KULTURË KOMBËTARE
13 Gusht 2008
NUK DUHET TË HESHTIM PARA TËHUAJSIMIT T![]()
SHKRUAN:SHABAN CAKOLLI
Kënga jonë e begatëshme shqipe shumë kohë ishte nën thumbin e cenzurës së egër,por prapseprap ajo mbahej dhe mbijetonte kohët,sepse ruante thelbin e vlerës së vet.Kënga jonë ishte shumë e lashtë,por e vequar në botë me ritmikë e melos shumë të pasur.U përcoll kënga jonë brez pas brezi,këngë me vargje me fuqi shprehëse,që jepnin zemër dhe moral për të dashur atdheun,të bënte të mburreshe me historinë kombëtare nga lashtësia e deri sot.Këngë me melodi të ëmbla dhe porosi të qarta ,që patjetër artistit i rrëmbenin shpirtin.E sotëmja i dha rastin çdokuj të merret me këngë,artistit të muzikës dhe pseudo-muzikantit,iu dha rasti të shkruaj tekste këngësh edhe krijuesit edhe atij që nuk e kupton qka është krijimtaria,dhe nga kjo përzierje kompetencash të këngëtarit dhe pseudo-këngëtarit,pozita e këngës dhe këngëtarit kanë mbetur në kacafytje,me ata që nga lakmia për komercializëm e bënë
tregun shqiptar dhe ate Evropian ku janë të strehuar shqiptarët,gumëzhimë ulurimash antikënge!Të kesh sot kohë të lirë,patjetër shpirti të kërkon relaksim me ndonjë muzikë,sepse ky art është art i shpirtit,por bëre u ngrite në këmbë të prekësh butonin e radios apo televizorit,programe muzikore do të kesh,por sa të kontaktoni me një lloj kënge shqisa e të dëgjuarit të thotë se një këngë e tillë në mos qoftë antishqiptare,patjetër do të jetë antimuzikë shqipe!
Të e pranosh antivlerën për vlerë,apo muzikën që nuk ka erë shqipe,është mashtrim dhe ikje nga realiteti:A kemi nevojë për një mashtrim të tillë?Unë mendoj jo,jo nga se ose do të dëgjojmë shqip,ose nuk do mund të e durojmë një diçka të huaj të veshur në shqip dhe të heshtim!Njësoj sikur të dëgjosh muzikë të huaj që është e drejtë e secilit të dëgjoi qfarë të don,nuk mund të pranohet muzika jonë të bëhet aq e huaj.Ishin kohët e zeza pushtuese mbi ne,pastaj ato tragjike të luftës,ku pushtuesi u dha shancë disa të pavetdijshmëve të bënin pasuri dhe emër me antivlera e gënjeshtra,nga se kjo ishte armë e fortë e pushtuesit të huajsoi vlerën e kulturës sonë,por nga ajo kohë kanë kaluar dhjetë vite,kurse lulëzimi i shundit,kiçit,apo të bastarduarit jo vetëm që nuk ka të ndalur,por po rritet në shkallë të madhe.Nuk mund të bëhemi popull kiç për hirrë të tregëtisë së dikujt,dhe për
hirrë të atyre që ua ka rrëmbyar shpirtin antivlera.Nuk e kemi as kohën,as shtytjen të shëndrrohemi në popull kiç,sepse nga popujt kiç druan edhe historia,kurse ne kemi një histori të begatëshme kombëtare.A do të guxojmë të rrijmë duarkryq para tëhuajsimit të kulturës sonë kombëtare?Mendoj se jo,sepse në momentin kur këto fillojnë të zbehen,fillon tëhuajsimi,kurse neve pikërisht na ka mbajtur gjallë si komb,kultura,tradita gjuha dhe arti ynë kombëtar,në kohë pushtuesit nuk i kemi zhdukur por i kemi përsosur dhe ruajtur me krenari dhe sakrifica.Sot shqiptarët të cilët më lirë se kurrë më parë mund të e frymojnë kulturën ,duhet të e mbrojnë,zhvillojnë dhe aq më tepër të e kombtarizojnë,asesi të e tëhuajsojnë.Tani kemi shtetin e ri,shtet i cili ka zgjedhur prijësit apo kryetitullarët e kulturës,shpresojmë se ndonjërit prej tyre do të ua prishin gjumin ulurimat e disa muzikantëve dhe
