31 Korrik 2008

demiri100_100x98.jpg

nje koment

  1. INTERVISTË ME KËNGËTARIN DHE KRIJUESIN DEMIR KRASNIQI
    KËNGA E MIRËFILLTË SHQIPE GËZON MBËSHTETJEN KOMBËTARE

    Shqipo com: - Z. Demir, do të shquaja këngëtarin më stabil në trojet shqiptare! E merrni këtë të vërtetë, apo kompliment?

    Së pari, do të doja që t’ i përshëndes të gjithë lexuesit e Agjencisë “Shqipo com”, të gjithë adhuruesit besnik të këngës sime dhe stafin drejtues të “Shqipo com”!
    Sa i përket pyetjes suaj konkrete, është e vështirë të jepet përgjigjja reale, nga se kjo pyetje kërkon një zbërthim pak sa më kompleks! Është e natyrshme, që adhuruesit e mëdhenj ndaj artistëve dhe idileve të tyre, përherë bëjnë komplimente publike në mënyra të ndryshme. Pra edhe kjo mund të jetë si njëri nga komplimentet e shumta që më janë drejtuar gjatë karrierës sime prej këngëtari popullor.
    Ndërsa, vlerësimit tuaj, ndaj meje: si njeri ndër këngëtarët më stabil në trojet shqiptare, është shumë vështirë t’ i jepet përgjigja adekuate, nga se pa modesti po e them se stabiliteti im qëndron besnik ndaj bazamentit të trashëgimisë sonë kulturore, sidomos në ruajtjen, vjeljen dhe kultivimin e këngës tradicionale popullore nga i gjithë nënqielli shqiptar.
    Nga ana tjetër, mund të them lirisht dhe pa modesti se jam njëri ndër krijuesit më të mëdhenj të trojeve etnike shqiptare, sa i përket thurjes, kompozimeve dhe publikimeve të veprave origjinale muzikore, qoftë përmes eterit, RTV-së, disqeve të gramafonit, audio kasetave dhe kompakt disqeve të ndryshme, librave, gjithmonë duke i qëndruar besnik melosit tradicional shqiptar.

    Shqipo com: - Prej kur këndoni, dhe si morët rrugëtimin për këngëtar?

