surlja , erdh tupani –
Mua po m’ thonë :”Nuk po t’ banë zani!”
-Tash je plakë e t’ kanë ra dhëmbët,
Askush ma s’ ti dëgjon këngët !…

-S’ t’i  dëgjon kush, kangët e trungut,
Kaloi koha e Ali Bungut!
Kaloi koha e “kangëve t’ forta”,
S’ do ma kush “kangë t’ kallamojta”!

-Këngëve t’ vjetra u ka dalë boja,
S’ i  do zemra, s’ i këndon goja !
S’i  do syri, s’i do veshi ,
Tash duamë këngë, ku përzihet leshi !

-Nuk duamë “Shotën – mashalla”,
Duamë “Çyçeka” e “Tallava”!
Këngë “ moderne”  po donë bota –
Ku këndon kërthiza, ku këndon botha!…

-Çiftelisë i ka dalë moda,
Nuk ka vend ma nëpër oda !
Nuk po duamë ma  “cimilima”,
Për heronj e as për trima !…

-Cimilim, as giri – giu,
As e preu, e as e griu!…
Tash po këndojmë n’ demokraci –
“Rok” e “Rep”, pornografi !…

N’ vend t’ çiftelisë – sintisajzeri,
N’ vend t’ rapsodit – roker kuleri !
Nëpër dasma e festivale –
Këngë rrugaçësh – këngë banale!…

Haj, medet, moj çifteli,
Çka na gjet mua dhe ty!
S’ do me sy  kush t’ na shikon,
As n’ muze, as në pension!
Demir KRASNIQI

NE JEMI ARDHMËRIA

0

NE JEMI ARDHMËRIAff5fbe23-dfb6-4b8a-b707-1eea413f06f3.jpg

Ne jem lule pranverore,
Jeta pa ne, s’ ka kuptim.
Ne, jemi qenie njerëzore,
Nuk jem kafshë për trafikim!

Ne, nuk jemi botë shtazore,
Mall për treg – mish për kasap!…
Ne, jemi qenie njerëzore –
Kërkojmë mbrojtje në çdo hap !

Edhe ne, e duam jetën,
Gjithë gëzimet, lumturinë…
Edhe ne , kemi të drejtën –
Ta gëzojmë jetën dhe lirinë !

Ne, s’ jem mallra për trafik,
Nuk jem mish për korba t’ zi,
Ne, nuk thithim narkotik,
S’ jem monedha për tregti !…

Jemi ardhmëria e kësaj bote,
Qenie e shenjtë madhështore .
Ne, nuk jemi dolli prej gote ,
Pse kemi lindë – nuk jemi fajtore !

Mos përbuzni mrekullinë ,
Mos u kënaqni me tymosje ,
Mos helmoni ardhmërinë ,
Mos i sillni botës shfarosje !

Demir KRASNIQI