biznismenve tanë të asimiluar.Shundi e kiçi jo vetëm që synonte të ngritej mbi muzikën e vërtetë,por ia ka nxënë frymën tërësisht.Vallë mos dojkan këta pseudo-artist,që të na bëjnë të krisur,që kohën kur jemi liruar nga pushtuesi,të na e robërojnë shpirtin?!I krisur padyshim mund të quhet ai që huazon muzikën turko-greke,sllavo-rome,që memund u shkëputëm nga robëria e tyre,dhe të na e shes për tonën.Antivlera kulturore plot shund dhe kiç meriton dhe duhet të i shpallim luftë të hapur mes shoqërisë mediumeve,radio,tv,net,gazeta.Detyrë është kjo e shoqërisë në përgjithësi,e Ministrisë së Kulturës në veqanti,akademikët e muzikës duhet të e vlerësojnë drejt vlerën,duke u siguruar se është vërtetë vlerë të e lejojnë qarkullimin e saj në treg,tëstimulohet këngëtari i vlerës,të i zihet fryma antivlerave që drejt prej kafeneve dalin në treg,etj…..Dëgjuesi ynë duhet të pregaditet
të njeh vlerën e mirëfilltë kombëtare dhe të ndërgjegjësohet në bojkotimin e drejtëpërdrejtë të shundit dhe kiçit.Koha është të kthehemi aty ku e kemi lënë këngën origjinale shqipe dhe nga aty ta zhvillojmë e begatojmë me vlera kombëtare,asesi me barbarizma e antivlera.
KUSH PO PASUROHET NË EMËR TË KULTURËS
MBI KURRIZIN E TË TJERËVE?
Gjatë dhjetëvjetëshit të fundit, ku pothuajse çdo gjë frymon në anarki dhe ku askush – askujt nuk i jep llogari, as përgjegjësi për të bërat dhe të pa bërat, krahas një seri keqpërdorimesh që bëhen çdo ditë në dëm të shtet - formimit të Kosovës, edhe në sferat e kulturës kanë lëshuar shtat keqpërdorimet ndër më të ndryshmet, pa u hetuar dhe pa u penguar prej askujt?!
Në mediumet tona publike gjatë decenieve të fundit, në thumb të kritikës vazhdimisht kanë qenë dhe janë dukuritë e shëmtuara të cilat çdo ditë e më shumë po na i gëlltisin vlerat e mirëfillta tradicionale muzikore, përmes prodhuesve standard të shendit, kiçit, stilit “Tallava”, vjedhjeve, përkthimeve, pornografive të tepruara nëpër spotet televizive e shumë e shumë të tjera.
Krahas të gjitha këtyre dukurive shëmtuese për kulturën tonë tradicionale, kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin edhe një varg keqpërdorimesh të tjera në dëm të muzikës, historisë, kombit, por në rend të parë në dëm të luftëtarëve, viktimave të luftës, martirëve të kombit, dëshmorëve të kombit dhe heronjve të popullit dhe përfundimisht në dëm të familjarëve dhe te të afërmve të këtyre kategorive!
Përfituesit të cilët mëtojnë që të pasurohen në emër të patriotizmit dhe të historisë kombëtare, përmes artit dhe kulturës, me një mjeshtri të rrallë perfide e kanë shfrytëzuar këtë vakum ligjor dhe këtë anarki, për të krijuar, botuar dhe plasuar vepra ndër më të ndryshmet, që iu dedikohen kategorive të lartpërmendura, por që fund e krye nuhasin në përfitime personale mbi kurrizin e të tjerëve!
Matrapazët e këtij soji, nuk hezitojnë që të hulumtojnë viktima zemërdjegura, për t’ ua shkruar madje edhe histori, për t’ i shpallur edhe heronj të popullit , pa profesionalizëm, pa kritere dhe pa mandatin e popullit , të qeverisë dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës?!
Lidhur me këto trende, u botuan shumë libra, shumë këngë e çka jo tjetër?!
Kur jemi tek kjo temë, në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë që ta vëmë në pikëpyetje kontributin, veprën dhe gjakun e askujt! Larg qoftë dyshimi dhe nënçmimi ndaj tyre, mirëpo në asnjë mënyrë nuk mund të kuptohet dhe arsyetohet përfitimi dhe mashtrimi i tekstshkruesëve, libërshkruesëve, interpretuesëve – matrapaz, të cilët nuk skuqën, nuk turpërohen që të përfitojnë para të majme mbi kurriz të familjarëve të cilët i kanë humbur më të dashurit e tyre dhe më në fund që të përfitojnë edhe mbi gjakun dhe eshtrat e dëshmorëve të kombit?!