    Dashuria ndaj këngës, në zemrën time ka lindur krahas mësimit të gjuhës së nënës sime. Nëna, më mësonte që të flas dhe ta dua këngën, duke më kënduar ninulla shumë të bukura gjatë përkundjeve në djepin e drunjtë të mbuluar herë me kashtë, herë me sanë e herë me fieri.
    Zëri dhe kënga e nënës sime, edhe sot e gjithmonë më tingëllojnë ëmbël dhe krenare në veshin tim. Më vonë, fillova ta dëgjoi babanë tim duke kënduar nëpër odat e burrërisë, dasma, ahengje dhe ndeje dimërore. Të pa harruara ishin ato ndeja, kur i dëgjoja edhe shumë njerëz të tjerë duke kënduar bukur, duke luajtur me fyej, kavall e çifteli. Lakmia dhe dashuria ime, ndaj këngës sa vinte e shtohej për çdo ditë më shumë.
    Këndonin motrat e mia, dajallarët, bareshat dhe barinjtë . Kënga jehonte kudo në malet e Gollakut dhe unë ato i mësoja menjëherë, i këndoja kudo me dashuri dhe krenari të madhe!
    Që nga ditët e para të uljes sime në bankat e shkollës fillore të fshatit Tugjec, kënga , zëri dhe talenti im, u bënë sinonim i shkollës dhe Malësisë së Gollakut.
    I pari që nxiti talentin tim dhe i dha krahë të fuqishëm zërit tim, ishte kavallisti më i njohur në Malësinë e Gollakut – mixha Zenel, të cilin populli e quante Baci Nel, ose Zenel Kavalli.
    Talentin tim, pa dyshim e farkoi dhe e trasoi në rrugën e drejtë të muzikës, arsimtari im i ndjerë:Rexhep Bunjaku nga Poliçka, i cili i pari e solli violinën në Malësinë e Gollakut dhe i pari më qiti në skenë para publikut, si këngëtar popullor.
    Mësuesi Rexhep, ishte më meritori, që më 1964 më nxiti që të marr pjesë në Manifestimin e atëhershëm tradicional, me karakter garash komunale:”Mikrofoni është i juaji” që mbahej në Kamenicë, më 25 Maj.
    Në konkurrencën e 74 copë katundeve të Kamenicës, Juria Profesionale e atij manifestimi, më pat shpërblyer me Vendin e Parë, për interpretimin e këngës:”Hajredin Pasha”, për të cilën më shpërbleu me 5000 dinarë, që kishin vlerën sa dy paga e gjysmë të një mësuesi!
    Ky edhe ishte momenti vendimtar, kur unë ( me këshillat e mësuesit) u përcaktova përjetësisht që të udhëtoj rrugës së muzikës, e cila shumë shpejt u bë profesioni im jetësor. Pas mbarimit të shkollës së plotë fillore në Tugjec, u regjistrova në Shkollën e Mesme Profesionale të Muzikës, në Prishtinë, ku krahas shkollimit profesional e përsosa edhe talentin tim prej këngëtari popullor, instrumentisti dhe pedagogu muzikor.
    Në Prishtinë, shumë shpejt i ra në gjurmë talentit tim, etnomuzikologu dhe etnografi i parë muzikor i Kosovës, i ndjeri dhe i madhi Lorenc Antoni. Ai, regjistroi dhe deshifroi një numër të madh këngësh burimore të kënduara nga unë dhe i botoi në përmbledhjet :”Folklori muzikor shqiptar”, Bleni IV,V,VI dhe VII.
    Lorenc Antoni, më pranoi si anëtar të rregullt të Ansamblit Vokalo Instrumental “Çiftelia” pranë Radio Prishtinës, më pranoi si këngëtar të rregullt të Radio Prishtinës dhe më mori në shumë festivale vendore dhe ndërkombëtare.
    Kënga ime jehoi në etër më 1968, përmes valëve të Radio Prishtinës dhe përmes disqeve të gramafonit, që atë botë incizoheshin në RTJ të Beogradit. Kënga e parë e incizuar në Radio Prishtinë ishte “Kuvendon Marta me gra”, ndërsa disku i parë i incizuar në RTJ – Beograd, ishte ajo me titull:”Kushtrimi i Skënderbeut”, që i kushtohej 500- Vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar legjendar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Prej aty, kënga ime vazhdon rrugën e pandalshme në shumë koncerte, festivale, publikime të diskografisë dhe më vonë edhe të fonotekës shqiptare.

    Shqipo com: - Tekstet e këngëve tuaja janë shumë kombëtare! Si ia dilni këtyre zgjedhjeve?

    Kjo punë është shumë e lehtë për krijuesin, nga se aty ku i rrahë zemra dhe aty ku i pushon shpirti – aty lindin edhe temat dhe frymëzimet për të krijuar tekste dhe për të kompozuar melodi për këngët popullore.
    Duke dëgjuar e lexuar për ngjarjet tragjike të historisë së popullit tim, të ndodhura nëpër shekujt e zi të robërisë, duke dëgjuar për trimat dhe heronjtë e vendit kudo nëpër trojet shqiptare, frymëzimet e mia buronin nga thellësia e shpirtit dhe zemrës sime, mu si një vrushkull uji në burimet e pastra të Malësisë së Gollakut. Ngjarjet e tilla dhe protagonistët e tyre, mbetën në shpirtin tim si vulë e krijimtarisë muzikore dhe repertorit tim prej këngëtari popullor.
    Në krijimtarinë time dhe në repertorin e këngëve, nuk ka ngelur anash pa u këndua asnjë krahinë shqiptare dhe asnjë trim, patriot,luftëtar, dëshmorë e hero i kombit! Për këtë, jam krenar nga se përmes këngës dhe krijimtarisë sime, kam arritur që ta mësoj të vërtetën mbi historinë e kombit tim, për të cilën fatkeqësisht gjatë shkollimit tim, nuk kam mësuar asgjë, por përmes këngëve të mia – edhe populli kanë dëgjuar e mësuar shumë çka!