Populli i di mirë profiterët e kësaj natyre me emër e mbiemër, por më mirë i dinë familjarët e viktimave, martirëve, dëshmorëve dhe të heronjve të popullit!
Familjarët dhe prindërit zemërshkrumb të atyre që i humbën për gjithmonë për lirinë aq të shtrenjtë të Kosovës, nuk do ta kursenin as kafshatën e fundit të gojës, për t’ ua ngritur bijve dhe bijave të tyre ndonjë vepër jetësore, qoftë në formë të shkruar, qoftë përmes këngëve, qoftë përmes lapidarëve, por a duhet që kjo etje dhe ky zjarr i prindërve , të shuhet duke i vjelë ata materialisht, madje pa fije turpi , gjithnjë në emër të patriotizmit dhe historisë?!
Nga burimet tona shumë të sakta dhe shumë të besueshme, statistikat dhe dëshmitë flasin për disa interpreto vokale dhe kompozitorë të cilët kanë krijuar me qindra këngë kushtuar viktimave, martirëve, dëshmorëve dhe heronjve të popullit, duke ua kërkuar si shpërblim familjarëve të dëshmorëve dhe të tjerëve, hiq më pak se nga 10.000 Euro për një këngë?!
Një dukuri e këtillë, sa është absurde, aq është edhe antikombëtare dhe shkelje mbi gjakun dhe vlerat e luftës për çlirim!
Hiq më pak mëkate nuk kanë as libërshkruesit të cilët nuk ngelën anash pa e hulumtuar këtë “treg” dhe “biznes patriotik”, për të përfituar para të majme duke shkruar e botuar libra në regji private, pa kurrfarë kriteresh artistike, profesionale, as historike!
Edhe për kategorinë e njerëzve që i kontribuojnë një “kulture të tillë patriotike – historike” , kemi mjaftë shembuj e dëshmi, ku shumica prej tyre prezantohen para opinionit si “Shtëpi botuese!?!
Për shkrimin dhe botimin e librave të këtilla, viktimave iu merren shumë e madhe të hollash në emër të: hartuesit – tekstshkruesit, redaktorit, recensentëve, lektorëve, radhitësve të kompjuterit, skenimit të fotografive dhe botuesit. Po të hulumtohej e gjithë puna e kryer deri në finale, edhe laiku më i thjeshtë do ta kuptonte se të gjitha këto role i ka kryer i njëjti person, vetëm që ka publikuar emra të imagjinuar!
Ndër shumë matrapaz të këtillë, po e përmendim vetëm një shembull:
Para ca ditësh u publikua një vepër kushtuar një luftëtari dhe patrioti të shquar nga Anamorava, për të cilin deri më tash nuk është shkruar asgjë, nga se figura e tij ishte e anatemuar nga ana e regjimeve të mëparshme. Për ta hartuar tekstin dhe botimin e këtij libri, të cilin e kishte financuar materialisht biri i tij, i cili jeton diku në diasporë dhe për te kishte paguar para kesh, hiq më pak se 4000 Euro?!
Për njohësit e çmimeve të botimeve të librit, kjo është një shifër astronomike, kur kihet para sysh madhësia e librit prej gjithsejtë 200 faqesh dhe tirazhi i tij, prej vetëm 300 kopjesh?!
Absurdi edhe më i madh bëhet atëherë, kur financuesit (djalit të luftëtarit) nuk i jepen librat, por atij i jepen vetëm 10 ekzemplarë, ndërsa të tjerat ia ndalë për shitje, manipulime e përfitime tjera, botuesi i librit?!
Manipulimet e këtilla, nuk përfundojnë vetëm me kaq. Botuesit e vetëshpallur, i obligojnë financuesit e librave të tillë, që të organizojnë promovimin e librit nëpër salla të cilat duhet paguar, të shpenzojnë për kokteje, dreka e darka, nëpër hotele e restorante luksoze, për t’ i nderuar mysafirët e “mëdhenj” , të cilët ua imponojnë botuesit!