    Shqipo com: - Ju , pos këngës merreni edhe me krijimtari! Na thuaj diçka rreth botimit të librave tuaja, audio – kasetave dhe video - spoteve?

    Kënga dhe krijimtaria ime, janë të lidhura ngushtë, mu sikur mishi i lidhur për thoni, nga se njëra pa tjetër nuk qëndrojnë.
    Duke e parë se popullit tonë i mungonin shumë këngë me tematika të pa prekura nga përditshmëria e tij, nga se këtë liri e kishte të ngulfatur nga regjimi i egër okupator – unë mora një vendim të guximshëm dhe të rrezikshëm, që të punoj dhe të jap kontributin tim në këtë drejtim.
    Për këtë, mendoj se ia kam dalë me sukses edhe pse kjo punë më ka kushtuar shumë gjatë jetës dhe karrierës sime, me përndjekje, përgjime, ndëshkime, madje edhe me katër atentate të përgatitura dhe të dështuara ndaj meje!
    Në opusin tim krijues, deri më tani frymojnë mbi 2000 tituj këngësh të thurura dhe të kompozuara me tekst e melodi origjinale. Prej tyre, janë incizuar me qindra disqe gramafoni, audio kaseta, video kaseta, kompakt disqe dhe emisione radio-televizive.
    Deri më tani, i kam botuar gjithsejtë 14 libra autoriale, kryesisht lirikë dhe rapsodi, por që një numër shumë i madh i tyre, presin ditët e botimit dhe të publikimit. Vlen të theksoj, se të gjitha librat e publikuara deri më tani, janë botuar me buxhetin tim personal dhe janë shpërndarë gratis për adhuruesit e këngës sime. Veprat e mia, as përmes incizimeve, as përmes publikimeve, në asnjë mënyrë nuk janë komercializuar, sepse motoja e punës sime ka qenë dhe mbetet:
    “Për emrin e Zotit,
    Për nderin e Kombit,
    Për gjakun e Dëshmorëve,
    Për eshtrat e Varreve!”…

    Krahas krijimtarisë sime origjinale, me përkushtim shumë të madh kam vjelë, shënuar dhe ruajtur këngët popullore te të gjitha zhanreve dhe nga të gjitha krahinat shqiptare. Numri i tyre kalon shifrën prej 4000 këngësh, por që fatkeqësisht, nuk kam qenë në gjendje materiale për t’ i botuar ato, ndërsa ndihma shoqërore dhe institucionale më ka munguar gjithmonë.
    Ajo që më mundon më së shumti në shpirt dhe ma shton frikën se do të vdes pa e realizuar – për çka edhe do të me mbeten sytë e hapur; është përmbledhja me këngë lirike të grave të Gollakut, në të cilën janë të shënuara 1216 këngë dhe për të cilën kam punuar sistematikisht plot 40 vjet, duke pritur botimin e tyre!
    Sa i përket incizimeve të audio kasetave, jam i kënaqur sepse kam incizuar një numër shumë të madh të tyre. Në produkcionin e video kasetave, mezi kam realizuar një videokasetë, nga se e tërë kjo është e ndërlidhur me anën materiale dhe komerciale nga ata që dirigjojnë me këtë biznes!
    E njëjta gjë qëndron edhe me realizimin e video – spoteve për realizimin e të cilave parashikohen çmime astronomike dhe të pa kapshme për buxhetin e një arsimtari veteran me 200 Euro të ardhura në muaj!
    Kam të realizuara vetëm dy video spote, kushtuar dëshmorëve të kombit: Muharrem Ibrahimi dhe Abdullah Tahiri, por as ato nuk më emetohen kurrë nëpër programet televizive, nga se këngët e tilla nuk u shkojnë për shije UNMIKUT dhe sahanlëpirësve të tyre! Ndërsa, unë nuk jam ithtarë i spoteve amorale dhe të lakuriqësisë pornografike që iu ngjajnë skenave parahistorike të xhunglave të Afrikës!