Anomalia tjetër e kësaj natyre, ndodhë nëpër shumë shkolla, ku arsimtarët e nxënësve , sidomos ata të gjuhës e letërsisë shqipe, i nxisin dhe ua imponojnë nxënësve që të shkruajnë vjersha, nga se “ata kanë talent dhe prirje të madhe për t’ u bërë poet të mëdhenj!” Në këto raste, vet arsimtarët iu bëhen nxënësve redaktor dhe botues të librave, duke iu imponuar prindërve që medoemos të financojnë botimet e librave për fëmijët e tyre!
Pas botimeve të librave të këtilla, ku në të shumtën e rasteve, vetë arsimtarët imponues, ua shkruajnë edhe vjershat nxënësve të vet, pasojnë përfitimet dhe keqpërdorimet tjera, ku nxënësve të tjerë iu imponohen për blerje veprat e tilla, prindërve iu imponohen promovimet luksoze, ndërsa “botuesit – arsimtarë” përfitojnë para mbi kurriz të nxënësve dhe prindërve të tyre. Të gjitha këto marifetllëqe bëhen në emër të “kulturës” dhe “patriotizmit humanitarë “!
Gjilan, më 16 Gusht 2008. Demir KRASNIQI
koment nga cakolli — 16 Gusht 2008 @ 6:36 pm
ROLI I TUPANIT NËPËR SHEKUJ
Lashtësia dhe prejardhja e tupanit
Pa dyshim se njëri ndër instrumentet më të lashta të muzikës, është tupani, i cili nëpër krahina shqiptare njihet me tri emërtime: tupani, lodra, daullja.
Dihet se fishkëllimat e njeriut kanë qenë paraardhësit e parë të instrumenteve frymore, ndërsa të rrahurit me shuplaka dhe trokitjet me rrasa të gurëve, kanë qenë instrumentet e para primitive, të cilat kanë paralajmëruar ardhjen e instrumenteve të ndryshme ritmike.
Tupani si njëri nga instrumentet më të lashta ritmike ka prejardhjen prej vendeve aziatike dhe India, të cilin e kanë përdorur njerëzit endacak dhe popujt nomadë, ku shumë shpejt ka depërtuar edhe tek popujt evropianë , tek popujt e Afrikës, për ta pushtuar më vonë mbarë globin tokësor.
Ky instrument shumë i rëndësishëm muzikor, ka zënë vend meritor edhe në muzikën popullore shqiptare, pa të cilin nuk mund të paramendohen sidomos vallet popullore të traditës shqiptare.
Por, në vazhdim do të bëjmë një historik të shkurtër për këtë instrument, për të pasqyruar rolin e tij, nëpër shekujt e kaluar.
Tupani si mjet alarmues ndaj rreziqeve të ndryshme
Në kohërat e lashta, kur njerëzit kanë udhëtuar prej një vendi në tjetrin, për të kërkuar kushte më të mira për jetë, jo rrallë herë, janë ballafaquar me rreziqe të pa parashikueshme, qoftë me shtazë të egra, qoftë me grupe të ndryshme njerëzish, racash, fisesh dhe krahinash të ndryshme.
Dihet, se në ato kohëra nuk ka pasur kurrfarë mjeti të komunikimit në mes njerëzve dhe grupeve të ndryshme nomade, andaj i vetmi mjet alarmues ndaj rreziqeve të ndryshme, sulmeve nga shtazët e egra, luftërave të ndryshme, ka qenë tupani, përmes të cilit me anë të ritmeve të ndryshme, kanë alarmuar të tjerët për rreziqet me të cilat janë përballur kohë pas kohe. Tupani, si instrument i fuqishëm ritmik, me tingullin e tij kumbues, mundësonte që përmes tingujve të tij, të alarmohen njerëzit në një largësi relative.
Tupani si mjet informativ nëpër vendtubimet e ndryshme
Në kohën kur nuk kishte mjete tjera komunikuese në mes të njerëzve, tupani ka luajtur edhe një rol shumë të rëndësishëm si mjet informativ, për një rreth të caktuar njerëzish. Në kohën kur nuk kishte shkrim-lexim, telefona, mjete të informimit publik, ishte punë e vështirë për t’ i tubuar njerëzit dhe masën, në rastet kur duhej të mbahej ndonjë tubim gjithë-popullorë , ndonjë kuvend me rëndësi të veçantë, apo vendtubime me rëndësi të tjera historike.
Pra, për t’ i tubuar njerëzit në logje të tilla, tupani luante një rol shumë të rëndësishëm informativ. Njerëzit të cilët iu kanë rënë tupanëve në rastet e këtilla, kanë qenë të specializuar dhe të autorizuar nga rrethi ku kanë jetuar e vepruar dhe ata për lajmërime të këtilla, kanë pasur stile të veçanta ritmike, me të cilat i kanë njoftuar njerëzit për tubime gjithë popullore, nga se do të vendosej diçka e veçantë dhe e rëndësishme për gjithë masën popullore dhe rrethin ku ata jetonin.
Njerëzit të cilët merreshin ekskluzivisht me këtë “zeje”, në popull quheshin :”Telall”, që në gjuhën turke do të thotë:”Lajmëtar!”
Tupani si mjet përcjellës ushtarak dhe luftarak
Tupani, si instrument i fuqishëm ritmik, nëpër shekuj ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm edhe në jetën ushtarake. Me përcjellje të ritmit të tupanit, janë shoqëruar shumë stërvitje ushtarake, marshe ushtarake, parada , solemnitete ushtarake dhe manifestime të ndryshme të këtij karakteri.
Rëndësi të veçantë , tupani ka luajtur nëpër luftëra të ndryshme, ku ushtarët dhe luftëtarët e ndryshëm, janë shoqëruar me ritme tupanësh. Një shoqërim i tillë, më tepër ka luajtur rol në trimërimin dhe rritjen e moralit luftarak të ushtarëve.
Kur jemi tek luftërat, nuk mund të anashkalojmë edhe rolin negativ të tupanit, të cilin kriminelët dhe kasapët – shërbëtor të okupatorëve, e kanë përdorur tupanin si mjet për mbulimin e trishtimave, klithjeve dhe britmave të viktimave të pafajshme, të cilat xhelatët i nxirrnin nga shtëpitë e tyre dhe i çonin në një vend të caktuar për t’ i kasapitur në mënyrat më barbare, duke ua prerë kokat dhe gjymtyrët e trupit me thika dhe mjete tjera të ftohta. Andaj, në raste të këtilla, janë angazhuar tupanxhinjë të specializuar për këtë “zeje”, ku gjatë tërë kasapitjes së njerëzve të pafajshëm, burrave, pleqve, plakave, nuseve, vajzave dhe fëmijëve – tupanxhinjët iu binin tupanëve për t’ ua mbuluar zërat viktimave dhe për të krijuar bindje në afërsi, se gjoja , në vendin e krimit “është duke u bërë dasmë e aheng”, e jo kasaphane!
Raste të këtilla, gjatë luftërave të shkuara, ka pasur nëpër shumë qytete e vendbanime shqiptare. Sidomos, është i njohur vendi i quajtur “Tauk Bashqe”, afër Prishtinës, në të cilin janë kasapitur shumë shqiptarë, nën tingujt e tupanëve , të cilëve zakonisht iu binin romët e angazhuar nga forcat ushtarake e xhelatxhinjve serbë.
Një rol të këtillë , tupanxhinjët romë të Vranjës, e kanë luajtur edhe gjatë Kasaphanës në vendin e quajtur “Lagja e Iseukëve” në Karadakun e Gjilanit, në të cilën janë kasapitur më se 100 shqiptarë, të cilëve para se t’ ua prisnin kokat dhe para se t’ i vrisnin, nën tingujt e tupanëve – ua thyenin dhëmbët dhe i detyronin nënat, gratë dhe motrat e viktimave, që t’ i përvëlonin me ujë të valë nga kazanët dhe enët tjera të amvisërive shtëpiake!
Tupani si mjet tregues i kohës ditore
Tupani, nëpër shekujt e kaluar ka luajtur rol shumë të rëndësishëm edhe si tregues i kohës, nga se dikur nuk kishte orë për matjen dhe tregimin e kohës së saktë!
Sidomos, gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, tek besimtarët myslimanë, roli i tupanit ishte me peshë të veçantë. Andaj, gjatë këtij muaji, angazhoheshin njerëz – tupanxhinjë, të cilët kishin për detyrë që t’ iu binin tupanëve në çdo kohë të faljes së namuzeve, e sidomos në kohën kur njerëzit duhej zgjuar për të ngrënë syfyrin dhe në kohën kur agjëruesit e Ramazanit, duhej bërë iftar!