    Shqipo com: - Ju, jeni pjesëmarrës i shumë festivaleve, koncerteve dhe organizimeve tjera kulturore. Si e ndieni veten në skenë?

    Jam shumë i lumtur dhe krenar, që pata fatin të këndoj në dasmat dhe gazmendet e vëllezërve dhe motrave të mia gjithandej trojeve dhe krahinave shqiptare. Kam kënduar në shumë koncerte kudo në Kosovë dhe jashtë saj. Katër herë kam qenë përfaqësues i Kosovës në festivalet ndërkombëtare të folklorit. Kam qenë i vetmi përfaqësues i Kosovës në Manifestimin mbarëkombëtar fetar në Shkodër, më 1996 dhe i vetmi përfaqësues nga Kosova në Festivalin “Zëri i Alfabetit” në Manastir, më 2007.
    Shpërblimet më të mëdha dhe më të dashura në karrierën time janë:Festivali i Shkodrës,Festivali i Manastirit, Festivali i Mujë Krasniqit në Klinë dhe në veçanti: dhurata e Familjes së Qamilit të Vogël, e cila mi ka dhuruar kompletet e kostumeve kombëtare të këngëtarit dhe krijuesit legjendar – Qamili i Vogël – Muhaxhiri, me rastin e botimit tim, të monografisë dhe veprës muzikore të Qamilit të Vogël!
    Krahas të gjitha këtyre aktiviteteve, kam themeluar dhe drejtuar shumë grupe e ansamble muzikore gjithandej vendeve dhe shkollave ku kam punuar e jetuar. Kam ndihmuar e përkrahur edhe shumë talent e talente të reja në rrugë të afirmimit të tyre.
    Kam organizuar, përkrahur e ndihmuar shumë aktivitete të ndryshme kulturore, siç janë manifestimet e Takimeve të Vendlindjes nëpër shumë fshatra të Malësisë së Gollakut e në veçanti, në organizimin e Takimeve më masovike në këtë Malësi “Takimet e Vendlindjes” në fshatin Tugjec.
    Sa i përket pyetjes se si ndihem unë në skenë para publikut, unë nuk e di se si e ndiejnë veten të tjerët, por unë sa herë që dal para publikut e ndiej një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe njerëzore,profesionale dhe kombëtare! Këngëtari që del në skenë para publikut, është ambasador i vërtetë i këngës dhe artit kombëtar shqiptar! Andaj, si i tillë duhet të ketë përgjegjësi të madhe morale, cilësore, profesionale dhe të afrojë vlera të mirëfillta të këndimit, kostumografi origjinale dhe të kompletuar dhe mbi të gjitha , duhet të ketë sjellje korrekte artistike para publikut dhe gjatë komunikimit me te!

    Shqipo com: - A ka pseudovlera artistike në Kosovë? Nëse Po; kush po i krijon ato?