Për ta kryer këtë “detyrë” sa më mirë, zgjidheshin romët të cilët posedonin tupanët më të mëdha dhe më të fuqishme, por kishte edhe shumë raste, kur njerëzit e shtresave të varfër , i merrnin tupanët me qira prej romëve dhe e kryenin këtë detyrë, me qëllim që të përfitojnë ndonjë para prej banorëve të fshatit dhe të rrethit ku jetonin!
Për një shërbim të këtillë, tupanxhinjët e Ramazanit, ditën kur falej namazi i Bajramit, shkonin nëpër xhami dhe e ekspozonin tupanin e tyre, mu në derë të xhamisë! Fill pas faljes së namazit të Bajramit, besimtarët i shpërblenin ata, me para e dhurata tjera të dobishme për familjarët e tupanxhinjve!
Roli i tupanit në dasmat popullore
Pa dyshim se tupani, ka luajtur dhe luan rol të veçantë edhe nëpër dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore. Dikur, në trevat dhe krahinat tona madhësia dhe madhështia e dasmave, matej me numrin e dasmorëve dhe me numrin e tupanëve që do të angazhoheshin në ato dasma. Për shembull, kur dikush nga pasanikët e mëdhenj, angazhonte për dasmën e tij, tri palë tupanë, atëherë ajo dasmë përmendej shumë gjatë në mbarë atë fshat dhe atë rrethinë!
Roli i tupanit, në dasmat dhe ahengjet tona popullore, në kohët e kaluara shumë më tepër ka pasur rol alarmues dhe informativ, se sa karakter argëtues!
Në radhë të parë, tupani ka shërbyer si mjet alarmues dhe informativ, për t’ i njoftuar njerëzit e një rrethi të caktuar ku po zhvillohej dasma, në mënyrë që ata po sa t’i dëgjojnë bubullimat e tupanit, të kuptojnë se atje paska dasmë dhe kjo automatikisht nënkuptonte edhe thirrjen e dasmorëve për dasmë, nga ana e Zotit të Dasmës!
Kjo, ka ndodhur për shkak të mungesës së mjeteve të komunikimit për thirrjen e dasmorëve, si dhe terreneve të vështira malore , ku duhej humbur shumë kohë e mund për t’ i ftuar njerëzit në dasmë, e aq më tepër lypsej angazhuar shumë meshkuj – burra, për t’i ftuar gjithë ata dasmorë!
Roli i dytë i tupanit, nëpër dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore, ishte përcjellja e dasmorëve gjatë ardhjes dhe shkuarjes së tyre, përcjellja e valleve tradicionale popullore, sidomos të valleve të rënda me karakter luftarak, të cilat i luanin ekskluzivisht burrat . Tupani përdorej me të madhe gjatë ceremonisë së hyrjes së dhëndrit në xherdek, e sidomos në mëngjes, kur nxirrej dhëndri nga dhoma e nuses, ku tupani duhej të binte me tërë fuqinë e tij, me qëllim që të alarmojë të afërmit, fshatin, rrethin dhe miqtë për aktin e pastër moral të virgjërisë së nuses!
Këtë akt, tradicionalisht e përcillte dhe e vëzhgonte me kujdes të veçantë i tërë rrethi dhe krahina, nga se në rastet kur nuk dëgjohej tupani – i tërë rrethi dhe krahina e kuptonte se nusja nuk kishte qenë e virgjër!
Roli i tupanit në fshatrat rurale
Roli i tupanit në dasmat popullore që organizoheshin nëpër fshatrat rurale, përveç karakterit argëtues, pritjes dhe përcjelljes së dasmorëve, alarmimit dhe thirrjes së dasmorëve për dasma dhe përcjelljes së dhëndrit për në xherdek, ka pasur edhe një rol shumë të rëndësishëm gjatë udhëtimit të dasmorëve në ditën kur ata shkonin për ta marrë nusen nëpër fshatra të largëta dhe terrene të vështira malore.
Gjatë udhëtimeve të këtilla të mundimshme të dasmorëve, shpeshherë ndodhte që dasmorët (krushqit) të bien në prita, të sulmohen nga grupe e individë të pa njohur, të cilët tentonin që me luftë, t’ ua grabisnin nusen nga qerrja e saj!