    Fatkeqësisht, jo vetëm Kosovën, por mbarë trojet shqiptare i ka pllakosur tregu i pseudovlerave muzikore, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me artin dhe artistiken shqiptare! Dikur, këngët, vallet dhe kostumografia jonë shqiptare, ishin të lakmuara nga të gjitha anët e botës! Por sot, është duke mbretëruar një kaos i vërtetë mjerimi, i cili kundërmon dhembshëm në degjenerim dhe asimilim të kulturës kombëtare!
    Se kush po i krijon dhe kush po i plason këto antivlera, ka shumë përgjegjës kujdestar.
    Në rend të parë, institucionet shtetërore nuk kujdesen për ruajtjen, kultivimin dhe mbrojtjen e vlerave kombëtare. Artistët e mirëfilltë dhe vlerat kapitale kombëtare, nuk stimulohen dhe nuk përfillen as në televizionet qendrore shtetërore, as në festivalet muzikore dhe as në skemat programore të mediumeve elektronike publike.
    Nuk mbrohen artistët në mënyrë institucionale. Nuk mbrohen krijuesit dhe veprat e tyre as nga pirateria, as nga e drejta ligjore për mbrojtjen e autorëve!
    Nuk ka Institucion shtetëror i cili do të merrej me incizimin, verifikimin dhe publikimin e vlerave artistike muzikore, në mënyrë profesionale.
    Nuk stimulohen kompozitorët për të krijuar vepra të reja me tabane kombëtare, por në vend të tyre, iu lihet rruga e hapur vjedhjeve, kopjimeve, përkthimeve dhe matrapazllëkut të njerëzve autodidakt që nuk e njohin as abecedën e muzikës, e lërë më që t’ i dallojnë vlerat kombëtare e antikombëtare!
    Në kushte të këtilla, ku nuk respektohen normat ligjore, profesionalizmi dhe vlerat kombëtare – na dalin shumë “kompozitorë”, shumë “tekstshkrues-poetë”, shumë “producentë”, shumë “festivale” , shumë “yje” të estradës, e çka jo tjetër?!

    Shqipo com: - A e ka shndërruar artin tonë muzikor në biznes një pjesë e estradës?

    Artin tonë tradicional muzikor e kanë shndërruar në biznes pjesa dërmuese e estradës muzikore gjithandej trojeve shqiptare. Ky fenomen është një mjerim i llojit të vet që po na e gëlltitë pa mëshirshëm tërë atë thesar të artë të trashëgimisë sonë kulturore!
    Momentalisht, estradën tonë muzikore e kanë kapluar disa rryma të pa para , të cilat po qe se vazhdojnë më gjatë kështu, ka rrezik permanent që kultura jonë e muzikës tradicionale të zhduket për gjithmonë!
    Pas përfundimit të luftërave në Ballkan dhe demokratizimit të vendeve të dala nga gëzhojat e komunizmit stalinian, në estradën tonë muzikore frymojnë, ushqehen dhe stimulohen disa rryma muzikore, ndër të cilat po i përmendim:
    Adhuruesit dhe përkrahësit e aleatëve të Perëndimit, kultivojnë këngë me tekste amorale, pornografi e banalitete të pa para në traditat shqiptare!
    Adhuruesit dhe përkrahësit e vendeve myslimane të Lindjes, kultivojnë këngë me huazime të melodive orientale, orkestrime orientale dhe me ideologji fetare orientale.
    Me të gjithë pjesëtarët e këtyre rrymave të dyshimta muzikore, manipulojnë matrapazët biznesmen të pa arsimuar, të prirë për përfitime materiale dhe karrieriste, por që më së paku ju interesojnë vlerat kombëtare dhe ruajtja e tyre!
    Grupin e fundit të pjesëtarëve të estradës muzikore e përbëjnë një numër shumë simbolik i këngëtarëve të cilët mundohen me mish e me shpirt që ta ruajnë traditën, vlerat dhe këngën e mirëfilltë tradicionale. Të tillët, nuk kanë vend as në festivale, as në televizionet shtetërore, por as në tregun muzikor!
    Në vend se të merret shteti dhe institucionet me këtë biznes të rrezikshëm, kjo u është lënë në duar të ashtuquajturve “Producentë” të firmave të ndryshme për botimin e programeve muzikore dhe video spoteve.
    Të tillët, pa u penguar nga askush, lirshëm manipulojnë me këngëtarët e etshëm për karrierë, duke iu marrë edhe mito për t’ ua publikuar programet e tyre muzikore dhe për t’ ua emetuar spotet nëpër televizione të ndryshme?!

    Shqipo com: - Na flitni për disa suksese që kanë formuar famën (emrin) tuaj?

    Sukseset që janë shënuar gjatë katër dekadave të këngës dhe krijimtarisë sime, janë vërtetë të shumta dhe secila prej tyre e ka rëndësinë e vet të veçantë.
    Por, ato që kanë formuar famën dhe emrin tim prej këngëtari popullor, pa dyshim se janë:
    Këndimi i këngës për Skënderbeun, në kohën kur kjo figurë e madhe historike, për popullin shqiptar të administruar nën Jugosllavinë Komuniste – Titiste, ishte temë tabu në popull, në shkolla dhe kudo në institucione.
    Këndimi i këngëve për figurat më të shquara patriotike të kombit shqiptar.
    Këndimi dhe zhveshja morale e disa spiunëve dhe tradhtarëve permanent të kombit shqiptar.
    Këndimi dhe diskreditimi i disa dukurive negative të shfaqura në përditshmërinë tonë e shumë e shumë motive tjera.

    Shqipo com: - Cila është sot pozita e artistit në Kosovë?

    Pozita e artistit muzikor dhe e të gjithë artistëve tjerë në Kosovës, sot lirisht mund të thuhet se është në gjendje të mjerueshme. Ata nuk kanë përkrahje as mbrojtje institucionale, profesionale, e as status shoqëror! Të gjithë jetojnë nën mëshirën e kohës dhe janë të nëpërkëmbur e përbuzur në të gjitha mënyrat!
    Kur jemi tek pozita e artistit muzikor – ata nuk përfillen nga televizionet shtetërore, në koncertet publike, në festivale… Madje, atyre as nuk iu merren për botim albumet e tyre muzikore, nga se vlerat e mirëfillta tradicionale – “nuk sigurojnë profite” në tregun e biznesmenëve të muzikës!
    Të njëjtin fat, besoj se e kanë edhe artistët e dramës dhe të filmit, të cilët lihen anash nga të gjitha serialet dhe shou – programet të cilat na servohen përmes ekraneve televizive, mu si kërpudhat pas shiut dhe pa asnjë kriter profesional!

    Shqipo com: - Për fund – A do të na thoni planet tuaja për këtë vit?

    Zakonisht, artistët kanë në zemër shumë plane, dëshira dhe iluzione të pa para! Në këtë pikëpamje, unë jam shumë modest dhe nuk planifikoj shumë, nga se ia di hallin vetit dhe buxhetit tim ekonomik!
    Në plan të parë, ditë e natë ëndërroj se si ta botoj librin e 15-të me radhë, të titulluar “LIRIKA POPULLORE E GOLLAKUT”, me gjithsejtë 1216 këngë burimore dhe në madhësi prej 600 faqesh të formatit B/5!
    Me që sivjet, është viti jubilar i 40 – vjetorit të këngës dhe krijimtarisë sime muzikore, shpresoj se me ndihmën e shoqërisë dhe të institucioneve përkatëse, do ta shënoj sa do pak, në një mënyrë simbolike këtë përvjetor, së pakut me një koncert publik!
    Prej datës 14 – 22 Nëntor , do të shënohet 100 – vjetori i Kongresit të Alfabetit në Manastir, ku edhe jam i ftuar për pjesëmarrje shumë kohë më parë. Në këtë përvjetor të madh të shkronjave shqiptare, unë jam i nderuar që të marr pjesë me këngën time më të re, të kompozuar enkas për këtë Jubile, me titull:”Kurrë nuk shuhet Manastiri!”
    Për planet tjera, të shohim e të bëjmë!

    Për Shqipo com – Intervistoi: Shaban CAKOLLI

    koment nga cakolli — 31 Korrik 2008 @ 5:35 pm

RSS e komenteve TrackBack URL

Shkruaj një koment