Për këtë, shumë herë kanë ndodhur luftëra të përgjakshme në mes krushqve, ku nuk janë të pakta vendet dhe toponimet e mbetura në analet e historisë sonë, si:”Varret e krushqve”,”Krushqit që janë bërë gurë” e të ngjashme.
Andaj, për t’ iu shmangur këtyre pritave, sulmeve dhe dyluftimeve të mundshme, tupani gjatë tërë kohës së udhëtimit të dasmorëve ka qenë i obliguar që të bubullonte, në mënyrë që t’ i alarmojnë fshatrat dhe malet për rreth se nëpër atë terren është duke udhëtuar turma e krushqve dhe qerrja e nuses!
Roli i tupanit në qendrat urbane
Roli i tupanit, në qendrat urbane nuk ishte i rëndësishëm, sikurse në fshatrat rurale. Në dasmat dhe ahengjet popullore që organizoheshin nëpër qendrat urbane, tupani kishte më shumë rol argëtues në përcjelljen e valleve popullore, por edhe rol alarmues-informativ, për t’ ua përkujtuar fqinjëve dhe qytetarëve se është duke u bërë një dasmë apo gazmend familjarë! Mirëpo, këtu nuk e ka qëllimin për t’ i ftuar në dasmë krushqit, por më tepër për t’ ua bërë me dije lagjes dhe rrethit se në një familje të caktuar ka dasmë!
Vlen të theksohet se edhe në përcjelljen e valleve popullore me karakter qytetar, tupani është shumë më pak i dëshirueshëm, nga se nëpër qendrat urbane shumë më pak luhen vallet e rënda të burrave dhe ato me karakter luftarak, e shumë më tepër preferohen vallet e përziera ku do të vallëzojnë së bashku të dy gjinitë!
Tupani në dasmat e modernizuara dhe në restorante
Viteve të fundit, në traditat tona popullore, ku dasmat dhe ahengjet popullore thuaja se në tërësi janë “modernizuar”, nga se ato tani organizohen kryesisht nëpër lokale hoteliere, restorante dhe salla të ndryshme, mund të thuhet lirisht se tani shumë pak vend i ka mbetur tupanit që të bubullojë në këto lokale.
Dihet se ahengun dasmor e bartin grupet dhe ansamblet muzikore të elektrizuara dhe të fuqizuara, të cilat mund të dëgjohen shumë më larg se sa që dëgjoheshin dikur këngëtarët dhe tupanët. Grupet dhe ansamblet e tilla, të specializuara për dasma e ahengje të ndryshme popullore, së bashku me interpretuesit vokal, mundësojnë argëtimin, disponimin dhe vallëzimin e të gjitha gjinive dhe llojeve të vallëzimeve!
Andaj, mendojmë se tupanëve në dasmat e këtilla nuk iu ka mbetur më vend për bubullima të trishtueshme dhe iu ka ardhur koha për pensionime, apo për pushime nëpër muze të ndryshme!
Tupanët, në dasmat që organizohen nëpër hotele, restorante e salla të ndryshme, i sjellin vetëm individët të cilët nuk mund të përshëndeten nga e kaluara e largët tradicionale dhe ata të cilët me një mendjemadhësi të llojit të vet, duan të tregohen para masës së dasmorëve, se gjoja janë të pasur dhe gjoja se nuk mund t’i harrojnë traditat e kaluara nga vet koha në të cilën jetojmë!
Angazhimet e tupanëve, në ambientet e këtilla, jo që ia rrisin koston e dasmës Zotit të shtëpisë, por ata në ambiente të mbyllura vetëm sa krijojnë huti, tollovi dhe zhurmë të pa përballueshme, të cilën dasmorët nuk mund ta durojnë me kënaqësinë dhe dëshirën e tyre!
Andaj, në vend të porosisë, këtë shënim po e përmbyllim me atë proverbin e njohur popullor , i cili thotë: “Ec me kohën”, duke ia shtuar edhe të vërtetën tonë historike se dikur i kemi lëvruar arat me parmendë, me plug, me shati, me qe, me kuaj…por sot është koha e makinave moderne dhe mjeteve të motorizuara, pa të cilat nuk mund të presim rendimente të lakmuara të bereqeteve!
Gjilan, më 17. 08. 2008. Demir KRASNIQI
koment nga cakolli — 17 Gusht 2008 @ 1:18 pm